PD distancohet nga Ridvan Bode: Nuk na përfaqëson, është i Kryeministrit
Parlamenti ka nisur me debate për çështjen e emrave të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Opozita ndodhet në sallë, ndërkohë që kryetarët e grupeve të PD-së dhe PS, Edmond Spaho dhe Taulant Balla kanë debatuar për kandidaturat e Bordit të Bankës së Shqipërisë.
Deputetët e PD-së, Edmond Spaho dhe Oerd Bylykbashi kanë akuzuar qeverinë se po tenton të kapë Bankën e Shqipërisë.
“Kryeministri po kap edhe Bankën e Shqipërisë. Ai propozon dhe voton edhe në emër të opozitës. Ka pasur një traditë që institucionet kryesore janë shpërndarë nga krahët politikë. Ju pa respektuar as rregullat po votoni atë që doni ju. E kundërshtojmë edhe votimin që bëtë dje edhe atë që doni të bëni sot”, tha Spaho
Edhe Bylykbashi deklaroi se maxhoranca po kërkon të kapë çdo lloj pushteti. “Banka e Shqipërisë është organ i pavarur. Ligji e përcakton qartë që propozimet nuk vijnë nga një organ i vetëm. Shihni praktikën në të shkuarën. Bie çdo lloj kontrolli, e gjitha është në xhepin e kryeministrit. Na garantoni që BSH nuk bie në thundrën e Edi Ramës.
Kryetari i grupit parlamentar të PD Edmond Spaho u shpreh kundër emrit të ish-ministrit të Financave në qeverinë “Berisha” Ridvan Bode si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ai tha se Bode nuk është përfaqësues i PD, por Edi Ramës.
Balla: Jam i gatshëm që të hapet proces verbali i konferencës së kryetarëve nëse është ngritur një shqetësim i tillë. Ka një procedurë parlamentare por ju që e keni bërë parlamentin si shkollë nate nuk e dini. E drejta për të mbështetur kandidaturat na takon dhe nuk e negociojmë. Për herë të parë, Rama ka zgjedhur 2 kandidatura nga opozita. Të më thuash ti që Ridvan Bode është i kapur. Nuk mund ta thojë Oerdi kur ai ka qënë ministër në dy qeveri të Berishës. As zonja Tavo nuk është përfaqësuese e PS-së.
Nëse ju do të kishit diçka serioze për këtë, dje ishte votimi skishit pse shkonit të flinit gjumë. Rrinit deri në fund se një opozitë që mbushi një mal dhe polli dy vezë vetëm ju jeni. 2 vezë plus 2 vezë, 22 vota pro dekretetit të Presidentit të Republikës.
Tabaku: Zoti kryetar i Kuvendi i ka nisur një shkresë ku i kërkohet opozitës me 28 firma të sillnin një propozim. Pse u refuzua.
Për çfarë e doni opozitën këtu. keni zgjedhur një prokuror të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë.
Nuk mund të votoni sot 6 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës që janë të gjithë të maxhorancës. Në qoftë se doni ta uzurponi…
Spaho: Është e vërtetë që nuk kemi diskutuar në konferencën e kryetarëve por deklarata e kryetarit të PD ka qenë e qartë. Ridvan Bode nuk është përfaqësues i Partisë Demokratike, por i Edi Ramës. Nuk pranojmë që përfaqësuesit që duhet të propozojmë ne, ti caktoni ju. Tregoni një dokument që ke bërë me PD-në apo pakicën para se të thuash se ke ndjekur rrugën ligjore. Nuk ka kalojnë tre kandidatura të kuvendit me 28 firma. Referoju kushtetutës dhe rregullores. Rastet i ke të qarta.
Ditën e djeshme, Kuvendi ka zgjedhur 5 nga 6 kandidaturat për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, një ndër ta edhe ish-ministri i Financave në qeverinë e PD, Ridvan Bode.