Pamjet e Durrësit, tre ditë pas tërmetit tragjik

Tre ditë pas tërmetit qyteti i Durrësi, në lagjet më të dëmtuara vijon të jetë thuajse i zbrazur.

Agjencia e fotove “LSA” sjell pamjet e trishta nga qyteti, me banesa të dëmtuara dhe banorë të traumatizuar.

Fotot tregojnë pallate që mezi mbahen në këmbë, të tjerë të rrënuar dhe rrugë të zbrazura nga njerëzit. Numri i viktimave nga tërmeti i së martës ka rritur në 49. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë drejt përfundimit dhe sot po kërkohet vetëm nën rrënojat e një hoteli në Durrës, ku dyshohet të jetë ende trupi i një personi.

Durrësi është qyteti me numrin më të madh të personave që kanë humbur jetën, 25 viktima. Goditjet e tërmetit shkatërruan duke rrënuar plotësisht, dy hotele në zonën e plazhit, dy pallate në qytet si dhe një banesë trekatëshe në zonën e ish-Kënetës. Ndërsa në Thumanë, ku kërkimet u konsideruan të mbyllura që ditën e djeshme, ishin 23 persona që humbën jetën nën rrënojat e dy pallateve të rrëzuar.

Qeveri bëri të njohur sot dhe një bilanc të parë të dëmeve, ku janë mbi 1200 banesa dhe pallatet e prekur. Në zonën e Durrësit janë 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara totalisht dhe 176 pallate të dëmtuara. Ndërsa në Tiranë, 15 banesa janë të shkatërruara dhe 239 të dëmtuara, ndërsa 8 pallate janë jashtë funksionit dhe 61 të dëmtuara.

Mbi 5200 janë qytetarët e pastrehë nga të cilët 3480 në rajonin e Tiranës dhe 1760 në Durrës dhe Thumanë. Kryeministri Edi Rama tha se tendat do të mbyllen gjatë ditës së sotme dhe të gjithë personat e pastrehë do të sistemohen pranë strukturave hoteliere me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje.

SHKARKO APP