Papa në mesnatën e Pashkëve në Vatikan foli për tolerancë dhe mirëkuptim
Papa Françesku dha një mesazh shprese gjatë predikimit në meshën e mesnatës të Pashkëve katolike, pas një jave të zymtë që kaploi Europën për shkak të sulmeve të Brukselit, teksa u bëri thirrje të krishterëve të mos lejojnë frikën dhe pesimizmin t’i “burgosin” ata.
Duke folur mes masave të rrepta të sigurisë në Vatikan, Papa u shpreh:
“Nuk duhet të lejojmë errësirën dhe frikën të na shpërqëndrojë e të na kontrollojë zemrat”. Mesazhi i tij u pasua sigurisht me dënimin që iu bëri Ati i Shenjtë sulmeve terroriste të së premtes së kaluar në Bruksel.Dhuna islamike pritet të jetë gjithashtu edhe një temë kyçe në mesazhin tradicional të tij “Urbi et Orbi”, me rastin e Pashkëve.
Shumë pelegrinë anuluan udhëtimet e tyre të planifikuara për në Romë, vetëm për shkak të dhunës në Bruksel, por gjithsesi bazilika e “Shën Pjetrit” në Vatikan ishte e tejmbushur, kur Papa Françesku mbajti meshën pasditën e së shtunës.
Papa hyri në bazilikën e errësuar me vetëm një qiri të ndezur e që e udhëhiqte. Teksa mbërriti në altar, nisën të ndizeshin edhe pajisjet e ndriçimit të bazilikës, diçka që simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit.
Në fjalimin e tij, Ati i Shenjtë shtoi se “kjo e sotma është festë për shpresën tonë dhe është tejet e rëndësishme të ndodhte pikërisht sot”.
Shërbesa e gjatë e vigjiljes përfshinte gjithashtu edhe pagëzimin nga Papa të 12 të rriturve që vinin nga Kina, Korea e Jugut dhe vende të tjera të botës.
Këtë paradite, Papa Françesku do të kryesojë meshën e Pashkëve dhe do të japë bekimin e tij të përvitshëm enkas për këtë ditë feste.
Të premten, ai denoncoi “aktet terroriste të kryera nga ndjekësit e disa feve, që po ofendojnë emrin e Zotit dhe që e përdorin këtë emër të shenjtë për të justifikuar dhunën e tyre të paprecedentë”.
Ndërkohë, zyrtarë të Vatikanit shpërndanë çadra kampingu për 100 njerëz të pastrehë. Prania e policisë nëpër rrugët përreth Vatikanit ka qenë e përforcuar këtë vit, pasi piteshin më shumë pelegrinë sesa zakonisht, pasi Papa Françesku e deklaroi vitin 2016 vit jubilar për Kishën Katolike, e duke e quajtur “Viti i shenjtë i mëshirës”.