Paketa Fiskale 2026: Tri propozimet e ndërmjetësve imobiliarë për rivlerësimin e pasurive

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme ka paraqitur tre propozime thelbësore në lidhje me projektligjin e paketës fiskale 2026, që rregullon rivlerësimin e pronave. Këto propozime kanë në fokus normën e tatimit, përjashtimin e pronave në proces legalizimi dhe afatin kohor të aplikimit, me synimin për ta bërë procesin më të drejtë dhe më praktik për qytetarët.

Një nga pikat kryesore të kundërshtimit është norma e tatimit prej 5%, e cila në projektligj aplikohet në mënyrë të njëjtë si për individët, ashtu edhe për subjektet tregtare.

Shoqata propozon uljen e kësaj norme në 3% dhe kërkon diferencim mes dy kategorive. Reinaldo Pipiria nga shoqata “NAREA” argumenton se ky barazim është i padrejtë, pasi entitetet tregtare e regjistrojnë këtë pagesë si shpenzim të zbritshëm, ndërsa individët nuk e kanë këtë mundësi. Sipas tij, kjo situatë i shtyn individët t’i mbajnë pronat e tyre të bllokuara pa i rivlerësuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shqetësim tjetër i ngritur është përjashtimi nga rivlerësimi i banesave që janë në proces legalizimi. Pipiria shprehet i habitur që ky nen, i cili në draftin e parë të Ministrisë së Financave përfshinte rreth 1.2 milionë prona, është hequr nga versioni final. Shoqata kërkon që këto prona të përfshihen sërish në ligj. Ai gjithashtu përmendi nevojën për një task-forcë për të rishikuar legjislacionin, duke marrë si shembull praktikat e Bashkimit Evropian ku banesat kryesore përjashtohen nga tatimfitimi mbi kapitalin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Së fundi, propozimi i tretë lidhet me afatin kohor të procesit. Projektligji aktual parashikon që rivlerësimi të kryhet nga 1 janari 2026 deri në fund të vitit. Duke marrë parasysh kompleksitetin dhe numrin e madh të pronave, Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme kërkon një zgjatje të këtij afati për të mundësuar një zbatim më të suksesshëm dhe gjithëpërfshirës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?