PD dhe LSI: Prokuroria të hetojë tenderin 40 milionë euro për Unazën e Re
Historia e protestave te Unaza e Re nisi si një çështje që lidhet me shembjen e 370 banesave, ku preken 1 mijë familje, por pas saj ka dyshime të forta për korrupsion dhe shkelje ligjore nga ana e Qeverisë “Rama”, deklaruan sot partitë kryesore opozitare. Mediat dhe opinioni njohin këto ditë vetëm dramën e familjeve që pasuria e tyre e vënë përgjatë 28 viteve mund të shkatërrohet pa marrë dëmshpërblim që iu takon me vlerën e tregut. Gjithë debati i institucioneve shtetërore me banorët është nëse ata kanë apo jo dokumente për pronën. Dhe me që një pjesë e tyre kanë objekte të palegalizuara apo në proces legalizimi, sipas qeverisë humbasin të drejtën për të marrë paratë e shembjes së ndërtesave për interesin publik. Histori të ngjashme në Tiranë ka pasur pa fund. Protesta të tilla në Tiranë qeveria i ka shuar ose duke zgjidhur qesen dhe duke dhënë disa para më shumë, ose duke marrë vendime arbitrare, siç ndodhi me një pjesë të banorëve në zonën e ish-stacionit të Trenit. Banorët e Unazës së Re, ndryshe nga rastet e tjera janë më të organizuar dhe rezistenca e tyre do të zgjasë me shumë, në mos do të sjellë përplasje edhe me të dhunshme.
Më shumë se kaq, protesta e 20 ditëve ka hedhur dritë mbi një skemë gjigante korrupsioni që po zbatohet me firmën dhe vulën e qeverisë në projektin e Unazës së Re. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë denoncuar këto ditë fakte që duhet të kishin vënë në lëvizje Prokurorinë dhe institucionet që kontrollojnë shtetin. Fakti i parë i denoncuar nga dy partitë opozitare është se për rreth 2.2 kilometra rrugë do të shpenzohen nga buxheti i shtetit 40 milionë euro. Kjo është kostoja më e lartë e ndërtimit të një rruge, për kilometër, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të Bashkimit Europian. Lulzim Basha e cilësoi dje këtë projekt si një vjedhje të madhe të buxhetit me firmën e qeverisë”. “Vjedhjen rekord prej 40 milion eurosh, apo 2 mijë euro për centimetër, të këtij segmenti prej 2 kilometrash. 2 mijë euro për një centimetër të kësaj rruge. Imagjinoni. Ky është çmimi me të cilin Edi Rama po vjedh paratë tuaja, jo thjesht të atyre qytetarëve. Paratë tuaja, të buxhetit të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë”,- tha kreu i PD-së.
Një shifër e tillë, sipas kreut të deputetëve të LSI, Petrit Vasili është e pajustifikueshme edhe sikur rruga të shtrohej me flori dhe jo me asfalt. Ndërkohë, veç kostos marramendëse, LSI-ja ka denoncuar procedurat sesi është dhënë tenderi i qeverisë për këtë projekt. Petrit Vasili deklaroi dje se mënyra sesi është zhvilluar tenderi, ka shkelje të hapura ligjore dhe të Kushtetutës. “Keni 3 tendera. Një copë rruge 2,2 km është ndarë në 3 copa, nga 700 a 800 metra janë ndarë. Dhe janë ndarë për 40 milionë euro. Por si janë ndarë? Janë ndara që 3 firmat e paracaktuara do ti fitojnë. Atyre u është vënë përballë një firmë që konkuron me 0 lekë. E kemi korrupsionin sa një mal. Nuk ka garë, nuk konkurojnë, por përlajnë 40 milionë euro”,- deklaroi dje Petrit Vasili. Shkelja e parë është që në garë janë lejuar kompani që nuk japin asnjë fortë për vlerën e rrugës. Ndërkohë shkelja e dytë është se ligji për tenderat publikë përcaktohen se për projekte me mbi 20 milionë euro duhej hapur garë për kompani ndërkombëtare.
Deri dy ditë më parë, institucionet e qeverisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk arrinin dot t’i jepnin përgjigje pyetjes e si justifikohej çmimi 40 milionë euro dhe se kush ishte kompania që ka bërë projektin. Së fundi, thonë se projekti është bërë falas nga një prej kompanive. Çudia është sesi një firmë private bën projekt “dhuratë” për shtetin dhe tre firma të tjera marrin 40 milionë euro
Lulzim Basha bëri thirrje dje për një tubime masive, duke deklaruar se ajo që po ndodh të Unaza e Re mund të ndodh me pronat e çdo qytetari. Ai kërkojë fillimin e protestive për ta rrëzuar kryeministrin.
Mbetet të shikojmë nëse mbetet më i fortë reagimi i 320 familjeve, të cilët tronditën shtetin pardje apo reagimi i krejt opozitës do të jetë më drastik duke e rrëzuar kryeministrin, edhe me forcë./Qamil Xhani/