Operatorët turistikë, letër Ramës: Të hiqet kufizimi i lirisë së lëvizjes, të hapet turizmi i brendshëm
Operatorët turistikë në vend i kanë drejtuar një letër kryeministrit Edi Rama. Unioni i operatorëve turistikë në këtë letër shprehet se duhet që të ecim me hapat e fqinjëve.
Ndër të tjera, Unioni deklaron se duhet të shpëtohet sektori i turizmit.
“Të ecim me hapat e fqinjëve. Të shpëtojmë sektorin e turizmit. Të hapet turizmi i brendshëm. Të hiqen barrierat për turizmin. Të hiqet kufizimi i lirisë së lëvizjes”, thuhet në thirrjen e Unionit drejtuar kreut të qeverisë.
Më tej, në këtë letër Unioni Turistik Shqiptar shprehet se ka ardhur koha të hiqet fasha e orarit të vendosur për lëvizjet e qytetarëve dhe të rakordohet me vendet kufitare në mënyrë që të hartohet një plan i përbashkët për sa i përket hapjes së turizmit.
Sipas tyre nëse kufijtë nuk hapen më 18 maj sektori i turizmit do të goditej rëndë. Më tej ata shprehen se subjektet turistike kanë një rënie nga 90-100% të të ardhurave.