Paskan të drejtë Vllahutin dhe Lu

Këto muaj pritet që institucionet e reja të drejtësisë të nisin procesin e Vettingut për pasuritë dhe aftësitë profesionale të njerëzve të drejtësisë. Miratimi i një reforme të tillë kaloi me shumë debate dhe qëndrime të forta të politikës, njerëzve të drejtësisë dhe ndërkombëtarëve që janë investuar si asnjëherë tjetër në këtë proces. Pati jo pak keqkuptime për qëllimin e Vettingut, akuza ndaj prokurorëve e gjyqtarëve dhe insinuata për kontrollin e ri të sistemit juridik. Një pjesë e këtyre sulmeve që vinin dhe nga ambasadorët e rëndësishëm, krijuan jo pak habi në opinionin publik. U duk si një ekzagjerim me termin korrupsion, sidomos në rastin e juristëve.

Në media këto ditë kanë nisur të publikohen pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gazeta “Koha Jonë” ka siguruar gjithë deklarimet zyrtare të pasurive të prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjithë vendin. Janë deklarimet e nënshkruara nga çdo punonjës i sistemit të drejtësisë, që kur ka nisur të zbatohet ligji i kontrollit të pasurive. Dokumentet do të publikohen në ditët në vijim në gazetë, ashtu siç vetë juristët i kanë dorëzuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Pa u ndalur në emra të përveçëm, ajo që bie në sy në dokumentet e njerëzve të drejtësisë është pasurimi i shpejt brenda pak vitesh.

Rezultojnë se prokurorë dhe gjyqtarë që kur e kanë nisur profesionin jetonin në banesë me qira, por pas disa viteve punë jo vetëm kanë blerë shtëpi mbi 150 metra katrorë, por kanë edhe disa apartamente që i kanë lëshuar me qera. Kanë prona të mëdha, pasuri të cilat nuk justifikohen me pagat e tyre.

Nga ana tjetër, ka prokurorë dhe gjyqtarë që në vitin e parë të punës deklarojnë si të ardhura vetëm  pagën e tyre dhe të bashkëshortes dhe pas disa vitesh kanë më shumë se 3 llogari bankare dhe prona të ndryshme.

Fenomeni tjetër që bie më shumë në sy te pasuritë e njerëzve të drejtësisë është dhurimi i pronave dhe dhënia hua e lekëve. Në bazë të dokumenteve që kanë firmosur, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kenë familjarët më bujarë në gjithë Shqipërinë. Një prokurori i fal gjyshja mijëra euro. Një gjyqtari, babai i jep 100 mijë euro për të ndërtuar një biznes. Ndërsa një tjetri “kushëriri i shtatë” i ka dhënë dhe 200 mijë euro! Pothuaj gjithë familjarët e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë aq të pasur sa u japin falas tokë, truall ndërtimi apo u dhurojnë dhe apartamente banimi në Tiranë dhe në bregdet. Kjo është kriminale, më e pakta që mund të thuhet.

Përveç llogarive bankare dhe pronave, njerëzit e drejtësisë rezultojnë dhe me shpenzime luksoze për automjete. Kështu ka gjyqtarë dhe prokurorë që deklarojnë blerjen e makinave nga 60 mijë euro, për vete ose për bashkëshorten. Ndërsa ka të tjerë që pas futjes në sistemin e drejtësisë ka filluar dhe u ka ecur mirë biznesi. Ka jo pak njerëz të sistemit të drejtësisë që rezultojnë me hotele, lokale dhe biznese të ndryshme që përdoren nga familjarët e afërt.

Sigurisht jo të gjithë gjyqtarët dhe prokurorëve rezultojnë me pasuri. Ka mes tyre  zyrtarë korrekt që kanë si të ardhura vetëm pagën që marrin nga shteti. Por milionat e eurove që gjenden në llogaritë e pjesës tjetër duket se e bën pis gjithë sistemin. Teksa sheh pasuri pa fund, para, euro, prona, biznese kupton se korrupsioni ka arritur në atë pikë sa dhe vetë njerëzit e drejtësisë nuk e fshehin më. Gjithë milionat që deklarojnë më vetëdije duken si një sfidë ndaj shoqërisë. Prej dy vitesh ambasadori i SHBA, Donald Lu dhe Ambasadorja e BE, Romana Vllahutin kanë folur për gjyqtarë që nuk meritojnë të jenë më pjesë e sistemit të drejtësisë. Kur sheh listën e pa fund të pronave dhe llogarive bankare, e kupton se ambasadorët Vllahutin dhe Lu kanë pasur të drejtë.

Bile jo vetëm përjashtuar nga drejtësia, por edhe sekuestruar pasuria. Edhe penalizuar me burg.

S. Prulli

SHKARKO APP