Paralajmërohet përjashtimi i Ben Blushit nga Partia Socialiste

Siç po duket Ben Blushit po i bëhen gati letrat për ta përjashtuar nga PS. Ia kanë thënë si me nëntekst dhe fakti që PS dhe grupi parlamentar nuk u distancuan nga ajo çka ndodhi në Elbasan ndaj tij, tregon se Blushi e ka prerë “biletë” për të mos qenë deputet i PS-së. Blushi e sqaroi për mediat se çfarë kishte ndodhur në mbledhjen e grupit. Por pas Blushit i cili pohoi se e kishte akuzuar Edi Ramën për kriminalizimin e PS-së, ka folur për mediat edhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Së pari ai tha se me dyer të mbyllura Blushi nuk ka përmendur emra se në PS ka të kriminalizuar. Edhe njëherë, kësaj radhe para gazetareve ai u mundua të bëjë atë që tha edhe në Elbasan: se Blushi ndryshe flet para kamerave dhe ndryshe me kolegët dhe ministrat.Por kësaj here në mbledhje kishte dëshmitarë që pohojnë se Blushi nuk ka nguruar t’ia përplasë në fytyrë Ramës, madje të flasë edhe me emra.

Ai tha se Blushi në Elbasan ka fyer të pranishmit në sallë, ndërsa parlajmëroi edhe përjashtim të tij nga partia. I pyetur se cili do të jetë fati i Blushit në PS, Balla tha se “secili fatin e vet politik e ka në dorën e vet”.  Në prononcimin  e tij për mediat, Balla nuk u distancua nga incidenti dhe dhuna e Elbasanit, por tha se qëndrimi i Blushit vjen si pasojë e dëshirës për të bërë karrierë në politikë. Më tej Balla foli për një sintoni mes Blushit dhe opozitës.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte pasur fyerje në mbledhjen e grupit, Balla dha këtë përgjigje.

“E thashë që një deptuet i caktuar që sapo merr fjalën e fillon edhe me fyerje sigurisht që është përgjegjësi e secilit prej nesh, konkluzioni ishte i qartë, unë nuk e mora fjalën se është pjesë e një analize pune të përditshme të Asamblesë së PS në Elbasan”, tha Balla.

Pra edhe sot PS, grupi parlamentar dhe kryeministri nuk e dënuan dhunën ndaj deputetit Blushi, dhunë e cila ishte turp për një forcë politike dhe për vetë zbatimin e ligjit. Ben Blushit po ia mbyllin të gjitha dyert e fjalës dhe të mendimit ndryshe në PS. Edhe kështu e kanë përjashtuar nga PS.

SHKARKO APP