PD bllokon nesër Parlamentin.”Ligjet për dekriminalizimin ose grushta!”
PD-ja ka vendosur që ditën e enjte në sallën e parlamentit të mos lejojë në mënyrë kategorike që të ketë rend dite tjetër përveçse diskutimit dhe miratimit të ligjeve për zbatimin e marrëveshjes së dekriminalizimit të politikës e administratës, pasi sipas selisë blu Edi Rama po i vonon kastile këto ligje. Lulzim Basha mësohet se ka kërkuar sot nga grupi parlamentar demokrat, por edhe nga deputetët e partive opozitare që nëse seanca e nesërme fillon me rend dite tjetër atëhere të bllokohet parlamenti dhe gjithçka mund të kalojë në kaos në sallën e Kuvendit.
Ilir Meta nesër nuk do të jetë në seancë pasi ndodhet në vizitë zyrtare në Danimarkë i ftuar nga homologia e tij daneze. Ndaj Shpetim Idrizi do të drejtojë seancën më problematike të këtij viti. Në të vertetë nga viti i kaluar kur është miratuar në unanimitet marrëveshja politike në parlament për dekriminalizimin e politikës dhe administratës asnjë projektligj konkret nuk është sjellë në komisione parlamentare nga qeveria.
Nisur nga rikthimi në parlament i deputetit Armando Prenga pas ngjarjeve në Laç, selia blu ka rritur kritikat ndaj Edi Ramës se ,sipas tyre, po bllokon ligjet për këtë çështje të rëndësishme.
Skenari për nesër duket se do të jetë që në fillim të seancës. Nëse drejtuesi i Kuvendit nuk fillon dhe nuk e drejton seancën për të filluar diskutimi për ligjet e dekriminalizimit atëhere të gjithë deputetët e opozitës do të dalin të bllokojnë podiumin e qeverisë dhe foltoren e Kuvendit. Nëse deputetët e PS-së dalin për të larguar deputetët e PD-së atëhere selia blu ka planin “B”, të cilin nuk e tregojnë porse e thonë nën zë se “Nuk është gjë parlamenti i Kosovës, ajo që mund të ndodhë në Kuvendin tonë!”- tha një deputet i PD-së.
Për nesër Garda do të jetë e shtuar në numër, kurse përreth sallës së Kuvendit do të ketë edhe polici kriminale për çdo rast.