PD: Është firmosur fletë arresti për kryebashkiakun Dako. Pse nuk zbatohet?
Partia Demokratike deklaroi sot se është firmosur urdhër arresti për kreun e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, si person që është i lidhur me bandën e Shijakut, e cila u godit dy ditë më parë nga Policia e Shtetit.
Në një deklaratë për mediat, deputeti Flamur Noka tha se provat dhe përgjimet kanë treguar se Vangjush Dako është pjesë e një nga bandave më të rrezikshme në vend. Ai shtoi se për këto akuza është kërkuar arrestimi i tij, por prej 24 orësh fletë arresti nuk ekzekutohet.
“Ka të paktën 24 orë që fletë arresti për Vangjush Dakon është prerë, por ekzekutimi I tij është bllokuar. Prokuroria duhet t’u japë shqiptarëve dy përgjigje të thjeshta: Pse është kthyer mbrapsht urdhri për arrestimin e Vangjush Dakos sot në mesditë? Kush po ndërhyn që Vangush Dako, “xhuxhi”, siç e quajnë kriminelët e tij, të mos arrestohet në bazë të përgjimeve të dosjes 339?”,- deklaroi Flamur Noka.
Në emër të PD, Noka kërkoi sqarime se përse nuk kryhet arrestimi i kreut të bashkisë së Durrësit dhe anëtarit të Kryesisë së Partisë Socialiste.
Deputeti demokrat paralajmëroi Prokurorinë dhe zyrtarët që nuk kanë zbatuar urdhrin për përgjegjësi penale nëse nuk zbatojnë urdhrin për arrestimin e zyrtarit të lartë.
Deklarata e plotë e Flamur Nokës:
“Me një prokurori që nuk do të ishte nën urdhrat politikë të Edi Ramës, sot, Vangjush Dako duhet të ishte në burg.
Kyetari i Bashkisë së Durrësit është pjesë e dosjes me numër 339, njësoj si miqtë e tij kriminelë – trafikantë droge apo si dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, që sot janë prapa hekurave për të shpëtuar më të rëndësishmin e dosjes 339, Vangjush Dakon.
Ka të paktën 24 orë që fletë arresti për Vangjush Dakon është prerë, por ekzekutimi I tij është bllokuar.
Prokuroria duhet t’u japë shqiptarëve dy përgjigje të thjeshta:
• Pse është kthyer mbrapsht urdhri për arrestimin e Vangjush Dakos sot në mesditë?
• Kush po ndërhyn që Vangush Dako, “xhuxhi”, siç e quajnë kriminelët e tij, të mos arrestohet në bazë të përgjimeve të dosjes 339?
Kryetari i Bashkisë së Durrësit është peshku i madh i dosjes 339 dhe përpjekjet për të shpëtuar Vangjush Dakon janë të pashpresa!
Askush nuk duhet të guxojë të prishë provat e përgjimit të Vangjush Dakos me kriminelët më të rrezikshëm të Durrësit! Çdo përpjekje për prishjen e provave, për zhdukjen e përgjimit apo për fshirjen e faqeve të transkriptuara të Vangjush Dakos me kriminelët është krim i rëndë, që paguhet me burg të gjatë.
Askush nuk mund ta zhbëjë të vërtetën se kriminelët e Durrësit e të Shijakut kanë blerë vota për pushtetin e Vangjush Dakos dhe Edi Ramës dhe, si shpërblim, kanë marrë leje ndërtimi dhe tendera miliona eurosh.
Këtë fakt e denoncoi një vit më parë Lulzim Basha. Për këtë fakt, e paditi për shpifje Vangjush Dako. Me këtë fakt, me dosjen me numër 339, Lulzim Basha fitoi gjyqin.
Paditë shterpë kundër opozitës dhe propaganda e lodhur se gjoja po luftohet krimi, pa arrestuar asnjë bos të krimit, janë në funksion të mbulimit të së vërtetës: se Edi Rama është peng i krimit të organizuar, i cili po qeveris dhe po pasurohet bashkë me Edi Ramën!”.