Pavarësia e SHBA. Meta uron kreun e senatit dhe kreun e kongresit amerikan
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka uruar përfaqësuesit e senatit dhe kongresit të SHBA-së me rastin e festës së pavarësisë së Amerikës.
Kryeparlamentari i ka dërguar një mesazh urimi Kryetarit të Senatit të SHBA, Mike Prence dhe Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Paul Ryan, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në letrën e tij, Meta i shpreh Mike Pence urimet më të sinqerta për 241 vjetorin e Ditës së Pavarësisë dhe shpreh bindjen se lidhja e shkëlqyer strategjike, partneriteti midis dy vendeve tona si dhe bashkëpunimi brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut për t’u përballur me sfidat e reja globale, do të rritet më tej në të ardhmen.
Në mesazhin e tij për kreun e senatit, Meta vlerëson mbështetjen e fortë që SHBA i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë. “Jemi mirënjohës për mbështetjen e fortë dhe të sinqertë që na është dhënë përgjatë gjithë historisë. Jam i bindur se lidhja e shkëlqyeshme strategjike dhe partneriteti midis dy vendeve tona, si dhe bashkëpunimi brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut për t’u përballur me sfidat e reja globale, do të rritet më tej në të ardhmen”,- shprehet Meta.
Gjithashtu, kreu i Parlamentit shqiptar u dërgon ftesë zyrtare të dy personaliteteve të larta të politikës amerikane për të vizituar Shqipërinë.
Më poshtë tekstet e plota të letrave:
Drejtuar: H.E.Mr. Mike PENCE
Kryetar i Senatit të Shteteve të Bashkuara
WASHINGTON DC
I nderuar Z. Kryetar,
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim, ju shpreh urimet më të sinqerta për 241 vjetorin e Ditës së Pavarësisë.
Me rastin e kësaj dite të bukur dhe domethënëse kombëtare, i urojmë të gjithë amerikanëve në mbarë botën çdo sukses, paqe dhe unitet.
Jemi mirënjohës për mbështetjen e fortë dhe të sinqertë që na është dhënë përgjatë gjithë historisë. Jam i bindur se lidhja e shkëlqyeshme strategjike dhe partneriteti midis dy vendeve tona, si dhe bashkëpunimi brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut për t’u përballur me sfidat e reja globale, do të rritet më tej në të ardhmen.
Përfitoj nga ky rast, të rinovoj ftesën time për ju për të vizituar Shqipërinë në një kohë më të përshtatshme për ju. Ju lutem pranoni urimet e mia të përzemërta për sukses në detyrën Tuaj të rëndësishme dhe sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Letra për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Paul Ryan
Drejtuar: SH.T.Z. Paul RYAN
Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve
WASHINGTON DC
I nderuar Kryetar,
Në emër të Parlamentit Shqiptar dhe në emrin tim, dëshiroj t’ju përgëzoj për 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa festoni këtë ditë të veçantë në mbarë vendin, ju uroj juve dhe kombit amerikan sukses dhe prosperitet . Kjo nuk është një ditë e shënuar vetëm për SHBA-në, por për të gjithë botën, pasi etërit tuaj themelues kanë themeluar vendin më demokratik në botë.
Shqipëria dhe populli shqiptar janë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që vendi juaj na ka dhënë gjatë gjithë historisë. Kam besim se marrëdhëniet e shkëlqyera dhe unike, partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi si anëtarë të NATO-s do të vazhdojnë të forcohen dhe të zhvillohen më tej.
Përfitoj nga ky rast, të rinovoj ftesën time për Ju për të vizituar Shqipërinë në një kohë më të përshtatshme për Ju.
Ju lutem pranoni urimet e mia të përzemërta për sukses në detyrën Tuaj të rëndësishme dhe sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt
Ilir META