Fronti kombëtar opozitar/Pazari Rama-Basha mban peng Partinë Demokratike
Zgjedhjet e 25 qershorit, pavarësisht kontestimeve dhe ankesave për manipulime, kanë prodhuar një rezultat. Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama kanë fituar mandatin për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme. Mënyra sesi do të qeverisë PS-ja nuk varet vetëm nga partia në pushtet, por nga qëndrimi që do të mbajë opozita e re e vendit. Opozita ka në dorë të kryej rolin e saj kontrollues të pushtetit duke mbajtur qeverinë në shinat e ligjshmërisë, ose mund ta thellojë dhe më shumë problemet e vendit duke flirtuar me pushtetin, siç ka ndodhur jo pak herë më parë.
Pas shumë vitesh një parti e vetme do të kenë në dorë gjithë pushtetin politik dhe ekzekutiv në vend. Në demokracinë e brishte shqiptare kaq shumë pushtet mund të prodhojë probleme në funksionimin e institucioneve. E vetmja garanci është opozita. Pas zgjedhjeve, Lëvizja Socialiste për Integrim ka përkrahur idenë e krijimit të një fronit opozitar të madh në vend. Një front ku do të përfshihet PD, LSI-ja, LIBRA, PDIU dhe kushdo prej forcave të tjera politike që nuk e sheh veten te qeverisja e Partisë Socialiste.
Në mbledhjen e parë të Kryesisë së LSI-së, kryetarja Monika Kryemadhi bëri një ftesë zyrtare drejtuar të gjitha partive opozitare për krijimin e një aleance që ajo quajti Fronti Kombëtar Opozitar. “Demokracia në vend sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozite më të fuqishme se asnjëherë tjetër. Fatet e demokracisë janë më në udhëkryq se asnjëherë tjetër, dhe kjo kërkon krijimin e një fronti kombëtar opozitar”,- shpreh Kryemadhi. Deklarata është një ftesë e hapur për Partinë Demokratike, ndërkohë që partia LIBA e Ben Blushit dhe forca të tjera politike e kanë cilësuar si emergjente krijimin e një opozite të bashkuara.
Ajo që mungon në apelin për krijimin e një opozite të re është Partia Demokratike, e cila është dhe forca me e madhe opozitare numerikisht. Në deklaratat e kreut të saj në detyrë, Luzlim Basha nuk ka asnjë qëndrim të qartë se si do të zhvillohet opozita e re e Partisë Demokratike. Ideja e opozitës së pas 25 qershorit dhe mënyra sesi do të sillet PD-ja ndaj partive të tjera kundër qeverisë mungon dhe në fjalorin e Eduard Selamit. Në PD flitet vetëm për demokratët dhe për fatin e drejtuesve të partisë dhe harrohet se një opozitë nuk është vetëm një parti, por një pjesë e mirë e shqiptarëve. Gjithë sherri është fokusuar tek njerëzit pro Bashës dhe ata kundër Bashës, ndërkohë që në platformat e drejtuesve të PD-së nuk përcaktohet se si kanë menduar të ndërtojnë aksionin politik kundër qeverisë së Partisë Socialiste. Një heshtje e tillë politikisht duket e gabuar. Nëse llogariten votuesit e PD, LSI, LIBRA dhe partive të tjera, si dhe qytetarët që nuk kanë marrë pjesë në votime, rezulton se kampi opozitar është shumica numerike jo në Parlament, por në radhët e shqiptarëve. Një opozitë e tillë nuk e ka luksin të qëndrojë e ndarë kur ka në krah shumicën e qytetarëve.
Kjo heshtje e PD zyrtare dhe Bashës shpjegohet vetëm me marrëveshjen e datës 18 maj mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Detajet e këtij pakti që u quajt nga të gjithë si pazar edhe sot nuk janë bërë publike për opinionin. Ajo që dihet është se Basha doli më i humburi në këtë marrëveshje dhe i solli PD-së humbjen më të rëndë në historinë e saj. Ideja e një bashkëqeverisje PS-PD e shoqëroi këtë marrëveshje që në ditën e parë të firmosje së saj. Edhe pse Basha e kuptoi pas zgjedhjeve se kjo ide e dëmtoi më shumë se çdo gjë tjetër partinë që rejton, ai ende nuk e hedhur poshtë këtë marrëveshje. Përveç se i solli humbjen, pazari mes Bashës dhe Ramës po mban peng edhe opozitën e re të PD. LSI dhe LIBRA duket se e kanë bërë zgjedhjen për qëndrimet që do të mbajnë ndaj Ramës dhe PD. PD-ja dhe Basha ende janë të lëkundur dhe ky është dëmi tjetër i madh që po i bëjnë PD-së pas humbjes së zgjedhjeve.