Opozita me 13 maj, ora 12.00, rrethon kryeministrinë me 200 mijë veta
Opozita nuk tërhiqet deri në largimin e Edi Ramës dhe krijimin e qeverisë teknike për zgjedhjet. Ora 12:00 e 13 majit do të shënojë protestën e radhës të opozitës shqiptare, e cila zyrtarisht ka anuluar tubimin e parashikuar të dielën në Kavajë, pas shtyrjes së zgjedhjeve për bashkinë në këtë qytet. Nga selia blu tregojnë se në Tiranë para kryeministrisë me 13 maj do mblidhen mbi 200 mijë demonstrues. Plani mbetet të rrethojnë kryeministrinë ditë-natë duke mos lejuar qeverinë të hyjë në ndertesën e kryeministrisë. Nuk do prishin asgjë, përveç kërpudhës së Ramës vendosur te hyrja e kryeministrisë nga ana e hotel Rogner. Atë kërpudhë e ka kërkuar Xhelal Mziu, kryetari i bashkisë së Kamzës, pasi ai u ka thënë demonstruesve bathorianë se kam gjithfarë pemësh e emra rrugësh në Kamëz, por nuk ka në qytetin e tij kërpudhë kryeministrore. Këtë kërpudhë kryeministrore e ka kërkuar edhe një miliarder shqiptar për ta ngulur në bahçen e tij si simbol i parave të fituara edhe nga zyra e kryeministrit, por Vangjush Dako i ka hequr sikletin duke e sqaruar se “ç’na duhet kjo kërpudhë se vetëm të këqija na solli !”.
Këtë të shtunë, kreu demokrat Lulzim Basha mblodhi në selinë e PD-së krerët e degëve dhe funksionarët e lartë të partisë, ku u mor vendimi që protesta e radhës të mbahet të shtunën e ardhshme në mesditë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë ditës së djeshme në një vendim të papritur, kryeministri Edi Rama tërhoqi nga gara kandidatin e Partisë Socialiste për bashkinë e Kavajës, Klodian Shehi, pas shkarkimit të Elvis Roshit. PD-ja i kishte bojkotuar këto zgjedhje, duke paralajmëruar protestë të djelën për të mos lejuar një proces zgjedhor farsë. Por Rama foli për një skenar të PD-së për të krijuar destabilitet në vend, ndaj dhe vendosi tërheqjen duke i bërë sërish apel Bashës të ulen në dialog. Kreu i qeverisë tha se e pret deri darkën e 7 Majit liderin demokrat për të negociauar për zgjidhje të ngërcit politik. 7 maji është afati i fundit ligjor që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nisë shtypjen e fletëve të votimit.
“I përsëris Lulzim Bashës, lëre tani Kavajën hiqe nga mendja se mund ta shtysh me provokime, jo datën por as afatin fundit të mundësisë për të hyrë në zgjedhje që është 8 maji dhe fokusohu te zgjidhja që të është ofruar deri më 7 maj. Unë jam gati të ulem përsëri me Lulzim Bashën por këtë herë për të detajuar ofertën që ai ka në tavoline jo për ta filluar nga e para avazin e qeverisë teknike dhe të shtyrjes së zgjedhjeve në kalendar greke, me sebepin qesharak të përgatitjes së votimit elektronik. Zgjedhjet do të bëhen me 18 qershor dhe të hënën me 8 maj unë nuk jam më në dispozicion për Lulzim Bashën dhe PD-në, nëse deri të dielën ata nuk bien dot dakord për ofertën, për ndryshimin e menjëhershëm të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të ODHIR-it dhe zhbllokimin e Vettingut, natyrisht. Edhe fare pak durim u kërkoi të gjithëve. Jemi në prag të një zhvillimi me rëndësi të madhe me vendin tonë”, tha Rama në konferencën për shtyp një ditë më parë.
Por për Bashën, tërheqja e shefit të mazhorancës dhe shtyrja e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë, ishte fitorja e parë e Republikës së Re, sic ata quajnë Shqipërinë e dalë nga zgjedhjet që do të zhvillohen nga një qeveri teknike, kusht i opozitës për të hyrë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Nuk do ketë zgjedhje me 18 qershor pa qeveri teknike dhe pjesmarrjen e opozitës. Ky është vendimi final nga partitë e opozitës. Tërheqja e kryeministrit nga Kavaja, gjë e cila nuk ka ndodhur në historinë e vendit, i ka dhënë kurajo opozitës të fillojë sulmin deri në krijimin e qeverisë teknike.