PD: Rama nuk i donte koalicionet

Marrëveshja politike Rama-Basha arriti të shmang krizën politike dhe të fusë opozitën në zgjedhje. Ky është efekti pozitiv i marrëveshjes që u përshëndet nga të gjithë. Por veç anës pozitive, marrëveshja ka dhe shumë pika të errëta që tregojnë se veç vullnetit politik për zgjidhjen e krizës, Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë pasur edhe qëllime për të hequr qafe aleatët. Kjo është pjesë e pazarit dyshe. Eliminimi i aleatëve nuk është hipotezë, por fakt që konfirmohet nga vetë negociatorët që ulën në tavolinë Ramën dhe Bashën.

I pari është Agron Duka, i cili ishte njeriu që zhvilloi kontakte të shumta mes të dy palëve për gjetjen e marrëveshjes. Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste deklaroi dje në “Neës 24” se pika e marrëveshjes që ndalon koalicionet i ka gjetur të papërgatitur të gjithë aleatët e Partisë Demokratike. Ai ka kërkuar sqarime nga Lulzim Basha,  sesi arriti të firmoste një pakt ku ata që dëmtohen më shumë janë aleatët e PD-së. Janë të njëjtët aleatë që qëndruan me PD për 90 ditë në çadër dhe refuzuan ofertat e majme me euro dhe 20 mandate deputetësh vetëm që largoheshin nga Basha dhe të merrnin pjesë në zgjedhje. Përgjigja që ka dhënë Basha zbardh gjithë zhvillimin negociatave. Sipas kreut të PD-së, është Edi Rama ai që ka kërkuar me këmbëngulje pikën e marrëveshjes që përjashtonte koalicionet. Duka thotë se Edi Rama ka pasur hallin e LSI-së. Sipas tij, qëllimi i Edi Ramës me këtë marrëveshje ka qenë dëmtimi i aleatit strategjik të PS, Ilir Metës dhe LSI.

Të njëjtin shpjegim për çështjen e koalicioneve jep edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Ai thotë se PD nuk ka asnjë problem me aleatët dhe do të donte të kishte një koalicion sa më të madh. Por ka qenë këmbëngulja e Edi Ramës për të dëmtuar LSI-në në këto zgjedhje, ka qenë synimi me i madh i kryetarit të PS. “Ne s’kemi probleme me aleatët tanë, përkundrazi u jemi mirënjohës. Ishte Rama ai që kërkoi këtë pikë. Marrëdhëniet e Ramës me Metën s’kanë qenë asnjëherë me qetësi e dashuri, se kemi parë kreun e qeverisë që kërkonte ta fuste në burg kreun e partisë aleate. S’kanë pasur kurrë marrëdhënie të mira. Kur partitë e vogla futen në një koalicion marrin më shumë mandate se kur hyjnë vetëm”,- tha Paloka. Pra sipas Palokës ishte Edi Rama që shkatërroi krejt sistemin pluripartiak vetëm nga inati dhe xhelozia ndaj LSI.

Që marrëveshja ka pasur si synim eliminimin politik të partive aleate e konfirmoi edhe vetë aleati i Partisë Socialiste, Skënder Gjinushi. Kreu i PSD-së, një parti që ka qenë gjithmonë besnike ndaj PS, thotë hapur se me këtë marrëveshje Rama synon të qeverisë i vetëm. Gjinushi ndalet edhe në anët juridike të këtij pakti. Sipas tij është anti-ligjore dhe e pamoralshme që në një marrëveshje politike, të hapet gara me ligj të veçantë për regjistrimin e partive dhe të mos hapet për regjistrimin e koalicioneve. Kjo dëshmon se marrëvëshja Rama-Basha ka pasur pikë kryesore largimin e gjithë aleatëve duke e bërë pushtetin politik dy partiak, PS-PD.

Edhe kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, një parti aleate historike e PD, është kundër kësaj pike të marrëveshjes. Ashtu si anëtarët e tjerë të koalicionit, Mediu thotë se është njohur me këtë pikë të paktit Rama-Basha vetëm ditën kur u publikuar dokumenti.  Në të gjitha shpjegimet që Basha u ka dhënë aleatëve të tij, më kryesori ka qenë: “Rama nuk i donte koalicionet sepse donte të dëmtonte LSI”.  Duke ja hedhur gjithë fajin Ramës, Basha duket se padashje harron se marrëveshja është dy palëshe. Pra bashkë me Edi Ramën ,edhe Lulzim Bashës i ka interesuar një pakt i tillë që i lë forcat kryesore të qeverisin të pa shqetësuara nga partitë e tjera. Sepse është e pakuptimtë që Basha të ketë pranuar të asgjësojë politikisht edhe aleatët që i janë gjetur pranë në ditët më të vështira të opozitës. Veç kësaj Basha duhet të sqarojë dhe se me cilën ministri apo drejtori shkëmbeu kokën e partnerëve të tij në koalicion. Ky është një tjetër fakt që tregon se kjo marrëveshje ka qenë “merr dhe jep” si në një Pazar.

Eshtë absurde se si dy burra takohen dhe firmosin një marrëveshje që nuk lejojnë partitë e tjera të mos regjistrohen si koalicione, sepse nuk duan ata të dy! Kodi Zgjedhor e lejon, kurse Basha dhe Rama dalin mbi ligjin për interesa politike. Kjo është jo vetëm e turpshme, por edhe kriminale ndaj demokracisë.

SHKARKO APP