Pas një kafe mbrëmë në Vuno, zbathur dhe pa roje, Edi Rama sot poston nga Vjosa e turistëve

Edi Rama shquhet për origjinalitetin e tij të veshjes, ecjes dhe daljes në publik. Pa komplekse dhe hamendësira mileti, ai, edhe mbrëmë ka dalë në kembë, zbathur në Vuno, fshatin e tij të zemrës, dhe ka pirë kafe. Mes njerëzve.

Ashtu është ai, pa komplekse dhe bëhet lajm edhe kur nuk do ta shkruash!

Kundërshtarët e tij politikë e sulmojnë se stis skena për të qenë lajm. Natyrisht që ai në politikë është, çdo gjë e kontrollon, por në thelb ai ashtu mbetet, Edi!

Edhe kur punonte dhe vinte në redaksinë e gazetës KOHA JONE, dikur, ndër vitet 1992-1997,  ky Ed ishte. Vishej si donte, hokatar me këdo në redaksi, dhe kur bëhej me Dritëro Agollin, Teodor Kekon, Bujar Xhaferin, Dash Pezën, Azem Hajdarin, Blendi Gonxhen, etj te kafja  e vogël e “KOHA JONE”, plasnin batutat dhe e qeshura. Edhe asokohe vishej në menyrën e tij, habi për kohën.

Ky është Edi, e duan apo jo, e votojnë apo ia grisin emrin. Ai nuk stiset. Eshtë po ai, që kemi njohur.

Mbaj mend një herë me vjen Dori i vogël (Teodor Keko) që e kishim me Sandrin drejtor të gazetës AKS (gazetë e artit dhe kulturës) dhe me thotë:

-Ore Niko! E di ç’na ka bërë Edi mbrëmë me AKS-in?!

-JO!

Ndërhyn Andi Bejtja, kryeredaktor i AKS.

-I lamë gazetën gati për në shtypshkronjë dhe vetëm ta ndiqte deri në botim. Ne ikëm të ftuar te ambasada franceze.- tha Bejtja.

-E pastaj, thashë?

-Shikoje faqen e parë të AKS-it!- ndërhyri Dori me Bejtjen. Unë nuk e dija se ç’kishin vendosur ata për botim, sepse merresha me te madhen “KOHA JONE”.

-Ja pra, ka futur foton e tij me këtë piktur me mullar rrobash të piktuar nga Edi- u ankuan të dy.

Qeshëm. Në drekë vijnë gazetashitësit dhe kërkonin “a ka ma gazetë AKS se e kanë ble sot të gjithën”.

/Spiten Prulli/

SHKARKO APP