Papa Leoni XIV: Nuk ka vend për Zotin nëse nuk ka vend për njeriun!
Me 6 mijë besimtarë në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe mbi 5 mijë në shesh, Papa kryeson kremtimin dhe kujton se jeta e re e Zotit, e dhuruar në Jezusin fëmijë për të gjithë, nuk është një ide zgjidhëse për çdo problem, por një histori dashurie që na përfshin. Lindja e Shpëtimtarit vlerëson dinjitetin e pafund të secilit njeri, “ndërsa një ekonomi e shtrembëruar nxit trajtimin e njerëzve si mall”, dhe çliron, “ndërsa njeriu dëshiron të bëhet Zot për të sunduar mbi të afërmin”.
R.SH. – Vatikan
“Mirë se vini të gjithë, bienvenidos, welcome!”. Përshëndetja e Leonit XIV, në sheshin e Vatikanit para Bazilikës së shën Pjetrit para fillimit të Meshës së Natës së Krishtlindjes, u drejtohet rreth pesë mijë besimtarëve që, pavarësisht shiut të dendur mbi Romë, nuk hezituan të jenë të pranishëm. Ata do ta ndjekin kremtimin e Meshës jashtë, nga ekranet gjigante të përgatitura që do t’ia rrisin bukurinë solemnitetit. Është përqafimi i Pasardhësit të Pjetrit ndaj Kishës universale. Bazilika e Vatikanit është shumë e madhe, thotë Papa, dhe sonte strehon gjashtë mijë persona, por “fatkeqësisht jo e mjaftueshme për t’ju pritur të gjithëve”. Ati i Shenjtë Leoni XIV thotë se është “i admiruar” nga “guximi” dhe “gatishmëria” për të qenë të pranishëm Natën e Krishtlindjes “edhe me këtë mot”. Pastaj shton: “Jezu Krishti që ka lindur për ne, na sjelltë paqen, na sjelltë dashurinë e Zotit”.
Më poshtë është teksti i plotë i homelisë së Papa Leonit XIV.
Vëllezër e motra të dashur, gjatë mijëvjeçarëve, në çdo skaj të tokës, njerëzit vështruan qiellin, duke u dhënë emra dhe forma yjeve të heshtur. Në fantazinë e tyre, lexuan ngjarjet e ardhshme, duke i kërkuar lart, ndërmjet yjeve, për të vërtetën që mungonte poshtë, ndërmjet shtëpive. Megjithatë, duke prekur me dorë në atë errësirë, mbeteshin të hutuar nga orakujt e tyre. Në këtë natë, ” Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi drita. (Is 9,1).
Ja ylli që mahnit botën, shkëndijë e sapondezur, që shkëlqen plot me jetë: “Sot në qytetin e Davidit lindi për ju Shëlbuesi, që është Krishti Zot” (Lk 2M11). Në hapësirë e kohë, kudo që të jemi, vjen Ai, pa të cilin nuk do të kishim qenë kurrë. Ai, që jep jetën e tij për ne, jeton me ne, duke e ndriçuar me shëlbim natën tonë. Nuk ka terr, të cilin nuk e ndriçon ky yll, sepse në dritën e tij gjithë njerëzimi sheh agimin e një jete të re dhe të amshuar.
Është Lindja e Jezusit, Emanuelit. Në Birin e bërë njeri, Hyji nuk na jep diçka, por Vetveten, “për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të krijuar për vete një popull të pastër” (Titi 2:14). Lind natën Ai, që na shpengon nga nata: shenja e ditës që agon nuk duhet kërkuar më larg, në hapësirat e jashtme, por duke ulur kokën në stallën aty pranë.
Shenja e qartë që i jepet botës së errët është në të vërtetë “një foshnjë e mbështjellë me pelena dhe e vënë në një grazhd” (Lk. 2:12). Për të gjetur Shëlbuesin, nuk duhet të shikojmë lart, por të kundrojmë poshtë: gjithëpushteti i Hyjit shkëlqen në ligshtinë e një foshnje të porsalindur; elokuenca e Fjalës së përjetshme jehon në vajin e parë të një foshnjeje; shenjtëria e Shpirtit shkëlqen në atë trup të vogël, të sapolarë dhe të mbështjellë me shpërgaj. Nevoja për kujdes dhe ngrohtësi, të cilën Biri i Atit e ndan gjatë gjithë historisë me të gjithë vëllezërit dhe motrat e tij, është hyjnore. Drita hyjnore që rrezaton nga ky Fëmijë, na ndihmon të shohim njerëzimin në çdo jetë të sapolindur.
Për të ndriçuar verbërinë tonë, Zoti zgjodhi t’i zbulohej si njeri njeriut figura e tij e vërtetë, sipas planit të dashurisë, nisur që nga krijimi i botës. Për sa kohë që nata e gabimit e terratisë këtë të vërtetë providenciale, atëherë “nuk ka vend për të tjerët, për fëmijët, për të varfrit, për të huajt” (Benedikti XVI, Homelia në prag të Krishtlindjes, 24 dhjetor 2012). Tejet aktuale, fjalët e Papës Benedikti XVI, na kujtojnë se në tokë nuk ka vend për Zotin, nëse nuk ka vend për njeriun: të mos e mirëpresësh njërin, do të thotë të mos mirëpresësh tjetrin. Në vend të kësaj, aty ku ka vend për njeriun, ka vend për Zotin: atëherë një stallë mund të bëhet më e shenjtë se një tempull, e barku i Virgjërës Mari, arka e besëlidhjes së re.
Le të admirojmë, të dashur, urtinë e Krishtlindjes. Në Krishtin fëmijë Zoti i jep botës një jetë të re: jetën e tij, për të gjithë. Jo zgjidhje për çdo problem, por histori dashurie që na angazhon. Përballë pritjeve të njerëzve, dërgon një ferishte, për të qenë fjalë shprese; përballë dhimbjes së të mjerit, dërgon një njeri të pambrojtur, për të qenë forcë e për t’u ngritur përsëri; përballë dhunës dhe shtypjes, ndez një dritë të butë që i ndriçon me shpëtim të gjithë fëmijët e kësaj bote. Siç vrente Shën Augustini, “krenaria njerëzore të ka shtypur aq shumë, sa do të mund të të ngrinte përsëri vetëm përvujtëria hyjnore” (Sermo in Natale Domini 188, III, 3). Po, ndërsa një ekonomi e shtrembëruar na nxit t’i trajtojmë njerëzit si mallra, Zoti bëhet si ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo njeriu. Ndërsa njeriu dëshiron të bëhet Zot për të sunduar të afërmin, Zoti dëshiron të bëhet njeri, për të na çliruar nga çdo skllavëri. A do të jetë e mjaftueshme kjo dashuri për ta ndryshuar historinë tonë?
Përgjigja vjen sapo zgjohemi, si barinjtë, nga një natë e vdekshme, në dritën e jetës së sapolindur, duke soditur Krishtin Fëmijë. Mbi stallën në Betlehem, ku Maria dhe Jozefi, të mbushur me habi, ruajnë të porsalindurin, qielli me yje bëhet “shumicë e ushtrisë qiellore” (Lk 2,13). Ato janë ushtri e paarmatosura dhe çarmatosëse, sepse këndojnë lavdinë e Zotit, paqja e të cilit është manifestim në tokë (krh. vargu 14): në zemrën e Krishtit rreh lidhja që bashkon në dashuri qiellin me tokën, Krijuesin me krijesat.
Prandaj, pikërisht një vit më parë, Papa Françesku pohoi se Lindja e Jezusit rigjallëron tek ne “dhuratën dhe angazhimin për të sjellë shpresën, aty ku ka humbur”, sepse “me Të lulëzon gëzimi, me Të ndryshon jeta, me Të shpresa nuk të zhgënjen” (Homelia në prag të Krishtlindjes, 24 dhjetor 2024). Me këto fjalë filloi Viti Shenjt. Tani që Jubileu po i afrohet përfundimit, Krishtlindja për ne është kohë mirënjohjeje dhe misioni. Mirënjohje për dhuratën që morëm, misioni për ta dëshmuar në botë. Siç këndon Psalmisti: “Shpalleni shpëtimin e tij ditë pas dite. Shpalleni lavdinë e tij ndër kombe, / shpalliani fjalët e tij mbarë popujve”(Ps. 96,2-3).
Motra e vëllezër, kundrimi i Fjalës së mishëruar frymëzon një fjalë të re, të vërtetë në mbarë Kishën: ta shpallim, atëherë, gëzimin e Krishtlindjes, që është festë e fesë, e bamirësisë dhe e shpresës. Është festë e fesë, sepse Zoti bëhet njeri, i lindur nga Virgjëra. Është festë e bamirësisë, sepse dhurata e Birit shëlbues përmbushet në përkushtimin vëllazëror. Është festë e shpresës, sepse Krishti Fëmijë e ndez atë në ne, duke na bërë lajmëtarë të paqes. Me këto virtyte në zemrat tona, pa pasur frikë nga nata, mund ta takojmë agimin e ditës së re.
KOHA JONË SONDAZH

