Pagesa 800 mijë dollarë. PD-ja duhet të ketë kurajon të tregojë emrin e sponsorit

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë shkëmbyer akuza të ashpra këtë fundjavë lidhur me kontratat e lobimit për PD-në në SHBA. Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla dhe deputetja e PS, Blerina Gjylahmeti kanë kërkuar hetimin e kreut të PD-së, pasi sipas tyre, rezultojnë më shumë se mbi 800 mijë dollarë të paguar nga opozita në kompanitë lobuese në SHBA. Këto para, deri tani, nuk rezultojnë se janë deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë arsye, PS-ja hedh dyshime se lekët janë marrë nga parajsat fiskale. Taulant Balla foli dhe për pastrim parash që mund të jenë bërë me ndihmën e PD. Flitet se kjo shumë e madhe është paguar nga një kompani e cila ka marrë shumë tenderime dhe prona në kohën e qeverisjes së PD-së. Aludohet edhe për një biznesmen, i cili sa herë kishte zgjedhje politike çonte te partia e cila akoma në pushtet një thes me para për fushatë, por edhe te partia e cila ishte në opozitë e që mund të rikthehej në pushtet. Pra e mbante mirë me dyja palët, në fund të fundit kushdo vinte në pushtet ai kishte paguar!

Por në rastin konkret dokumentet që pasqyrojnë pagesat e PD dhe botuan nga BIRN tre ditë më parë, janë marrë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, i cili i ka publikuar 5 muaj më parë, ku çdo kompani lobuese pasqyron shpenzimet e saj.

Të shtunën PD-ja reagoi për herë të parë për këto akuza. Në një deklaratë për mediat, selia blu thotë se gjithë procedura që është ndjekur për lobimin e opozitës në Uashington është bërë sipas ligjeve amerikane. Për shkak se dokumentet ndodhen në Departamentin e Drejtësisë së SHBA, demokratët theksojnë se nuk ka asnjë shkelje që mund të kompromentojë pozitën e saj.

Ndërkohë debati për paratë e kompanive të huaja është hapur në kulmin e publikimit të skandaleve të opozitës kundër qeverisë. Demokratët pretendojnë se akuzat e PS-së për këtë çështje janë vetëm një mënyrë për të hequr vëmendjen e opinionit nga ana çështjet që kanë të bëjnë më kanabisin, mosarrestimin e zyrtarëve të policisë, hetimin ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe skandale të tjera që pritet të publikohen në vijim.

Në reagimin e saj, në mënyrë ironike, PD kërkon nga mazhoranca që të hetojë sa më shpejt për paratë e PD, por ne grupin e hetimit të jenë dhe ish-ministri i akuzuar për trafik droge, Saimir Tahiri dhe vëllezërit Habilaj, një prej të cilëve është ende në kërkim policor.

Debati i hapur për pagesat që bëjnë partitë shqiptare për takime dhe foto me politikanë në SHBA nuk është i ri. Në vitin 2012 Kryeministri Edi Rama ishte në qendër të një sherri të tillë për foton e realizuar me ish-Presidentin Barak Obama. Njerëz afër kryeministrit, me anë të mënyrave jo shumë korrekte për ligjet e SHBA, kishin paguar 80 mijë dollarë me anë të një biznesmeni në SHBA për të realizuar foton në një takim për mbledhjen e fondeve. Edhe sot nuk dihet burimi i parave për foton, por as shumë para të tjera që paguhen në Amerikë për lobimin e partive shqiptare.

Megjithatë PD-ja duhet të ketë kurajon politike për ta bërë publike emrin e personit apo kompanisë e cila ka bërë pagesën prej 800 mijë dollarësh.

SHKARKO APP