PD letër KE-së: Ja çfarë bëri në Shqipëri drejtori për Ballkanin, Auer
Partitë opozitare i kanë dërguar një letër Komisionit Europian për zyrtarin Eduard Auer. Në mbledhjen e kreut të PD-së, Basha me aleatët, është diskutuar shqetësimi, që ky zyrtar i ka kërkuar partive të vogla opozitare të hyjnë në zgjedhje pa PD.
Ky shqetësim është ngritur edhe nga ish-kryeministri Berisha, i cili ka folur sot nga cadra para kryeministrisë për zyrtarin me pasaportë të huaj, duke iu referuar pikërisht zotit Eduard Auer, lidhur me ofertën e pistë të këtij të fundit për partitë opozitare për t’u futur në zgjedhje pa Partinë Demokratike.
‘Para 5-6 ditësh këtu erdhi një misionar, që mblodhi partitë e tjera të opozitës. Çfarë u tha drejtori që erdhi nga Brukseli, partive të tjera opozitare: Lëreni PD-në dhe futuni në zgjedhje të merrni ato mandate! Lëreni PD-në, ta kalbin PD-në dhe Lul Bashën dhe merrni mandatet, se u erdhi radha. Pra, erdhi me zgjedhjet e Edi Ramës. Ka presione e shantazhe të ndryshme, por ne jemi të palëkundur. Natyrisht, që ti nuk erdhe nga Komiterni, se ai ka përfunduar prej kohësh në koshin e plehrave. Por ti erdhe këtu ose si anëtar i klubit ‘4700 euro metri katror’ ose si anëtar i klubit të kanabisit të Edi Ramës! Thirrja ime për KE-në është, largojeni këtë njeri nga komisioni, pasi ky është një akt i shëmtuar dhe i turpshëm’ – tha ndër të tjera Berisha.
Para dy ditësh kreu i PBDNJ-së, Dule, deklaroi se një zyrtar ndërkombëtar i kishte kërkuar atij dhe partive të tjera opozitare që të futeshin në zgjedhje pa Partinë Demokratike në mënyrë që të përfitonin nga mungesa e saj për të marrë sa më shumë mandate.
Ditën e djeshme u zbulua se zyrtarët që e kishin bërë këtë ofertë ‘të pistë’ ishin Shefi i Ballkanit Perëndimor në BE, zoti Eduard Auer, i cili ka qenë i shoqëruar nga nga zonjat Romana Vlahutin dhe Mikaela Matuela.