Opozita:Të shtunën e zgjidhim hallin me Ramën, do të jetë demonstratë

Vizita dyditore e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Europën, Matthew Palmer, krijoi pritshmëri të mëdha në Tiranë. Prej disa muajsh, vendi ndodhet në një krizë të paprecedentë politike dhe mbërritja e diplomatit të lartë amerikan u pa si një sinjal që SHBA po investohej direkt për të ulur palët në bisedime.

Por në komunikimin që dje zhvilloi me gazetarët, zyrtari i DASH foli në mënyrë të qartë se nuk ndodhej në Tiranë për krizën dhe as kishte ardhur me një paketë mbi të cilën do të negociohej.

Ai po kalonte nëpër Ballkan në një tur të përgatitur prej muajsh. “Unë nuk jam këtu për të negociuar një zgjidhje, nuk jam këtu për të mbështetur një zgjidhje të caktuar”,- deklaroi dje zyrtari i DASH. Po në këtë komunikim, Palmer ka shtuar se zgjidhja e krizës politike u takon palëve që janë përfshirë në konflikt, për të arritur një kompromis. “Se si zgjidhet ky proces, se si zgjidhen mosmarrëveshjet, kjo është në dorën e partive politike dhe udhëheqësve të partive politike. Në rrugën e saj përpara, Shqipëria ka mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara”,- u shpreh Matthew Palmer. Lidhur me djegien e mandateve të opozitës, Palmer mbajti qëndrimin tashmë të njohur të SHBA-ve dhe BE-së duke thënë se nuk e mbështeste dhe se nxiste të gjitha partitë që të jenë pjesë e zgjedhjeve vendore.

Palmer konfirmoi se nuk ndodhej në Tiranë për të diskutuar krizën dhe ua la në dorë zgjidhjen e saj vetëm partive politike. Sigurisht që asnjë ndërkombëtar nuk mund të thotë se qeveria nuk është legjitime dhe as të mbështesë format e bojkotit si dhe daljen nga sistemi, pavarësisht që opozita nuk pranon një pushtet të blerë nga bandat kriminale. Por edhe pse zyrtari i DASH nuk ishte për krizën, kriza ishte temë e takimeve që zhvilloi me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, kreun e PD, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Kur shtëpisë i duket tymi nuk ka se si të mos turren për të fikur zjarrin! Ndaj duhet që palët të ulen për gjetjen e zgjidhjes. Ndërkohë kryeministri i hedh me tepër benzinë zjarrit duke deklaruar se do të futet në zgjedhje pa opozitën. Djegia e mandateve është një precedent që i bën ndërkombëtarët të jenë të kujdesshëm në qëndrimet. Ndërkombëtarët kanë vendosur që ta shohin si një problem të brendshëm shqiptar që duhet zgjidhur nga vetë palët politike. Edhe një herë, stabiliteti po vlerësohet më i rëndësishëm sesa standardet demokratike dhe fakti se në Shqipëri nuk bëhen më zgjedhje të drejta e të ndershme, por votime të manipuluara, ngre një problem të madh. Ndaj opozita nuk po hesht dhe mbetet e vendosur ta largojë me forcën e popullit kryeministrin Rama. Skandalet korruptive që po ndodhin përditë dhe me policinë e kthyer në repart dhune ndaj protestuesve opozitarë apo qytetarëve te Unaza e Re dhe Bregu i Lumit, janë shenjat se “pushteti legjitim” po kthehet në rrezik për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Dhe kur cenohen këto parime, edhe nëse qeveria është legjitime, nuk flitet më për demokraci. E vetmja mënyrë që të huajt të kuptojnë se ajo që po ndodh këtu do një ndërhyrje të fortë, është shprehja e pakënaqësisë qytetare dhe reagimi opozitar. Çështja është se qeveria “Rama” nuk e ka problemin me ndërkombëtarët, por me shqiptarët që jetojnë më keq se më parë dhe praktikisht po vidhen nga qeveria e tyre. Më 13 prill është protesta e radhës kombëtare e opozitës kundër qeverisë “Rama”. Pjesëmarrja masive në këtë tubim do të jetë dhe mesazhi që shqiptarët japin për atë që po ndodh këtu. Por edhe qytetarët kanë një mesazh për lidershipin opozitar: Duhet të qëndrojnë këtë radhë ditë-natë deri në rrëzimin e kryeministrit, pasi nuk ka kuptim me protesta me grafik.

Mësohet nga burime sekrete brenda kampit opozitar se këtë radhë protesta do jetë demonstratë dhe nuk largohen pa e rrëzuar kryeministrin. Protestuesit janë të vendosur që pas ditën së shtunë do të detyrohet një tjetër “Palmer” amerikan të mbërrijë në Tiranë për zgjidhjen finale të situatës politike. Basha dhe Kryemadhi kanë deklaruar se 13 prilli do jetë fundi i Edi Ramës. Protestuesit kërkojnë që të mos ketë më datë tjetër proteste në maj, por të shtunën ta zgjidhin me përballje.

Qamil Xhani

SHKARKO APP