PD: Ministrja të tregojë me kë flet nga qelia vrasësi i policëve, Dritan Dajti?

Partia Demokratike reagoi sot për uljen e dënimit të Dritan Dajtit të akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë. Në një deklaratë për mediat, PD shprehet se pasi siguruan lirimin e Dajtit, Edi Rama dhe ministria e Drejtësisë po tallen me shqiptarët duke kërkuar hetim për gjyqtarët që dhanë vendimin.

PD i referohet padisë së bërë sot nga ministrja Etilda Gjonaj, e cila u shpreh se ndaj gjyqtarëve, sipas ligjit, ka nisur hetimit për vendimin.

Por sipas PD, ligjet shqiptare aktuale nuk parashikojnë asnjë procedurë për hetimin gjyqtarëve. PD thotë se ministrja e Drejtësisë ka nisur procedim, me një ligj që është i shfuqizuar dhe për pasojë nuk ka asnjë vlerë juridike padia e bërë nga qeveria. “Etilda Gjonaj e di shumë mirë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet nga 101 deri në 104 të ligjit për statusin e gjyqtarit, nene të cilat parashikonin shkeljet disiplinore. Etilda Gjonaj e di shumë mirë se prej më shumë se dy vjetësh, Edi Rama ka urdhëruar bllokimin e çdo akti që plotëson boshllëkun e krijuar”,- thuhet në reagimin e PD.

Duke e cilësuar si tallje këtë qëndrim të mazhorancës, PD akuzon direkt kreun e qeverisë Edi Rama se ka ndërhyrë për uljen e dënimit të personit që vrau katër policë.

PD lë të kuptohet se Dirtan Dajti i ka bërë shantazhe përfaqësuesve të qeverisë, si dhe dikush nga radhët e mazhorancës ka dalë garantë për lirimin e tij.

Për këtë qëllim, PD i ka drejtuar disa pyetje publike ministres Gjonaj lidhur me Dritan Dajtin.

Në vend të propagandës së neveritshme dhe mashtrimit të pacipë të opinionit publik, Ministrja e Drejtësisë ka për detyrë të mos heshtë, por t’u thotë shqiptarëve:

  • Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti?
  • Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës?
  • Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?”,- thuhet në reagimin e PD.

Vendimi për lirimin e Dritan Dajtit u dha ditën e premte, ndërkohë që mazhoranca vetëm dje reagoi duke sulmuar gjyqtarët që firmosën heqjen e dënimit me burg të përjetshëm. Reagimi i qeverisë ishte i vonuar, por edhe i sforcuar, pasi më herë ishin ndërkombëtarët dhe Presidenti i Republikës që kërkuan nga institucionet të marrin masa, duke e cilësuar të paprecedentë uljen e dënimit për vrasësin e katër policëve.

Reagim i Partisë Demokratike:

“Qeveria vazhdoi talljen e pacipë dhe të pamëshirshme me 4 Dëshmorët e Atdheut, të vrarë në krye të detyrës nga krimineli Dritan Dajti, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, se vendimi në favor të Dritan Dajtit është prodhim i Edi Ramës.

Është në detyrën e Partisë Demokratike të informojë opinionin publik se parashikimet ligjore për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që citoi sot Ministrja e Drejtësisë, nuk ekzistojnë.

Etilda Gjonaj e di shumë mirë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet nga 101 deri në 104 të ligjit për statusin e gjyqtarit, nene të cilat parashikonin shkeljet disiplinore. Etilda Gjonaj e di shumë mirë se prej më shumë se dy vjetësh, Edi Rama ka urdhëruar bllokimin e çdo akti që plotëson boshllëkun e krijuar.

Partia Demokratike ka paraqitur në Kuvend që në shkurt 2018 propozimet për nenet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese, por ato vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe Shqipëria vazhdon të mos ketë një ligj për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve.

Kërkesa e Ministres së Drejtësisë për procedim disiplinore të gjyqtarëve, në kushtet kur mungon ligji për shkeljen disiplinore, është tallje me shqiptarët dhe një teatër kriminal që nuk ndryshon dot faktin se një tjetër kriminel i rrezikshëm u lirua nga drejtësia e reformuar e Edi Ramës.

Në vend të propagandës së neveritshme dhe mashtrimit të pacipë të opinionit publik, Ministrja e Drejtësisë ka për detyrë të mos heshtë, por t’u thotë shqiptarëve:

  • Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti?
  • Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës?
  • Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?

Pyetjet janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje konkrete dhe Ministrja e Drejtësisë nuk mund të fshihet dot shumë gjatë pas kërkesave që bazohen në ligje që nuk ekzistojnë”.

 

SHKARKO APP