Paralajmërimi i PD: Pushtimit të bashkive nga Rama do i përgjigjemi njëlloj si grabitësve

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka u ka bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë ndaj uzurpimit të bashkive dhe këshillave bashkiak nga PS, njëlloj siç reagojnë ndaj grabitësve që u hyjnë në shtëpi.

Në këto kushte, akti që ka kërkuar të kryejë sot Rama me bandën e tij në Devoll, apo që do të synoje të realizojë dhe në raste të tjera është i njëjtë me atë të grabitësve që hyjnë në shtëpinë e tjetrit për të grabitur. E njëjtë duhet të jetë dhe përgjigja e qytetarëve, si ndaj grabitësit që të ka hyrë në shtëpi për të të dhunuar e grabitur!”,- deklaron Paloka.

Apeli i nënkryetarit të PD paralajmëron përplasje të forta mes qytetarëve që nuk i njohin votimet e 30 qershorit dhe strukturave të qeverisë që po kërkojnë marrjen e drejtimit të gjithë bashkive në vend.

Në një postim në Facebook, Paloka shprehet se kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë të drejtë ligjore të marrë drejtimin e bashkive me një palë votime që nuk janë kryer ligjërisht. Paloka shprehet se qëndrimet e kryeministrit Edi Rama janë kriminale dhe antikushtetuese.

Përshëndetje për qytetaret e Devollit që sot nuk lejuan dhunimin e bashkisë së tyre nga një bandë që kërkon ta uzurpojë! Ky ishte një akt i qartë qytetarie, përballë barbarisë kriminale të bandës që kërkon me këmbëngulje dhe dhunë të çojë deri në fund një proces antiligjor dhe antikushtetues, pjellë e çmendurisë së një kryeministri që ka vendosur ta trajtojë vendin si pronë të tij private dhe shqiptaret si skllevër”,- shkruan Paloka.

Nënkryetari i PD-së shprehet se procesi i 30 qershorit nuk ka asnjë vlerë ligjore dhe qeveria “Rama” duhet të presë vendimin e Gjykata Kushtetuese. “Tanimë jo opozita, por raporti i OSBE-ODIHR e madje dhe deklaratat e atyre që ka qejf ti tundë Rama herë pas here, kanë bërë të qartë se 30 qershori është ligjërisht nul që pas dekretimit nga Presidenti i 13 tetorit dhe këtë mund ta ndryshojë vetëm një vendim i Gjykatës Kushtetuese”,- shkruan nënkryetari i PD.

Paraditen e sotme mbështetësit e Partisë Demokratike dhe LSI kane protestuar para bashkisë Devoll, por edhe në ambientet e brendshme të bashkisë, pas njoftimit për mbajtjen e mbledhjes për konstituimin e këshillit bashkiak. Ndërkohë kreu aktual i bashkisë Bledion Nallbati, është shprehur se zgjedhjet e 30 qershorit ishin në kundërshtim me ligjin dhe ata nuk i njohin. Ai tha se punët po vijojnë normalisht dhe nëse bashkia pushtohet do t’i ndalojnë dhe procedojnë pranë prokurorisë. Nga ana tjetër mbledhja për konstituimin e këshillit bashkiak është organizuar në ambientet e nënprefekturës pasi ambientet e bashkisë vijojnë të mbeten të bllokuara nga simpatizantë të PD dhe LSI. “Mbledhja për konstituimin ishte teatër. Jam në shërbim të qytetarëve. Do jemi derisa të kemi zgjedhje të ligjshme. Nuk do lejojmë bashkë me qytetarët të uzurpohet bashkia. Kushdo kryetar që do zgjidhet nga zgjedhje ligjore le të vijë në bashki. Të tjerët nuk do të lejohen. Mund të ndodhe edhe pushtimi i bashkisë. Do ta mbrojmë bashkinë nga pushtuesit”, deklaroi kryetari i Bashkisë Bledion Nallbati.

SHKARKO APP