Parlamenti, sherr dhe debat për ish-zv/kryeministrin Ahmetaj

Sot parlamenti debaton ashpër për çështjen e imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj, ish-zv/kryeministër i qeverisë Rama.

Deputetët e opozitës insistojnë se duhet që sot të votohet nga parlamenti heqja e imunitetit të Ahmetajt dhe jo të zvarritet qëllimisht nga mazhoranca për të fituar kohë.

SPAK-u ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për të arrestuar ish-zv/kryeministrin, por PS dhe qeveria e vonojnë votimin në parlament.

Ndërkohë Arben Ahmetaj mësohet se ka ikur nga Shqipëria.

Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD zyrtare, foli në parlament me tone të forta kundër kryeministrit Rama se duhet të vijë në parlament për të sqaruar publikun dhe deputetët për këtë aferë korrupsioni qeveritar, pasi të gjitha vendimet e qeverisë kanë kaluar me miratimin e tij. Po kështu, Gazment Bardhi, tha se sot parlamenti të votojë heqjen e imunitetit të deputetit të PS kërkuar nga SPAK.

Sipas Bardhit zvarritja e procesit për arrestimin e Ahmetajt, po bëhet që t’i jepet kohë negociatave mes tij dhe kryeministrit Rama.

“E papranueshme që Rama fshihet pas Rrajës për rastin e Krujës, e Ahmetajt për inceneratorët. Të dyja janë thelbi i qeverisjes së njeriu. Është në të drejtën tonë për të kërkuar të pezullohet seanca plenare dhe të japë llogari për licencën që i ka dhënë deputetit në kundërshtime ligjin që shkatërroi shtëpitë e një fshati të tërë dhe solli atë ngjarje shokuese.

Ka një kërkesë të SPAK për arrestimin e zëvendësit të tij. Nuk është një aferë personale e Ahmetajt, por e Ramës. Prandaj duhet të vijë në seancë të japë llogari, t’i përgjigjet deputetëve dhe opinionit publik. I vetmi në territorin e Shqipërisë që s’ka fol për ngjarjet e rënda. Pezulloni seancën në përputhje me nenin 47 pika 1, ska punë më të rëndësishme se të japë llogari për këto afera” tha Bardhi.

Menjëherë ka ndërhyrë ministrja e shtetit Elisa Spiropali. Ajo tha se “Rama se përdor si armë drejtësinë, hanxhar, as për politikë, s’bën politikë lë institucionet e drejtësisë të bëj punën e tyre.

Drejtësi, jo politikë. Të gjitha garancitë ligjore ne i kemi dhënë. Kemi bërë ndarje nga politika me drejtësinë. Bën gjyqin poltik pa fakte, ne e kemi bërë ndarje Gazi dhe me gjithë respektin që kam për ty, fjalën do e marr sa herë që gjykoj se e drejta këtu po gjykohet. Për Ramën s’ka argument që e bën atë pis në raport me drejtësinë.

Unë uroj që ata të mos kompleksohen por të bëjnë punën e tyre, për këtë e kemi votuar reformën në drejtësi. Hajdutët të shkojnë aty ku e ka vendin meqë bërtiti njëri nga fundi hajduti të kapin hajdutin.”-theksoi Spiropali.

Kryetari demokrat, Sali Berisha, kërkoi në Kuvend, që arratisja e Arben Ahmetajt të ishte në qendër të diskutimeve.

“Mblidhemi në këtë seancë pasi ka ndodhur akti më i turpshëm, më i pashembullt, më i jashtëzakonshëm në historinë e një vendi. Figura e dytë e narkoqeverisë është arratisur.

Ky është raporti juaj me drejtësinë. Ky është akti më i turpshëm. Pasi ka vjedhur dhe vetëm vjedhur, pasi ka mbushur baulet duke vjedhur më të varfrit e Shqipërisë, ia mbath. Kryen aktin më të ulët, më të turpshëm të një hajduti ordiner.

A jeni ju të vetëdijshëm se ç’do të thotë kjo për një zyrtar, për një deputet,për një ministër? Si reagoni në këtë mënyrë?

Unë nuk dua t’u them se jeni Ahmetaj sepse nuk është e lehtë të hedhësh akuzën e fajit kolektiv, por faji kolektiv ekziston në doktrinë, në realitet. Faji kolektiv është në vend që të ndalemi dhe të diskutojmë për këtë ngjarje që tejkalon çdo përmasë, një njeriu që ia servirët shqiptarëve si zëvendësin e Edi Ramës, ikën në mënyrën më të turpshme.

E informuat që të ikte, sepse katër orë para se të vinte njoftimi te parlamenti, ai ishte në Kakavijë. E përcolle ti Damian apo jo atje? Se dikush e përcolli atje.

Çfarë është ky reagim? Ti Taulant Rraja, e informove Xhaferrin të ikte?

Në vend që të dilni këtu kokulur, t’u kërkoni të falur shqiptarëve, a keni ju moral, cipë shtetari, zyrtari, përfaqësuesi. Mbaroi koha, por nuk mbarojnë kurrë krimet e kësaj qeverie,” tha Berisha.

SHKARKO APP