Pandeli Majko, kryeministrit Rama: Zgjidh mes Blushit dhe Kokëdhimës!
Pandeli Majko shfrytëzoi rastin për të thumbuar kryeministrin Edi Rama. Kreu i qeverisë e ftoi të jepte teserat për të rinjtë e Tiranës që anëtarësohen në PS. Majko, sapo mori fjalën, i kujtoi se duhet të bënte kujdes kur ia ngarkonte atij këtë “detyrë”. “Kam dorë të keqe. Ia kam dhënë teserën Koço Kokëdhimës. Ia kam dhënë edhe Ben Blushit. Kështu që, zgjidh e mba tani mes të dyve”, iu drejtua Majko, Ramës.
Kjo batutë duket se e vuri në vështirësi Ramën, i cili u përgjigj shkurt: “Pandi është i vetmi që i mbijeton çdo dallge”. Rama ka kohë që u shmanget komenteve për Blushin publikisht, pavarësisht kritikave të forta të Blushit dhe kërkesës së hapur për të lejuar garën në parti për kreun e PS. Blushi ka paralajmëruar se në kongres, nëse do ta lejojnë të flasin, do të bëjë publikë edhe emrat e deputetëve të PS, që duke abuzuar me pushtetin që u jep kryeministri, kanë grabitur jo vetëm partinë, por edhe prona. Deputeti Kokëdhima është akuzuar disa herë nga opozita për zaptime pronash publike në jug, përfshirë edhe ndërtimin e “kështjellës” në plazhin e Qeparoit.