PD nis përgatitjet për protestën e madhe në Kavajë. Mobilizim çdo demokrati

Pavarësisht apeleve të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike, Partia Demokratike nuk ka ndryshuar asgjë nga qëndrimet e saj për pjesëmarrjen në zgjedhje. Përkundrazi, strukturat e PD-së janë vënë në lëvizje për protestën e madhe që demokratët kanë planifikuar të zhvillojnë në qytetin e Kavajës, më 7 maj.

Ditën e sotme, Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka takuar në seli krerët dhe sekretarët e degëve të PD-së. Qëllimi i takimit ishte mobilimi i strukturave jo vetëm në Tiranë, Durrës dhe Kavajë, por në gjithë vendin për të marrë pjesë në protestë. Basha ka kërkuar nga drejtuesit e PD-së në rrethe që të organizojnë të gjitha degët. Mësohet se kreu i PD-së ka bërë apel që në protestë të mos jenë vetëm demokratë, por edhe qytetarë që nuk janë të angazhuar në partitë politike.

“Impenjim i gjithë degëve, mobilizim i demokrateve dhe i qytetarëve”, ka qenë mesazhi që ka dhënë Basha në lidhje me përgatitjen e kësaj proteste të madhe popullore.

Demokratët e kanë cilësuar 7 majin si një ditë proteste kombëtare. Ndërkohë që Partia Socialiste duket e vendosur për të zhvilluar zgjedhje për kryetar bashkie dhe pa opozitën në këtë qytet

Zgjedhjet në Kavajë për kreun e bashkisë janë cilësuar si një test për fatin që do të kenë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në 18 qershor. Demokratët kanë paralajmëruar se në 7 maj nuk do të lejohen votimet. Gjë që do të thotë se gjatë protestës mund të kenë dhe bllokime dhe përplasje mes militantëve demokratë dhe atyre socialist në qendrat e votimit.  Ky është skenari më i keq i zhvillimeve politike në vend, të cilin të dyja palët e dinë që mund të ndodh, por deri tani nuk po bëjnë asgjë për ta ndaluar.

SHKARKO APP