PD-LSI-PS/Në Parlament pritet duel dhe përplasje

Parlamenti do të miratojë të enjten Buxhetin e Vitit 2018. Kalimi i projektit më të rëndësishëm të qeverisë në Kuvend pritet të kthehet në një arenë të fortë debatesh mes mazhorancës dhe opozitës. Partia Socialiste ka kaluar në parim projektbuxhetin që pasqyron qëndrimet e saj politike. Në këtë projekt bien në sy koncesionet e reja, projekte ekonomike sipas skemës “1 miliardë euro” dhe ndryshimi i nivelit të taksave që synon lehtësimin e biznesit të madh. Po ashtu, paketa fiskale e buxhetit të ri, ndër të tjera, parashikon rritjen e TVSH për biznesin e vogël, si dhe rritje të taksave për banesat.

Ky model ekonomik që është pasqyruar në buxhetin 2018 është kundërshtuar më së pari nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Që në ditën e para të prezantimit të projektbuxhetit, LSI paraqiti disa amendamente, ku tre më kryesorët janë: ulja e TVSH për biznesin e vogël, ulja e TVSH për produktet e shportës, bërja zero e taksës për banesë e parë. Për LSI, Buxheti 2018 është një model ekonomik që favorizon një grusht njerëzish dhe biznesesh afër qeverisë dhe dëmton qytetarët e varfër dhe bizneset e vogla.

Partia Demokratike me atë të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha prezantoi të paktën 16 propozime të reja për ndryshime në Buxhetin e vitit 2018. Në një deklaratë për mediat, Basha deklaroi se buxheti i qeverisë “Rama” ka në thelb të tij modelin e pastrimit të parave. Ai foli për skema klienteliste të qeverisë, të cilat u japin koncesione bizneseve afër ministrave të Edi Ramës. Sipas kreut të PD-së, skema “1 miliardë Euro” është një projekt personal i Edi Ramës për të futur në ekonominë shqiptare paratë e grumbulluara nga droga dhe aktiviteti kriminal. Akuzat të ngjashme nga ana e PD-së janë bërë shpesh këto ditë, por sot të gjitha këto pretendime do të paraqiten në formë amendamentesh për buxhetin nga ana e selisë blu. Propozimet e PD janë një sërë nismash që nisen jo vetëm nga pikëpamja ekonomike. PD propozon uljen e taksave për karburantin dhe akcizat, si nisma për të lehtësuar xhepat e qytetarëve, por edhe rritjen e shpërblimit për ish-të përndjekur dhe shtresat sociale që janë më afër ideologjisë së djathtë.

Po kështu LSI insiston fort në një buxhet për shtresat në nevojë dhe akuzon ashpër kryeministrin se po kërkon pastrimin e parave të drogës prej klientëve të Ramës.

Pa diskutuar vlefshmërinë e propozimeve të PD-së, Partia Socialiste paralajmëroi që dje në mbrëmje rrëzimin e kërkesave të selisë blu. Sekretari i Përgjithshëm  i PS-së, Taulant Balla deklaroi se Lulzim Basha ishte kujtuar vonë të bënte propozime. Balla përmendi Rregulloren e Parlamentit e cila thekson se propozime mund të bëhen gjate diskutimeve të projektbuxhetit në komisione, ose gjatë kalimit të tij në parim, dy javë më parë. Ndërsa sot, në seancën maratonë, socialistët pritet të kalojnë nen për nen buxhetin dhe paketën fiskale duke përdorur forcën e kartonit.

Në komunikimin me gazetarët, pas mbledhjes së grupit të PD-së, kryedemokrati tha se ky buxhet do të jetë i fundit i Qeverisë “Rama”. Sipas Bashës projektbuxheti i Edi Ramës është një projekt mafioz që duhet ndalur në Kuvend. Ai paralajmëroi se sot do të tentoj “të bëjë gjithçka brenda hapësirës së ngushtë parlamentare, për t’i shkurtuar mandatin kësaj qeverie që ka lidhur fatin politik me interesat kriminale”. ​

Deklaratat e Monika Kryemadhit dhe qëndrimi i Bashës paralajmërojnë një debat të ashpër në Kuvend. Duke qenë se të dyja forcat kryesore opozitare, PD dhe LSI do të jenë në Kuvend me propozimet përkatëse, debati pritet të jetë i zjarrtë, jo vetëm për buxhetin, por edhe për çështjet e ditës që kanë të bëjnë më kanabisin, kriminalitetin dhe trafiqet. Por mësohet se kryeministri Rama ka porositur kryeparlamentarin Ruçi që të kalojë me forcën e numrave variantin e qeverisë.

Pritet të shikohet se si do të reagojë opozita në praktikë këtë të enjte në Kuvend, pasi nisur nga fjalët do të ketë përplasje të forta në sallën e Kuvendit. Megjithatë nëse PD-LSI vendosin të ndezin parlamentin mund ta bëjnë sepse nuk kanë pak numra në sallën e Kuvendit.

Kryeministri nga forca e fjalës apo zhurma në sallë nuk ia ndjen. Ai ka frikë vetëm nga ajo që bënte dikur Berisha kur ishte kryetar; protesta dhe bllokim para zyrës së kryeministrit. Dhe përplasje me turma.

Q.Xh.

SHKARKO APP