Partia e re “Bindja Demokratike” si shpëtim për kryeministrin Rama

Deputetët renegatë të Partisë Demokratike që pranuan mandatin, pas krijimit të grupit parlamentar, janë drejt krijimit të një partie të re politike. Një takim i zhvilluar dje mes Rudina Hajdarit dhe disa ligjvënësve të tjerë që kanë dalë nga stoli i listave rezervë ka shërbyer dhe si prezantim i emrit të partisë. Subjekti i ri politik, i cili pritet të regjistrohet në gjykatë gjatë orëve të natës do të quhet “Bindja Demokratike”. Pjesë e këtij formacioni të ri, edhe pse akoma jo zyrtarisht, thuhet se do të jenë dhe ish-drejtues të PD që nuk kanë pasur raporte normale me Lulzim Bashën. Një prej emrave më të përmendur është Astrit Patozi, por ky i fundit dje nuk ka qenë pjesë e takimit të Rudina Hajdari. Me shpalljen e një subjekti politik, Rudina Hajdari dhe deputetët e tjerë, thuajse të panjohur, janë drejt realizimit të projektit për të hyrë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në historinë politike të Shqipërisë, partia “Bindja Demokratike” është një tjetër emër mes më shumë se 150 subjekteve politike të regjistruar në Gjykatën e Tiranës. Ndërsa në historinë e PD-së, “Bindja Demokratike” shkon me bindje drejt fatit të PDr, PAD  dhe partive të tjera që linden gjithë bujë dhe sot kanë humbur pa nam dhe nishan.  Shtimi i një sigle mes qindra të tjerëve është shenjë se pluralizmi funksionon, të paktën në parim. Por në rastin e “BD” dhe lëvizjes së deputetëve që akuzohen zyrtarisht nga opozita reale si “të shitur” të qeveria, një parti e re ngre jo pak pikëpyetje dhe dyshime të forta për një lojë jo të ndershme politike e cila ka sinjale të forta se është krijuar direkt nga Kryeministri Rama. Një parti e re, në krizën aktuale ku ndodhet vendi dhe për mënyrën sesi po formohet ajo, duket se një lëvizje që më shumë se demokracisë së vendit i shërben kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Pakkush beson se partia e re, në pak se dy muaj do të kthehet në alternativë politike ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Në kaq pak javë nga zgjedhjet, drejtuesve të saj nuk u del koha të themelojnë as degën e Tiranës dhe jo më të shkojnë në gjithë vendin. Po ashtu, është naive të besohet se një parti e tillë do të ketë program, kandidatë apo elektorat kur as vetë themeluesit nuk njihen nga elektorati i djathtë. Kushdo që e sheh si serioz një projekt të tillë politikë tregon se nuk e njeh as historinë politike të 30 viteve dhe as realitetin elektoral në vend. Kjo duket hapur si një partizë e PS e cila i shërben Edi Ramës për të gjetur shtigje shpëtimi nga protestat popullore si dhe për të futur sherrin brenda PD-së. Ky është projekti i Edi Ramës që me këtë lëvizje naive politike të legjitimojë zgjedhjet e 30 qershorit dhe njëkohësisht dhe pushtetin e tij politik. Kryeministrit dhe PS nuk i intereson pesha elektorale e kësaj partie dhe as çfarë thonë, mjafton të krijojnë idenë se po futen demokratët. Ramës dhe Qeverisë sot i duhet vetëm një logo partie dhe ndonjë deputet anonim që thotë se përfaqëson opozitën për të hyrë në zgjedhje dhe për të dëmtuar opozitën reale. Kjo është një diktaturë e cila po instalohet në vend dhe për fasadë iu duhet BD.

Për të realizuar këtë projekt, qeveria është vënë në lëvizje duke mbledhur gjithë delirantët anonimë që kanë marrë mandatet dhe po u krijon kushtet e nevojshme për t’u dukur sikur janë faktorë politikë. Si fillim, lejoi ngritjen e grupit parlamentar, në shkelje të plotë të Rregullores së Kuvendit. Ndërsa tani po sponsorizon ngritjen e një partie duke krijuar opozitën false dhe duke bindur edhe ndonjë ndërkombëtar se këta njerëz janë opozita “e vërtetë”. E verteta mbetet se qeveria dhe PS-ja po hedh miliona euro për të legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit me parti të ngjizura nga zyra e kryeministrit të PS.

Në krizën më të rëndë politike të vendit, shpallja e një partie të re me logo dhe simbole të vjedhura nga PD, nuk është pluralizëm, por maskaradë politike. Teksa opozita reale ka hyrë në një betejë “për jetë a vdekje”, siç thonë drejtuesit e saj, partitë e reja janë vetëm shtojca të pushtetit.

Nëse i referohemi historisë së këtyre 28 vitëve, kur Edi Rama dështoi për t’u futur në kryesinë e PD-së në vitin 1991, ai inicoi krijimin e një partie me emrin Kristian-Islamike që të çante opozitën e parë demokratike por sapo dështoi, ai hodhi nëpër kafen e QNK-së idenë për një parti “Bindja Demokratike”, të cilën duket se e krijoi dje me deputetët e PD-së ose siç quhen “tradhtarët”  e së djathtës.

SHKARKO APP