ONM: Gjyqtari i Gjykatës së Lartë dënuar në Itali me 40 ditë burg
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti sot një seancë dëgjimore me anëtarin e Gjykatës së Lartë, gjyqtarin Admir Thanza.
Gjatë seancës doli në dritë se ONM-ja ka zbuluar se gjyqtari Thanza ka qenë i dënuar për vjedhje në shtetin italian, por nuk e ka deklaruar në formular. “Admir Thanza ka qenë i dënuar nga shkalla e parë në Itali në vitin 1999 me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë, për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë”, ishte konkluzioni i lexuar nga ONM-ja.
Thanza e ka pranuar dënimin në shtetin italian, por theksoi se nuk e ka kryer krimin për të cilin është akuzuar.
“E kam pranuar veprën atëherë për shkaqe humanizmi dhe për shkaqe familjare, por nuk e kam kryer asnjëherë”, është shprehur ai.
Trupa e KPK ka lexuar raportin e ILDKP ku thuhet se Thanza ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk ka burime financiare të mjaftueshme për të justifikuar pasurinë e tij. Duke iu referuar raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), trupa gjyqësore e KPK thotë se sipas kësaj drejtorie Thanza ka kontakte me personazhe të krimit, por konkluzionet janë të pabazuara në fakte.
“Gjyqtari ka një apartament banimi me sipërfaqe 136 m2 në Shkodër. Për këtë apartament ka një anomali. Vlera e apartamentit e deklaruar nga Thanza nuk përputhet me çmimin e kontratës së shit-blerjes që është 1.2 milionë lekë, ndërsa gjyqtari e ka deklaruar sikur është blerë 3 milionë lekë. Në deklarimin e vitit 2004 mungon deklarimi i një garazhi, që e ka deklaruar në deklaratën e Vettingut. Gjyqtari Thanza nuk ka justifikuar burimet për blerjen e këtij apartamenti. Thanza ka dhe një apartament me sipërfaqe 113 m2 te Komuna e Parisit, në Tiranë.
Gjyqtari ka deklaruar apartamentin si pasuri të gruas së tij, por edhe këtu ka mospërputhje. Apartamenti është blerë në 2003 për 1.9 milionë lekë, ndërsa gjyqtari e ka deklaruar sikur është blerë 4 milionë lekë. Sipas DSIK Thanza ka kontakte me personazhe të krimit, por konkluzionet e DSIK janë të pabazuara në fakte. Ndaj tij janë paraqitur 13 denoncime nga publiku, por edhe ato janë të pabazuara në fakte. Thanza ka probleme dhe me shtyllën e aftësive profesionale”- thuhet në raportin e lexuar nga trupa e KPK.
Thanza e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1992, pas diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë. Ai ka punuar në Gjykatën e Shkodrës në vitet 1992-2006, në atë të Tiranës në vitet 2006-2009 si dhe ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitet 2009-2013. Thanza ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Krahas ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, Thanza ka punuar edhe si pedagog i jashtëm në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër si dhe pedagog i të Drejtës Civile dhe të Drejtës Kushtetuese në Universitetin Europian të Tiranës dhe atë “Justiniani i Parë”. Prej vitit 2013, Thanza ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë.
Sipas vetë gjyqtarit vjedhjen në Itali e kishte kryer kunata në një market, dhe e kishte marrë vetë ai përsipër, për shkak të gjendjes shëndetësore të nipit të tij 9-vjeçar. Vetë gjyqtari Thanza është shprehur se e ka pranuar këtë ngjarje për nipin e tij.
“E pranova ngjarjen për djalin e vëllait. Nuk kuptova gjë me pas që do ishte gjobë. E bëra për familjen. Unë kurrë nuk do ta bëja dhe nuk e bëj dot. Nuk e imagjinoni ato skena të dhimbshme kur një xhaxha përjeton për djalin e vëllait të tij, nuk e deklaroj dot më shumë. Ai ishte në gjendje kritike, falë humanizmit Kristiani u mor përsipër të kurohej në Itali. Fale budallallëkut të ish-kunatës sime, pra nëse ish-kunata ime do ndahej fëmija do ngelet pa përkrahje. E mora përsipër jo për të shpëtuar kunatën, por për të mbrojtur nipin. Ai fëmijë është shpirti e jeta ime, vendsa të shkatërroja jetën time për atë fëmijë, ju sot mund të mendoni që unë e kam kryer, por po ju them që ai fëmijë është 28 vjeç. E sakrifikova jetën për të”, është përgjigjur me lot në sy Thanza. Po ashtu Thanza është shprehur dhe për faktin se nuk kishte shënuar një garazh në deklaratën e pasurisë, duke thënë se kjo nuk ka pse kthehet në një çështje alarmante në jetën e tij.
‘Nuk e kuptoj pse ky objekt garazhi të bëhet kaq alarmant për jetën time, kam shkuar në detaje ekstreme kur në formular kam deklaruar edhe një celular. Kam vlerësuar trupin gjykues dhe kam zgjedhur që të paraqitem personalisht. Avokati po më mbron nga ana ligjore’, – ka thënë Thanza.
Trupa vendosi që vendimi do të merret më 17 korrik. Në Gjykatën e Lartë e njohin për njeri korrekt por do të jetë KPK e cila do të jap verdiktin.
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza është në sistemin e drejtësisë shqiptare që në vitin 1992, kur përfundoi studimet me titullin jurist në Universitetin e Tiranës.
Po në këtë vit Thanza filloi punën si gjyqtar pranë Gjykatës së shkallës së parë të Shkodrës, ku ka shërbyer deri në vitin 2006. Nga ky vit e deri në vitin 2009 ka qenë gjyqtar në gjykatën e shkallës së parë të Tiranës. Më pas karrierra e Thanzës do të ngrihej menjëherë, pasi në vitin 2009 emërohet gjyqtar në gjykatën Kushtetuese, ku shërbeu deri në vitin 2013.
Më tej karriera e Thanzës si gjyqtar do të vazhdonte si anëtar në Gjykatën e Lartë, ku shërben edhe aktualisht. Gjithashtu mes viteve 2004, deri në vitin 2009 ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe pedagog i jashtëm pranë disa universiteteve shtetërore dhe private.
Por e gjithë kjo karrierë duket se është shembur pasi Thanza gjatë kohës që ka qenë gjyqtar në gjykatën e Shkodrës, është dënuar në Itali, në vitin 1999 me 40 ditë burg dhe gjobë për vjedhje, vendim për të cilin instiucionet shqiptare nuk mund të mos kenë pasur dijeni, por që nuk e kanë bërë publike edhe kur Thanza ngjiti shkallët më të larta në sistemin e drejtësisë, në Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.
Mes qindra dosjeve që Thanza ka gjykuar gjatë karrierës së tij 26-vjeçare në sitemin e drejtësisë, janë procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit në Gjykatën e Lartë, ku familjarët e vitimave të 15 marsit 2008, opinioni publik dhe politika kanë akuzuar disa herë që ende nuk është dhënë drejtësi. Po ashtu ai ka dhënë vendime në gjykimin e disa deputetëve në Gjykatën e Lartë, si Tom Doshi, Mark Frroku apo Gent Strazimiri.
Pas faktit që u mësua publikisht, 26 vite pasi Thanza është bërë pjesë e sistemit të drejtësisë, pyetjet që shtrohen janë të shumta; si një gjyqtar i dënuar për vjedhje në Itali dhe ka dhënë drejtësi në Shqipëri në të gjitha shkallët e gjyqësorit? Nëse çështja e dënimit të tij do të ishte bërë publike që prej 19 vjetësh, a do të kishin marrë tjetër rrjedhë çështjet e bujshme që ai ka patur në dorë, siç është rasti i tragjedisë së Gërdecit?
Kush mban përgjegjësi që në sistemin shqiptar të drejtësisë për gati 3 dekada ka dhënë vendime një gjyqtar i dënuar dhe nëse nuk do të ishte seanca e kësaj të marte e vettingut, ky gjyqtar do të vazhdonte i qetë karrerën e tij në Gjykatën e Lartë. Pikëpyetje hidhen edhe në ligjin e dekriminalizimit, i cili nuk e filtroi gjyqtarin e lartë. Më shumë se gjithçka, edhe se shqiptarët që po bëjnë vettingun e prokurorëve edhe gjyqtarëve, rastin Thanza e zbuluan të huajt që monitorojnë procesin e vettingut/ tch/