Papa Leo XIV në Bejrut: Një vizitë për paqe në mes të tensioneve rajonale
Papa Leo XIV mbërriti të dielën në Bejrut për një vizitë tre-ditore, duke sjellë një mesazh si “i dërguar i paqes” për Libanin. Udhëtimi i tij zhvillohet në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, vetëm disa ditë pas një sulmi izraelit në jug të kryeqytetit libanez, çka e bën praninë e tij veçanërisht domethënëse.
Në Pallatin Presidencial në Baabda, nën mbishkrimin “Lum ata që sjellin paqe”, Papa u bëri thirrje qytetarëve të mos e braktisin vendin përballë “eksodit të të rinjve dhe familjeve”. Ai theksoi se largimi vjen si pasojë e “pasigurisë, dhunës, varfërisë dhe kërcënimeve të tjera”.
“Të qëndrosh në atdhe dhe të punosh për të ndërtuar një civilizim dashurie dhe paqeje është diçka me vlerë të jashtëzakonshme,” u shpreh ai para autoriteteve dhe shoqërisë civile. Papa nënvizoi se paqja “nuk trembet nga disfata” dhe kërkon “këmbëngulje për ta ndërtuar” dhe “durim për ta mbrojtur”.
Vizita synon të mbështesë komunitetin e krishterë të Libanit, një nga më të vjetrit në rajon. Axhenda e tij përfshin takime me liderë politikë dhe të rinj, një tubim ndërfetar dhe kremtimin e meshës në shëtitoren bregdetare të Bejrutit. Ky është udhëtimi i parë ndërkombëtar i Papës që prej zgjedhjes në maj.
Pontifi i parë amerikan u prit nga turma të mëdha me flamuj libanezë dhe të Vatikanit. Qindra të tjerë u mblodhën në oborrin e pallatit presidencial, pavarësisht motit me shi.
Thirrjet e tij për unitet vijnë në një kohë tensionesh të rritura, pas sulmit izraelit të javës së kaluar që goditi shefin e shtabit të Hezbollahut, Haytham Ali Tabatabai. Sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, sulmi la pesë të vrarë dhe 28 të plagosur.
Gjatë fluturimit drejt Bejrutit, Papa Leo u tha gazetarëve se vizita e tij në Liban dhe Turqi synon të “promovojë paqen në të gjithë rajonin”. Ai përsëriti mbështetjen e Selisë së Shenjtë për zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, duke e quajtur “zgjidhjen e vetme të drejtë për të dyja palët”.
Një nga ndalesat e tij do të jetë Manastiri i Mar Marounit në Annaya, ku do të lutet te varri i Shën Sharbelit, i cili njihet për përpjekjet e tij për të afruar njerëz të besimeve të ndryshme.
Libani ka 18 komunitete fetare të njohura zyrtarisht, përfshirë 12 të krishtera, ndërsa myslimanët shiitë janë grupi më i madh. Gjatë vizitës, Papa do të zhvillojë takime të ndara me udhëheqës të krishterë, myslimanë dhe druzë.
Të martën, në ditën e fundit, ai do të lutet në vendin e shpërthimit katastrofik në portin e Bejrutit në vitin 2020, ku humbën jetën mbi 200 persona dhe u plagosën më shumë se 6 mijë. Më pas, ai do të niset për në Romë.
Më herët gjatë javës, duke dënuar përdorimin e fesë për të justifikuar “luftë dhe dhunë”, Papa Leo u bëri thirrje katolikëve të bashkojnë forcat për të ndërtuar paqe, pavarësisht dallimeve etnike, kombëtare apo fetare.
Vizita e tij vjen një vit pas një armëpushimi të brishtë mes Izraelit dhe Hezbollahut, të ndërmjetësuar nga SHBA. Vizita e fundit papnore në Liban ishte ajo e Papa Benediktit XVI në vitin 2012.
KOHA JONË SONDAZH

