PD: Ejani tek ne! Po hapemi përditë
Kritikat kryesore që i janë bërë PD-së dhe lidershipit të saj në tre vitet e fundit kanë të bëjnë me mungesën e frymës së fortë opozitare, mbajtja e figurave të vjetra në parti dhe zvogëlimin e numrit të votuesve në favor të saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme në përballjet lokale si Dibër dhe Kolonjë, Partia Demokratike ka vendosur të ndryshojë strategji për të rritur mbështetësit. Dhe po bën mirë. Jo vetëm për vete, porse edhe si alternativë e nesërme pushteti për shqiptarët.
Të mërkurën kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi nga deputetët nisma konkrete që kanë të bëjnë më hapjen e partisë. Basha u dha ligjvënëse demokratë që në zonat e tyre elektorale të evidentojnë personalitete të shoqërisë civile, botës akademike dhe biznesit për t’i afruar në Partinë Demokratike. Kjo mënyrë është parë nga lidershipi i selisë blu si skema që do ta bëjë partinë më përfaqësuese dhe më afër qytetarëve. Basha deklaroi para deputetëve se kjo hapje e partisë do të jetë reale dhe jo një makiazh apo marketing politik. Dje në një takim me demokratët në Memaliaj Basha ka theksuar dhe një herë nevojën për hapjen e partisë. Ai kërkoi që çdo anëtar i thjeshtë dhe drejtues i forumeve të PD-së të shkojnë “derë më derë” në zonat ku jetojnë për të evidentuar problematikat që kanë qytetarët. Sipas tij kjo është mënyra e vetme e demokratëve për të kthyer besimin tek gjithë qytetarët e vendit.
Në këtë linjë ishte dje dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i cili shpjegoi në “Ora News” se çfarë nënkupton lidershipi demokrat me hapje të partisë. “Hapja është për çdo njeri që shikon tek Partia Demokratike idealet e veta, aspiratat e veta, që beson që PD mund ta bëjë më mirë Shqipërinë”, tha ai. Ndërsa deputetja Jorida Tabaku tha se kushdo është i ftuar të jetë pjesë e Partisë Demokratike, pasi në “në opozitë kushdo është vlerë e shtuar”. Sipas Tabakut hapja e partisë qëndron në kombinimin e figurave aktuale të opozitës me emra të rinj nga forumi rinor, bota akademike dhe gjithë shoqëria e vendit. Në thelb të gjithë kësaj strategjia është thirrja e demokratëve “ejani te ne”.
Ky proces i hapjes së partisë është në ditët e tij të para dhe ende nuk ka një emër apo grup interesi që t’i jetë përgjigjur thirrjes së lidershipit të PD-së. Nisma e fundit e Bashës vjen vetëm 7 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Koha duket se është elementi që nuk shkon në favor të Partisë Demokratike për këtë proces. Por më mirë vonë se kurrë. Gjatë tre viteve në opozitë Lulzim Basha duhej të kishte shpenzuar më shumë energji për hapjen e partisë me emra të rinj apo të njohur të shoqerisë civile që kanë integritet, duke u larguar nga mëkatet e qeverisjes së fundit të PD-së. Efekti i ndjekjes së linjës së vazhdimësisë në PD dha rezultatet e para negative. Zgjedhjet lokale në vitin 2015, Dibra, Kolonja dhe tkurrja e elektoratit të djathtë janë prova e mjaftueshme për ndryshimin e kursit që duhet të ndjek Lulzim Basha. Por Basha mbetet lider europian nga kultura personale. Problemi qëndron se kockat e vjetra në selinë blu nuk e duan ndryshimin, punojnë kundër Bashës dhe vetë PD-së pasi tani e duan selinë blu vetëm për mburojë të gjynaheve të tyre ndër vite. Këtë strukturë interesi duhet të presë me thikë, pa frikë, Lulzim Basha. Por Basha e ka një shembull brenda vetë demokratëve. Sali Berisha me krijimin e KOP (Komiteti i Orientimit të Politikave) në vitin 2005 është shembulli sesi një parti e vjetër dhe problematike mund të bëhet tërheqëse për shoqërinë civile dhe qytetarët. Asokohe e luajti bukur Berisha skemën. Dhe fitoi. Por tashmë Basha duhet të jetë me kreativ. Jo kopje e vitit 2005, pasi kanë ndryshuar shoqeria shqiptare dhe vetë PD-ja.
Lulzim Basha duhet të jetë lider që tregon se edhe brenda PD-së shkatërron fijet e interesave okulte dhe hapja nuk është slogan. Ai ka nevojë që në 12 qarqet e Republikës te kandidojë personalitete dhe emra të cilët jo vetëm janë kundra kësaj qeverie, porse pikësëpari që dihet se nesër do jenë oponentë të qeverisjes së PD-së.
Kështu krijon besim e jo me emra servilë dhe pa identitet. Basha nuk ka shumë kohë, pasi dyshja Rama-Meta duket se po shkon drejt një koalicioni të dytë, ndonëse me kushte të diktuara nga LSI.