Partia politike Gjergj Bojaxhi, partia nr.2 e Edi Ramës nga e djathta?

Pak ditë më parë, Gjergj Bojaxhi, ish-kandidat për Kryetar Bashkie në Tiranë prezantoi nismën për krijimin e një partie të re politike. Një forcë politike, që siç thotë vetë ideuesi i saj do të sjellë model të ri në politikë. Por  dalja në skenë e kandidatit për Tiranën, në media është komentuar si një zhvillim i paqartë, pasi që prej vitit 2004 asnjë parti e re nuk ka arritur të jetë faktor në situatën politike shqiptare. Mediat e ndryshme kanë spekuluar se, pas idesë së partisë së re fshihen interesa të partive të madha, që me hyrjen në lojë të partive që kanë drejtues intelektualë si Gjergj Bojaxhi, synojnë të dëmtojnë forcat e tjera politike. Konkretisht, një media online si opozita.com në rubrikën e saj “Dosja IMEI” paraqiste dje një komunikim mes Kryeministrit Edi Rama dhe Gjergj Bojaxhi. Teksti i bisedave të cilën “Koha Jonë” po e boton të plotë flet për pazare dhe financimin e partisë së re të Bojaxhiut nga Kryeministri Edi Rama, ku sipas tyre, ka si qëllim goditjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Gazeta kontaktoi dje me Drejtorin e Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga për të sqaruar vërtetësinë e kësaj bisede të botuar. Drejtori i Komunikimit dhe këshilltari i Kryeministrit, Endri Fuga u shpreh se, gjithçka është një mashtrim dhe nuk ka asnjë të vërtetë. Gjithashtu, gazeta kërkoi dhe një reagim nga vetë, Gjergj Bojaxhi, por kryetari i partisë së re nuk pranoi të jepte asnjë prononcim lidhur me zërat mediatikë për financimin e partisë së tij nga Kryeministri Edi Rama. Në të vërtetë zoti Bojaxhi mund të jetë i zënë me punët e tij dhe është normale, porse kur ka një akuzë të tillë, të rëndë, që sikur ai financohet nga njerëzit e Kryeministrit Rama që të krijojë një parti të re politike, me gjasëm nga e djathta e pak si në qendër. Një intelektual si ai mund të harxhonte dy rreshta edhe SMS për të thënë “jo, nuk ka asgjë të vërtetë në ato SMS!”. Kur hesht, njerëzit kanë të drejtë të hamendësojnë edhe këto SMS, ndonëse personalisht më duken të pasakta.

Por Edi Rama ka pasur dikur një këngë “gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!”, ndaj edhe mundet të zënë vend si të vërteta, kur as nuk begenis të kthesh përgjigje medias, e cila e nisur nga dëshira e mirë, të hap faqet për të thënë mendimin tënd. Endri Fuga u tregua korrekt dhe menjëherë foli e tha se mbetet, sipas tij, një mashtrim total. Ndërsa Gjergj Bojaxhi që thuhet se po krijon këtë parti të re politike, ku akuzohet se financohet nga Edi Rama, duhej të fliste.

Gjithsesi, mbetet një e drejtë e tij, edhe heshtja. Kur të dojë derën e ka të hapur për të thënë të vërtetën, sipas tij.

Qamil Xhani

SHKARKO APP