PD bllokon sot Kuvendin. Ose ligjet e dekriminalizimit,ose nuk ka seancë!

PD-ja ka vendosur që sot në sallën e parlamentit të mos lejojë në mënyrë kategorike që të ketë rend dite tjetër përveçse diskutimit dhe miratimit të ligjeve për zbatimin e marrëveshjes së dekriminalizimit të politikës e administratës. Në një kërkesë drejtuar dje Kuvendit, grupi parlamentar i PD-së dorëzoi dje propozimet për ligjet dhe kërkon diskutimin e tyre me procedurë të përshpejtuar. Sipas Partisë Demokratike Edi Rama po i vonon kastile këto ligje. “Në kushtet kur Edi Rama po dëshmon çdo ditë mungesë vullneti për zbatimin e dekriminalizimit dhe përkrahje të hapur për të inkriminuarit e tij në parti dhe në poste publike, Partia Demokratike do të kushtëzojë çdo funksionim normal të parlamentit me miratimin këtë të enjte të vendimit që vë në zbatim ligjin e Dekriminalizimit”,- thuhet në njoftimin selisë blu. Por çfarë nënkupton Partia Demokratike me kushtëzim të funksionimit normale të Kuvendit?

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, kreu i selisë blu Lulzim Basha mësohet se ka kërkuar nga grupi parlamentar demokrat, por edhe nga deputetët e partive opozitare që nëse seanca e sotme fillon me rend dite tjetër atëherë të bllokohet parlamenti dhe gjithçka mund të kalojë në kaos në sallën e Kuvendit.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta sot nuk do të jetë në seancë pasi ndodhet në vizitë zyrtare në Danimarkë i ftuar nga homologia e tij daneze. Ndaj Shpëtim Idrizi do të drejtojë seancën më problematike të këtij viti. Në të vërtetë nga viti i kaluar kur është miratuar në unanimitet marrëveshja politike në parlament për dekriminalizimin e politikës dhe administratës asnjë projektligj konkret nuk është sjellë në komisione parlamentare nga qeveria.

Nisur nga rikthimi në parlament i deputetit Armando Prenga, pas ngjarjeve në Laç, selia blu ka rritur kritikat ndaj Edi Ramës se, sipas tyre, po bllokon ligjet për këtë çështje të rëndësishme. Në rendin e ditës të publikuar nga Kuvendi për seancën e sotme  është parashikuar votimi i disa ligjeve të mbartura nga seanca e kaluar dhe miratimi i dekreteve të Presidentit për zëvendësimin e ministrave. Në programin e seancës mungon kërkesa e Partisë Demokratike për diskutimin e ligjeve për dekriminalizimin. Axhenda e zyrtare e Kuvendit nuk ka dyshime se do të provokojë opozitën e cila do të detyrohet sot të bllokojë Kuvendin.

Skenari për sot duket se do të jetë që në fillim të seancës. Nëse drejtuesi i Kuvendit nuk fillon dhe nuk e drejton seancën për të filluar diskutimi për ligjet e dekriminalizimit atëherë të gjithë deputetët e opozitës do të dalin të bllokojnë podiumin e qeverisë dhe foltoren e Kuvendit. Nëse deputetët e PS-së dalin për të larguar deputetët e PD-së atëherë selia blu ka planin “B”, të cilin nuk e tregojnë porse e thonë nën zë se  “Nuk është gjë parlamenti i Kosovës, ajo që mund të ndodhë në Kuvendin tonë!”,- tha një deputet i PD-së.

Reagimi i Partisë Demokratike pritet të jetë i ashpër. Ndaj pritet që efektivët e Gardës së Republikës do të jenë të shtuar në numër, kurse përreth sallës së Kuvendit do të ketë edhe polici kriminale për çdo rast.

Zyrtarisht Partia Socialiste nuk ka kthyer asnjë përgjigje për kërkesën e Partisë Demokratike. Ndërkohë që bojkoti i opozitës është interpretuar edhe si një tentativë për bllokimin e reformës në drejtësi që pritet të nis diskutimin në muajin mars. Por para se të nis diskutimi i reformës PD-ja ka rreshtuar kushtin e dekriminalizmit dhe heqjen e mandatit për deputetët Armando Prenga, Koço Kokëdhima, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli.

Me vendimin që dha dje Gjykata Kushtetuese për Koço Kokëdhimën duke i dhënë pjesërisht të drejtë PD-së, opozita ka dhe një argument më shumë për të bllokuar Kuvendin. Nuk kuptohet pse kryeministri Rama prishë punët e qeverisë së tij për disa deputetë problematikë me ligjin dhe që ia rëndojnë peshën e halleve që ka qeverisja e tij. Pikëpyetje e madhe endet koridoreve të politikës se ç’është ajo fuqi e madhe e Kokëdhimës mbi Edi Ramën, ndërkohë që po merr kosto edhe në PS nga prezenca e tij në politikë.

Ndaj Lulzim Basha ka të drejtë në këtë rast. Duhet çuar në çdo qelizë të politikës dhe administratës dekriminalizimi, por me ligj e me akte nënligjore.

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP