Patozi: Basha, një eksperiment i dështuar në PD. Përgjegjës është dhe Berisha
Deputetit i PD-së, Astrit Patozi i ftuar në studiot e ‘Abc News’, ka deklaruar Partia Demokratike ka nevojë për një drejtim të ri për tu rikthyer sërish si një forcë fituese. Sipas tij, Lulzim Basha ishte një eksperiment i dështuar në drejtimin e partisë. Sipas tij, prova për këtë janë zgjedhjet e 25 qershorit, ku PD humbi thellë. Më tej Patozi theksoi se listat e Lulzim Bashës për deputetë ishin lista familjare dhe klienteliste. Rezultati i 25 qershorit për PD-në nuk është i papritur tha Patozi, por reflekton atë që ka ndodhur për gjithë këto kohë në PD.
Për herë të parë Patozi ka kritikuar dhe vendimin e Sali Berishës për t’ja dhënë drejtimin e partisë në vitin 2013, Lulzim Bashës. “Ishte gabimi i Berishës dhe imi që besuam se ky do të na çonte përpara”,- tha Patozi.
“Zoti Basha nuk pranoi asnjë nga kërkesat e mia dhe prishi në mënyrë arrogante gjithçka që kishim vendosur midis nesh. Zoti Basha ishte i vendosur mos t’i linte kohë demokratëve të reflektonin. Zoti Basha nuk deshi garë dhe sot PD po përjeton një drame të dytë. Jam këtu të ftoj çdo demokrat që beson te liria e votës dhe legjitimiteti i demokracisë… Unë nuk e pranoj dot që kryetari i patisë time të përcaktohet si fatkeqësi natyrore.Lulzim Basha ta dinë të gjithë shqiptarët është një gabim njerëzor pjesë e të cilit jam edhe unë po sigurisht me një peshë të caktuar. Ishte gabimi i Berishës dhe imi që besuam se ky do të na çonte përpara. Ftoj të gjithë demokratët të mendojnë si unë sepse ishte një gabim njerëzor”,- tha Patozi.
Patozi e sheh Berishën edhe si personin që me mosveprimet e tij ka ndikuar në humbjen e PD. “Shkaktari i humbjes nuk mund të jetë më prijësi i shpresës për fitore. Po të isha si ai do e kisha problem të qëndroja edhe si anëtar i Partisë Demokratike. Duhet të bënte gjestin minimal për të marrë përgjegjësitë mbi humbjen. Berisha është shkaktar që me veprimet ose mos veprimet e veta i dha mundësi Bashës të na çojë në këtë gjendje. Kam bindjen se faktorë të rëndësishëm kanë rolin e tyre dhe i ftoj që të thonë fjalën e tyre. Nuk kam gjë personale me Bashën, por për mua Basha është një eksperimet i dështuar dhe këtë e kam parë me sy para një jave”,- tha Patozi.
Lidhur me garën brenda Partisë Demokratike, Patozi tha se ai është një kandidat në momentin që do të ketë garë normale. Deputeti i PD-së shtoi se procesin që po ndodh këto ditë në PD me zgjedhjen e kryetarit nuk e njeh. Sipas tij e gjithë kjo që po ndodh në PD, është një fasë elektorale.
Ndërsa ka shtuar se Selami është në këtë garë thjeshtë për të legjitimuar zgjedhjet në PD. ‘Në çastin kur do hapet sipari i garës unë jam në garë. Në PD është nisur të instalohet një farsë elektorale. Për më tepër nuk mund të vinte në këtë moment që ne patëm një humbje shkatërruese.
Unë jam gati të dal përballë Lulzim Bashës. Jam gati të garoj. Është problemi i Lulzim Bashës, që për shkak të këtij formulari unë nuk jam pjesë e garës. Unë jam në garë. Nëse do të ketë garë. Ajo është garë me një kandidatit dhe me një tjetër që shërben për të legjitimuar garën, sepse nuk ka asnjë vlerë’, deklaroi Patozi.
Deklaratat e Patozit vijnë pas vendimeve të Kryesisë së PD-së e cila legjitimoi një garë elektorale mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit.