PD: Po prisnim arrestimin e Dakos, por Rama liroi dhe dy ish-deputetët e PS

Për Partinë Demokratike, lirimi nga burgu i dy ish-deputetëve të PS, Arben Ndoka dhe Arben Çuko nuk është një vendim i drejtësisë së pavarur, por është vendim politik i Edi Ramës. Në një reagim për mediat, selia blu thekson se me vendimin e sotëm u provua që gjykatat nuk ekzistojnë në Shqipëri.

“Me lirimin nga burgu të numrit 1 të Partisë Socialiste në Lezhë, që sundon me dhunë, krim dhe korrupsion, u rikonfirmua bindja e opozitës dhe shumicës së shqiptarëve se Forca e Ligjit nuk ekziston në Shqipëri dhe se ata që blejnë vota për Edi Ramën, ata që vjedhin për pushtetin ilegjitim të Edi Ramës qëndrojnë mbi ligjin”,- thuhet në reagimin e PD.

Partia e kryesore e opozitës thekson se në momentin që pritej arrestimi i Vangjush Dakos, për lidhjet me bandën e Shijakut, Edi  Rama liroi dy deputetët që janë pjesë e së njëjtës dosje.

“Kur të gjithë presin dhe kërkojnë arrestimin e Vangjush Dakos për blerjen e votave me bandat kriminale, Edi Rama urdhëron lirimin e Arben Ndokës, i kapur edhe ky në përgjimet e dosjes 339 duke blerë zgjedhjet e vitit 2017 në Lezhë. Askush nuk ka më ndonjë dyshim se operacionet e bujshme përdoren nga qeveria për të mbytur me zhurmën e propagandës skandalet dhe krimet e qeverisë së Edi Ramës”,- thuhet në njoftimin e PD.

Sipas PD, me mënyrën sesi Edi Rama po sillet me drejtësinë tashmë gjithë kriminelët po presin ditën e lirimit nga burgu dhe nga akuzat. “Ndryshe nga çfarë kërkojnë shqiptarët dhe bëjnë thirrje partnerët tanë strategjikë, realiteti flet qartë: Me Edi Ramën nuk ka luftë të vërtetë kundër krimit dhe korrupsionit, me Edi Ramën stabiliteti është vetëm një fasadë! Për sa kohë vendi është nën sundimin e krimit, i cili qëndron bashkë me Edi Ramën në karrigen e kryeministrit, kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë presin radhën e lirimit nga akuzat dhe mbylljes së dosjeve të krimit!”- thekson PD-ja në reagimin e saj.

Ditën e sotme Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në një seancë të mbyllur për mediat dha masës e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve, Arben  Çuko  dhe ish-deputetin Arben Ndoka të arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Vol-vo 4”.

Pasi mori në shqyrtim ankimimin e avokatëve, gjykata vendosi ndryshimin e vendimit të një shkalle gjyqësore më poshtë. Ndërkohë ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për 17 persona të tjerë, duke i lënë në “arrest me burg”, mes tyre janë Astrit Avdylaj. Masa ka ndryshuar edhe për katër persona të tjerë të operacionit “Vol-Vo 4” që deri tani ishin në “arrest shtëpie”, të cilët u lanë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda me masën “detyrim paraqitje”. Nga 34 persona që u arrestuan, për 10 prej tyre ishte vetë prokuroria që në shkallën e parë të Krimeve të Rënda ndryshoi masat e sigurisë, duke dhënë masa më të lehta sigurie.

SHKARKO APP