PD, Ramës: Shkarko “Mr. Kokainën” e Bulqizës
Partia Demokratike kërkoi sot nga kryeministri Edi Rama shkarkimin e kreut të Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i cili pretendohet se u filmua duke marrë drogë.
Sekretari i PD-së, Gazmend Bardhi u shpreh se kryeministri Edi Rama është në dijeni të lidhje të Lefter Allës me grupet e drogës dhe e vetmja masë që duhet të marrë sot është shkarkimi i tij. ”Edi Rama e di se një përdorues kokaine ka njohje dhe lidhje me grupet kriminale të shpërndarjes së saj. Heshtja dhe mosveprimi i Edi Ramës është një tjetër dëshmi që përzgjedhja e Lefter Allës është bërë për shkak të cilësisë së tij si përdorues kokaine dhe lidhjeve të tij me grupet kriminale të shpërndarjes dhe shitjes së kokainës”,- tha Gazmend Bardhi.
Sekretari i PD-së i kujtoi kryeministrit edhe emrat e kryebashkiakëve që kanë dalë me probleme ligjore dhe shtoi se kjo është dëshmi e bashkëqeverisjes me krimin. “Fshehja pas përgjegjësisë individuale të Lefter Allës, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut, Mark Babanit, Qerim Ismailajt apo Agron Malajt, është pjesë e strategjisë së Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin. Këta i ka përzgjedhur dhe emëruar Edi Rama. Ky është modeli dhe ekipi qeverisës që Edi Rama i ofron shqiptarëve! Pa largimin e Edi Ramës nuk mund të ketë ndarje të politikës nga krimi!”,- deklaroi Gazmend Bardhi.
Ditën e sotme Lefer Alla është marrë nën hetim nga SPAK. Për të dhënë dëshmi është thirrur dhe gazetari Artan Hoxha, i cili publikoi videon. Pasi ka dalë nga SPAK, Alla nuk ka dhënë deklaratë për mediat, ndërsa ka tentuar të shmangë gazetarët. “Do kemi kohë të bisedojmë herë tjetër. Nuk kam komente sot. Komentet i kam në prokurori. E ka në dorë drejtësia”, u shpreh Alla. Më herët gjatë ditës së sotme socialisti Lefter Alla njoftoi përmes një postimi në Facebook se ka marrë rrugën për në Tiranë, ku do të padisë Ervin Salianjin.