Parlamenti votoi, Kushtetuesja vendos
Parlamenti votoi sot me 104 vota për shkarkimin e Presidentit Meta. Një parlament njëpartiak dhe i urdhëruar nga pushteti votoi në rrjesht, siç ia kërkoi partia në pushtet.
Ky parlament e ka mbaruar misionin e tij, që me 25 prill.
Duhej që votimi të bëhej nga parlamenti i ri që doli nga zgjedhjet e 25 prillit, por siç duket nuk priste koha në Rilindje sepse nuk kishin votat. Me 93 vota në parlament mund të shkarkohet Presidenti, gjë që nuk e arrinte dot PS-ja, në shtator.
Por tani jemi para faktit të kryer, 104 vota shkuan për shkarkim.
Tashmë do të jetë gjykata kushtetuese e cila duhet të vendosë. Ajo sot ka 7 anëtarë, nga ku për ta shkarkuar duhen minimumi 5 veta. Nëse del fjala vjen 4 me 3, siç janë parashikimet e analistëve, Presidenti nuk shkarkohet.
Por lindin disa pikëpyetje. Brenda 5 ditëve nga sot, parlamenti duhet ta çojë në Kushtetuese vendimin e Kuvendit të sotëm. Nga ai moment Gjykata Kushtetuese mund të nxitojë ta shqyrtojë me nxitim. Por nxitimi që të mblidhet gjykata kushtetuese brenda muajit qershor apo korrik sjellë dy aludime; i pari dhe më i mundshmi që vota në këtë gjykatë ndahen 4 me 3, çka nuk shkarkohet. Varianti i dytë, sipas disa analistëve të tjerë, tregon se pushteti pra Edi Rama dhe disa të huaj do bëjnë presion mbi kushtetuesen në forma “moderne” që ta shkarkojnë dhe ti hapet udha një presidenti të ri në shtator duke bërë pazar me PD.
Kështu, sipas tyre, nxitimi që të futet në qershor apo korrik në seancë gjykimi do krijojë gjithsesi me shumë mundësi se Presidenti mbetet në detyrë, pra humbet parlamenti dhe pushteti. Nëse shkon përtej shtatorit, kjo lidhet me pasigurinë e tre votave në kushtetuese, e ndaj PS dhe pushteti duan ta zgjasin procedurën, pasi synojnë që të zgjedhin edhe 2 anëtarë të tjerë në kushtetuese, mëqënëse numri 9 akoma nuk është plotësuar në këtë gjykatë.
Pra sigurojnë në shtator-tetor numrin kushtetues që ta shkarkojnë. Por ka edhe informacione se këtë vendim të Kuvendit, Presidenti Meta do ta nis urgjent në komisionin e Venecias, gjë që mund të sjellë komplikacione për PS dhe qeverinë.