PD, Spaho: Front qytetar për të mbrojtur Teatrin. Ne, para fadromave

Edmond Spaho foli në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja për ligjin që miratoi qeveria për ndërtimin e një teatri të ri. Kryetari i grupit parlamentar demokrat theksoi se nuk kishte dyshime që ky ligj do të miratohej dhe shtoi se tani hapi i radhës i Partisë Demokratike do të jetë ankimimi në Gjykatën Kushtetuese.

“Tani që ka ligj do e ankimojmë sepse më parë nuk kishim se çfarë të ankimonim. Teatri është çështje e gjithë Tiranës. Do të bashkëpunojmë me artistët dhe qytetarët që të bashkohemi për të bërë një front qytetar. Nëse vijnë për ta rrëzuar, ne do ta bllokojmë qeverinë, duke qenë populli dhe ne deputetët para fadromave”,- deklaroi Spaho.

Ndërsa për ligjin e lojërave të fatit ai tha se “I konsideroj personalisht ves lojërat e fatit dhe jam për kufizimin sa më shumë që të jetë e mundur, por, nëse do të shikojmë përtej demagogjisë, ndeshesh me fakte që kemi të bëjmë me një lëvizje të llogaritur. Edhe më parë (Rama) tha se do t’i mbyllim dhe jo që nuk u mbyllën, por hoqi disa dhe ia kaloi aktivitetin disa të tjerëve. Ishin 700 njësi, sot kemi më shumë se 4000. Rama e zhvilloi këtë industri që godet direkt familjet. Rama ka thënë që lojërat elektronike do t’i shqyrtojë në fazë të dytë”, deklaroi Spaho.

Ai shtoi: “Tani do që t’i largojë njëherë, por pas 5-6 muajsh do të marrë vendim qeverie ku do të licencojë ose të hapë një garë formale për të zhvilluar bastet online”.

SHKARKO APP