PD-LSI: Të largohet Edi Rama si kryeministër. Të hetohet Saimir Tahiri

Kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë mbledhur paraditen e së mërkurës, në orën 11:00, tryezën e opozitës, lidhur me ‘Dosjen Habilaj’, çështjen e përgjimeve italiane ku është i implikuar edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Pas përfundimit të mbledhjes së partive opozitare në vend, ku në fokus është çështja ‘Tahiri’ pas publikimeve të përgjimeve të trafikantëve të drogës, fronti opozitar vjen me një deklaratë të fortë.

Në, deklaraten e përbashkët PD-LSI, fryt i Tryezës së Opozitës thuhet se: “Kriminalizimi i zgjedhjeve u provua me fakte”. Mes të tjerash në thirrjen e tyre një prej kërkesave është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe hetimin e ish-ministrit Saimir Tahiri.

Tryeza e partive të opozitës  e drejtuar nga PD dhe LSI, kërkon që pas largimit të Edi Ramës të krijohet një qeveri antimafie, e cila do të kryejë luftën ndaj krimit si dhe do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Krijimin e një qeverie të antimafias dhe reformës zgjedhore me mandat të përcaktuar që të çojë vendin drejt zgjedhjeve për të rivendosur legjitimitetin”,- thuhet në deklaratën e përbashkët.

DEKLARATA E PLOTË E OPOZITËS SË BASHKUAR

Kriminalizimi i zgjedhjeve të 25 qershorit përmes parave të drogës dhe përfshirjes së kriminelëve dhe bandave është provuar tërësisht me faktet tronditëse të ditëve të fundit, të cilat janë asgjësuese dhe pa asnjë ekuivok.

Demokracia në Shqipëri ndodhet në një moment kritik dhe në një udhëkryq tepër të rrezikshëm pasi qeveria është bërë frymëzuese dhe mbështetëse kryesore e trafiqeve dhe veprimtarisë kriminale duke tronditur nga themelet sigurinë individuale të çdo qytetari dhe të shtetit në tërësi.

Ky moment shumë i vështirë që po kalon vendi dhe qytetarët shqiptarë na imponon:

Krijimin e një Fronti të Bashkuar Opozitar kundër Krimit me të gjithë partitë politike, që kanë këtë vetëdije për rrezikun madhor që po kalon vendi.

Jemi të bindur se drejtuesi dhe përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit e narkotrafiqeve me kupolën e lartë të shtetit dhe përfaqësuesi kryesor i narkoshtetit, interesave të oligarkisë dhe të korrupsionit është kryeministri Edi Rama.

Ky Front kërkon:

Largimin e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë si përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit me kupolën qeverisëse, si përfaqësuesi i interesave të korrupsionit dhe oligarkisë, si ideatori dhe realizuesi i blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve.

Krijimin e një qeverie të antimafias dhe reformës zgjedhore me mandat të përcaktuar që të cojë vendin drejt zgjedhjeve për të rivendosur legjitimitetin.

Fronti shprehet i vendosur që së bashku me qytetarët do ta realizojë me të gjithë mjetet demokratike këtë kërkesë.

Ky Front i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent dhe të kryejë me shpejtësi, në përputhje me dispozitat kushtetuese e ligjore, hetimin për ish-Ministrin Sajmir Tahiri dhe në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane dhe te tjere, të kryejë të gjithë veprimet e nevojshme për të vënë para drejtësisë të gjithë individët e implikuar në trafikun e drogës dhe të armëve, të zbuluar së fundmi.

Të hetojë edhe lidhjet e ministrave të tjerë të kesaj qeverie me trafiqet dhe implikimin e tyre në bashkëpunimin kriminal për blerjen e votës në 25 qershor 2017.

Ky Front i bën thirrje cdo organizimi qytetar, apo të shoqerisë civile si dhe cdo qytetari të ndershëm të bëhet pjesë e kësaj beteje historike me krimin për të mbrojtur sistemin tonë demokratik, sigurine kombetare dhe të ardhmen e fëmijve tanë.

Fronti do të mbështesë me vendosmëri:

Zbatimin e Reformës në Drejtësi për të siguruar DEKRIMINALIZIMIN E POLITIKES ndëshkimin e drejtuesve të lartë të shtetit të implikuar në afera korruptive, pasuruar në mënyrë të paligjshme, të lidhur me krimin e narkotrafiqet si dhe Realizimin e një Reforme Zgjedhore gjithpërfshirëse që garanton shpërbërjen e lidhjeve të krimit me politikën, eleminimin e përdorimit të parave të korrupsionit, krimit e narkotrafiqeve për blerjen e votës, me objektivin e zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Tryeza

‘Të bashkuar kundër krimit qeveritar’. Siç duket kjo është lëvizja e partive opozitare në vend, të cilat janë ulur sot në një tryezë jashtë selive partiake, ndërsa në fokus janë zhvillimet e fundit politike në vend, që nga arrestimi i Moisi Habilajt në Itali, e deri tek implikimi i emrit të ish-ministrit Saimir Tahiri në trafikun e drogës, pasi autoritetet italiane zbuluan përgjimet e trafikantëve.

Mësohet se pjesë e kësaj tryeze që ka nisur rreth orës 11:00 dhe që po zhvillohet me dyer të mbyllura janë bërë aleatët e PD-së, si dhe LSI-ja. Në tryezën e iniciuar nga PD-LSI, janë të pranishëm përveç Bashës dhe Kryemadhit, edhe kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu, i LZHK-së Dashamir Shehu, i PAA-së, Agron Duka, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kryetari i PDK-së Nard Ndoka. Mes krerëve të partive, spikat edhe prezenca e kryetarit të Zgjidhja, Koço Kokëdhima.

Pas krijimit të frontit opozitar, flet Luzim Basha: Ja si do veprojmë

Pas përfundimit të tryezës së partive opozitar, kryedemokrati Basha tha se kanë mbajtur një qëndrim të përbashkët që të krijohet një front opozitar për të luftuar krimin dhe i bëri një ftesë e hapur çdo parti politike.

“Fronti i bashkuar opozitar kërkon largimin e kryeministrit Rama si përgjegjësi i narkoshtetit. Krijimin e një qeverie antimafia dhe të reformës zgjedhore”,- tha ai.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

Faleminderit të gjitha partitë politike që u bashkuan me mua, pas thirrjes së bërë. Nga tryeza kemi dalë me një vendim të përbashkët dhe qëndrim të përbashkët që sapo është shpërndarë. Është marrë vendimi për krijimi i një fronti opozitar kundër krimit.

Pjesë e këtij fronti janë bërë të gjitha partitë që ishin në tryezë dhe ftesa qëndron për cdo parti dhe faktor shoqëror, intelektualë, botë akademike, përfaqësues të medias, sepse Shqipëria ndodhet para një gremine të vërtetë.

Si ndihet dikush që ka denoncuar për 4 vite lidhjet e Ramës me krimit kur këto faktohen? Këtë pyetje nuk ia bëj vetes sime për dhjetëra policëve të ndershëm të policisë, gazetarëve kurajozë, përfaqësuesve të tjerë të ndershëm që në krah të PD-së dhe opozitës kanë bërë betejën kryesore luftën për shembjen e kupolës politike mafioze të drejtuar nga Rama.

Sot shqiptarët kanë provat kryesore të kësaj marrëdhënieje së përfituesit e qindra miliona eurove të drogës janë përfituar nga Rama dhe përdorur për tjetërsimin e zgjedhjeve.

Kryemadhi: Front opozitar, luftë kundër narkoshtetit që drejtohet nga Rama

Pas përfundimit të takimit të përbashkët PD- LSI, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka deklaruar se ky front opozitar do të inspirojë fundin e tranzicionit në të cilin është zhytur prej 27 vitesh Shqipëria.

Jemi i vetmi vend post-komunist u shpreh Kryemadhi, i cili ende nuk ka dalë nga tranzicioni politik dhe ekonomik. Por sipas kryetares së LSI-së ka një shpresë dhe ajo do të jetë fronti i ri opozitar përballë “narkoshtetit”.

Kryemadhi nuk ka përjashtuar dhe protestën qytetare për të larguar nga pushteti kryeministrin dhe qeverisjen e majtë, por ka deklaruar se protestat nuk bëhen nga partitë por vijnë nga populli. Sipas Kryemadhi, detyra e partive opozitare do të jetë që të kanalizojnë zhgënjimin dhe ndjenjat e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë lodhur tashmë nga lidhjet kriminale të politikës së vendit.

Kryemadhi gjithashtu ka deklaruar se mbledhjet mes PD-së e LSI-së si dhe partive të tjera opozitare do të vijojnë të mbeten një konstante edhe në javët në vijim, në mënyrë që aksioni opozitar të rakordohet kundër të majtëve të Ramës.

“Gjëja më e rëndësishme është që ato parti politike që morën pjesë në tryezë u vunë përballë një presioni psikologjik apo një vullneti të qytetarëve, të cilët gjenden përballë krimit. Tryeza ishte një sinjal shumë i mirë për të gjithë opinionin publik, për median, për qytetarët, për të gjithë ata shqiptarë që e duan vendin sepse ky front do të nisë të gjithë angazhimin e tij për të patur një aksion kundër narkoshtetit. Dua të theksoj se të gjitha partitë politike që morën pjesë ishin të shqetësuara, rreziku që po kanos demokracinë shqiptare, njërëzit kanë filluar të mos besojnë më. Dua të theksoj se kjo ishte tryeza e parë, do të vijojmë me tryeza të tjera. Ne jemi tashmë bashkë në një pikë të fortë. Përsa i përket protestat vijnë nga populli të cilat e ndjejnëdhe u vjen për së brendshmi. Unë besoj se ky front, do të jetë njëri nga më inspiruesit. Ka ardhur momenti që t’i japim fund tranzicionit, jemi i vetmi vend post komunist në këtë gjëndje. Ka ardhur moemnti që të bëjmë një gjë të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.”-tha Kryemadhi

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/1410751812370890/

DEKLARATA E PLOTË E MONIKA KRYEMADHIT:

“Gjëja që është më e rëndësishme është që ato parti politike që morën pjesë në tryezë u vunë përballë le të themi përballë një presioni psikologjik të qytetarëve. Ose vullnetit të qytetarëve shqiptar të cilët gjenden të kërcënuar nga krimi dhe bandat e organizuara. Të cilat çdo ditë e më shumë po i marrin frymën Shqipërisë. Tryeza që u krijua sot ishte një sinjal shumë i mirë për të gjithë opinionin publik jo vetëm për partitë politike por për mediat për shoqërinë civile, për qytetarët. Për ata që bojkotuan zgjedhjet, për të gjithë shqiptarët që e  duan vendin e tyre sepse tani ky front do të nisi të gjithë angazhimin e tij për të pasur një aksion politik që është shumë i rëndësishëm. Një luftë kundër narko shtetit i cili përfaqësohet dhe drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë  Z. Edi Rama. Ajo çka është shumë e rëndësishme, që dua të theksoj është që të gjitha partitë politike që morën pjesë në tryezë ishin shumë të shqetësuar për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria. Rreziku që i kanoset demokracisë shqiptare e cila çdo ditë më shumë po dobësohet e po del jashtë kornizave të saj. Inkriminimi i çdo strukture shtetërorë, inkriminimi i policisë, inkriminimi i shtetit, i zyrave të shtetit. Inkriminimi i besueshmërisë pra  njerëzit kanë filluar të mos besojnë më dhe po kërkojnë të gjejnë zgjidhjen te bandat dhe jo te policia dhe te shteti. Kjo është fatkeqësia e një vendi dhe e një shteti por mbi të gjitha është fatkeqësia e një kombi. Kjo këmbanë është shumë e madhe, shumë e fortë jo vetëm për klasën politike por për gjithë Shqipërinë.

Pyetje: Znj.Kryemadhi është pjesë e aksionit politik të fronit edhe nisja e protestave? Cila do të jetë mënyra dhe si do ta largoni këtë qeveri?

E para dua të theksoj, kjo ishte tryeza e parë, do të zhvillojmë dhe tryeza të tjera njëra pas tjetrës, ajo çka është e rëndësishme është që të gjithë konvergojmë në një pikë, jemi të saktë përsa i përket kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.

Ngjarjet e fundit treguan atë që kemi artikuluar prej kohësh, atë çka dhe opozita ka artikuluar prej kohësh dhe më në fund ne jemi tashmë bashkë në një pikë të fortë gjatë kësaj. Përsa i përket protestave, protestë nuk bëjnë partitë politike. Partitë politike bëjnë manifestime por protestat vijnë nga populli të cilët e ndiejnë dhe ju vijnë e përbrendshme dhe populli duhet të besojë të ata që e drejtojnë dhe unë jam e bindur që ky front i bashkuar kundër krimit do të jetë një nga inspiruesit më të mëdhenj që kanë pasur shqiptarët në 27 vitet e tranzicionit në të cilat ne kalojmë. Është momenti që të gjithë së bashku, klasa politike dhe të gjithë shqiptarët ti japin fund tranzicionit politik që po kalon Shqipëria. Është i vetmi vend ish-komunist mbas shembjes së murit të Berlinit që vazhdon të jetë në tranzicion. Ky është një nga momentet që të gjithë së bashku ta rizgjojmë ndërgjegjen kombëtare. Të rizgjojmë aktivitetin politik te ata të rinj të cilët nuk duan të merren me politikë sepse ndihen të zhgënjyer dhe ndihen të lodhur e të huaj në vendin e tyre. Unë mendoj që ka ardhur momenti që klasa politike Shqiptare të bëjmë një gjë të mirë në gjithë këto vite për Shqipërinë dhe për shqiptarët”.

Reagon Rama: Asgjë e re nga fronti i opozitës. Edhe në PS kemi drurë të shtrembër në mesin tonë

Dosja e përgjimeve të Habilajve

Nga përgjimet e publikuara dje rezulton se 20 milionë euro të fituara nga droga janë përdorur për fushatë elektorale, për të blerë vota. Opozita pritet të mbajë qëndrime të forta për zhvillimet e fundit.

Qendrimit të i PD-së ndaj çështjes “Tahiri”, i cili është i ditur dhe i denoncuar për 4 vjet me radhë, i është bashkuar plotësisht dhe hapur dje LSI-ja, ish-aleatja e PS në mandatin e parë.

Mbrëmë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, pas takimit kokë më kokë me Bashën, deklaroi: “Mbështes qëndrimin dhe propozimin e kryetarit të PD z. Lulzim Basha për tryezë të gjerë politike që do të përgjigjet me një aksion intensive dhe pa kompromis në luftën ndaj bandave dhe Krimit në pushtet.”

Takimi i djeshëm në PD

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Petrit Vasili kanë pranuar ftesën e kryedemokratit Lulzim Basha për një takim në selinë blu. Ka zgjatur rreth 45 minuta takimi mes kreut të Partisë Demokratik dhe kryetares së LSI-së. Takimi u mbajt me dyer të mbyllura, në selinë e Partisë Demokratike ku theksi i bisedës ka qenë te qasja e opozitës pas akuzave ndaj mazhorancës si të lidhur me krimin. Takimi mes dy forcave opozitare, PD dhe LSI erdhi pas thirrjes së Bashës për një tyrezë dialogu për t’iu përgjigjur me një aksion politik luftës kundër krimit, ftesë kjo që mori përgjigje pozitive pak minuta më vonë nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Aksioni i ri opozitar

Aksioni politik i opozitës, i kryesuar nga Partia Demokratike dhe që pasohet nga LSI-ja do të vazhdojë deri në përmbysjen e qeverisë. Kjo u bë me dije mbrëmjen e djeshme në përfundim të takimit Basha-Kryemadhi në selinë blu, nga deputeti i PD-së, Flamur Noka në një intervistë që ai dha në studion e lajmeve në Ora Neës. “Të dhënat e deritanishme tregojnë se ky pushtet nuk mund të qëndrojë më në këmbë, sepse ky pushtet është me votat e asaj bande dhe të dhjetërave banda të tjera, ky pushtet është me paratë që ka marrë nga ajo bandë, pra me para dorge. Ky nuk është pushtet që ka ardhur nga vota e qytetarëve, prandaj nuk mund të rrijë. Ne do të sinkronizojmë aksionin opozitar me të gjithë faktorët opozitarë dhe me të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare për të nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e krimit dhe për ta vendosur Shqipërinë pranë Europës.  PD do të ndërmarrë aksionin e saj politik në bashkëpunim me të gjithë forcat e tjera. LSI është forca kryesore pas nesh që është në opozitë, sigurisht edhe me faktorë të tjerë për të përmbysur një qeveri të bandave”- u shpreh Noka. Në lidhje me përgjimet e Moisi Habiljat, nënkryetari demokrat i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare duke hedhur poshtë pretendimet e pasardhësit të tij në Ministrinë e Brendshme Saimir Tahiri tha se makina nuk është shitur, por është përdorur për trafik droge. “Ajo makinë nuk është shitur, ajo makinë ka qenë imunitetit diplomatik për ushtarët e bandës për të bërë trafik droge. Ju është dhënë nga Saimir Tahiri kushërinjve ta përdorin për trafik se ishte imunitetet diplomatik. Ajo makinë është bërë me letra është shitur kur doli skandali që një ish-oficer policie, Zagani e përmendi i pari dhe u bë zhurmë. Në atë kohë për të larë duart ia shiti kushërinjve. Por ajo makinë ishte e mbajtur për 2 vjet për trafik. Përgjimet e Prokurorisë së Katanias kanë zbardhur të zezën në të bardhë që makina AA 003 GB është përdorur për trafik dorge nga Shqipëria në Itali”- u shpreh deputeti demokrat. Noka tha se deklaratat e Ramës për distancim bëhen për të shpëtuar veten. “Çdo bandit kur i ngushtohet laku, ia hedh lakun shokëve përpara sepse kërkon të shpëtoje veten. Pra kjo është me ja hedh lakun Saje Qorrit sigurisht dhe për të larë duart. Por nuk mund ti lajë duart, sepse është i zhytur”- u shpreh deputeti demokrat, Flamur Noka.

DOSJA HABILAJ

SHKARKO APP