Para zgjedhjeve u premtoi legalizim, tani dërgon fadroma. LSI: Rama po tallet!
Në foto: Banorët e Shkozës, gjatë përplasjes me policinë
Rreth 153 familje në Shkozë të Tiranës do të mbeten pa shtëpi. Banorët kanë një javë që janë hedhur në protestë dhe janë përplasur me Policinë e Rendit, pasi Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit u ka dërguar njoftimin për të dalë nga banesat që do shkatërrohen. Në zonën e shtëpive të tyre do të ndërtohet Unaza e Madhe e Tiranës.
Për projekte madhore zbatohet kompensimi i banorëve. Por pa hyrë te detajet sa dhe si do kompensohen banorët, ngjarja në Shkozë është një pasqyrë e asaj që ndodhë me qytetarët para dhe pas zgjedhjeve.
Para zgjedhjeve banorëve ju premtua legalizimi i ndërtesave. Sot Edi Rama deklaroi në Facebook se banesat do të prishen duke mos u dhënë asnjë shpresë më 153 familjeve. “Për Shkozën është shumë e qartë, s’ka asgjë për të kthyer përgjigje: Janë ndërtime pa leje në mes të një rruge kryesore të Tiranës dhe duhet të prishen, ndërkohë që banorëve Bashkia e Tiranës duhet t’u ofrojë bonus qeraje si të pastrehë! Familjet këtë e dinë prej kohësh dhe s’ka asnjë shans as për ta dhe as për askënd tjetër që të legalizohen në mes të rrugëve e pastaj të shpronësohen me paratë e kopshteve, çerdheve, spitaleve, për të hapur rrugën që është e të gjithëve!”,-komenton Rama.
Kryeministri thotë se banorët e dinë prej kohësh që do t’u shkatërrohen banesat. Ndërkohë qytetarët deri sot në drekë kanë ditur tjetër gjë.
Deputetja e PS, Elona Gjebrea, e cila la bërë dhe fushatën elektorale në këtë zonë u ka premtuar zgjidhjen e problemit dhe legalizimin e shpejtë të shtëpive. Në komunikimet që vet deputetja ka publikuar me banorët, rezulton se u ka thënë se do t’i ndihmonte me legalizimin e banesave. Kjo ka ndodhur para fushatës elektorale.
Pasi banorët u përplasën me policinë, tre ditë më parë, Elona Gjebra deklaroi se ishte ngritur një grup ndërinstitucional për zgjidhjen e situatës. Në fakt, duket se çdo gjë ka qenë vetëm propagandë. Pasi Edi Rama sot nxori jashtë loje edhe grupin e punës, edhe premtimin elektoral, por edhe qëndrimin e deputetes së PS që ka marrë votat nga ata banorë. Gjatë fushatës Edi Rama tha se do të legalizohet çdo ndërtim pa leje. Por pasi mori votat, tashmë ndërtimet e tyre i cilësoi të paligjshme dhe duhen shembur.
Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj e sheh këtë qëndrim të Ramës dhe Gjebresë, jo si mungesë rakordimi, por si një tallje të drejtuesve të PS me banorët e zonës. “Ky grupi ndërinstitucional është thjesht fantazi e deputetes së pa mësuar ende me Kryeministrin që nuk do t’ja dijë për qytetarët. Kur u kërkuan votën banorëve të Shkozës nuk e kishin të qartë Rama dhe njerëzit e tij se ndërtimet ishin të paligjshme”,- deklaroi deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj.
Ngjarja e Shkozës është modeli sesi përdoren gjatë fushatës qytetarët duke u dhënë premtime që më pas harrohen. Nëse pronat e tyre duhen shembur do ishte më e ndershme që tu thuhej që në fillim që është e pamundur të mos zbatohet ligji. Shumica e banorëve në atë zonë rezulton se kanë votuar për PS. Është e paimagjinueshme që kanë votuar që nga pronar brenda një dite të ktheheshin në qiraxhinj.
Mesazhi i një prej banorëve të Shkozës, drejtuar Elona Gjerbesë ku i kujton se u ka premtuar legalizimin e banesave:
“Znj.Gjebrea. Kam pasur dhe kam respekt. Jam ai xhaja që po luaja domino te dyqani, te Agushe Gjexovica që foli dhe gruaja ime. Të premtuam votat tona dhe ju më premtuat në mes të gjithëve: ‘xhaxha je i pari që do të marrësh legalizimin’. Mirëpo, dhe tani se kam marrë akoma. Ti e di mirë që unë jam i sëmurë që të informojë edhe gruaja ime me këshilltarin e zonës dhe prapë kam ardhur në Itali për kurim. Kur marr vesh që goca ime që është edhe e sëmurë e shoh të shtrirë në këmbët e policisë që i kishte ikur edhe gjuha. Gjithashtu dhe nipin tim që e merr policia. I thashë vetes dhe e kam mallkuar se kujt ia kam dhënë votën me familjen time deri kur është themeluar partia socialiste. Kjo parti, familjen time po ma gropos. Kur u shemb dyqani te Ali Demi, në tokën time ku më kishin prishur shtëpinë private, që kjo qeveri akoma s’më ka shpërblyer. Vetëm emrin kam për shpërblimin e shtëpisë. I kam bërë gjithë veprimet deri tek banka që do t’i dërgonin, por ende s’kam marrë asgjë. Këtu që kam bërë shtëpinë që ma keni zotuar që, fola më lart dhe kur mësova edhe për gocën Anila Mema që ka komunikuar dhe pashë edhe videot me policinë them që kjo është socialistja dhe nuk kam më besim?! Që kjo qeveri që kam votuar deri ku u themelua dhe prandaj jam i shqetësuar dhe i zhgënjyer. Pres që të bëjnë ndonjë kthesë dhe të ndonjë përgjigje të mirë, Faleminderit!”.