PD: Zgjedhjet në universitete të shtyhen. Rama: Qeveria s’ka ndërhyrë

Kërcënimet ndaj rektorit Dhori Kule dhe kandidati për rektor Mynyr Koni kanë qenë temë kryesore e debatit në Komisionin Parlamentar të Mediave.  Deputeti demokrat, Luçiano Boçi e ka cilësuar këtë situatë të papranueshme dhe ka kërkuar në emër të PD që të shtyhen zgjedhjet në universitete.

“Studentët dhe pedagogët ndihen të pasigurt. Ministria hartoi programin, ndërhyri në proces. Zgjedhjet kanë rënë, ministrja duhet të gjejë zgjidhjen. Kryeministri Rama të përgjigjet për kërcënimet”,- tha Boçi.

Ndërkohë, sipas deputetit demokrat Genc Pollo një arsye pse duhet të shtyhen këto zgjedhje në universitete është edhe fakti se sipas tij, kandidatja Klodeta Dibra është e politizuar.

Pjesë e debatit është bërë dhe Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Rama ka shfrytëzuar një inaugurim në ambientet e Korpusit Universitar në Tiranë, për të komentuar zhvillimet e debatueshme gjatë ditëve të fundit në garën e universiteteve.

Rama tha se gara ka qenë e rregullt deri tre ditë më parë. Ndërsa shtoi se nuk ka asnjë kandidat të Partisë Socialiste që të jetë bërë pjesë e garës mes akademikëve.

Si asnjëherë më parë në proces, deri tre ditë më parë, ankimimet kanë qenë zero. Dhe proçesi sipas informacioneve ka ecur normalisht. Si asnjëherë më parë qeveria dhe partia më e madhe e koalicionit nuk ka ndërhyrë në asnjë moment dhe nuk kanë venë gishtin për të orientuar votën mbi një kandidat dhe jo një tjetër. Dua ta konfirmoj këtë. Nuk ka kandidat të PS. Janë kandidatë të Universitetit, Fakultetit, që përfaqësojnë një karrierë, meritën e tyre.Të gjithë janë të barabartë. U takon atyre që zgjedhin të bëjnë zgjedhjen e tyre duke pasur parasysh që nuk po zgjedhin një parti, deputet, kryetar bashkie, por personin dhe personat që do të çojnë përpara reformën dhe do ta  zbatojnë në praktikë”,- tha Rama.

Ndërsa ministrja Lindita Nikolla e quan të papranueshme dhe ngjarje të shëmtuar kërcënimin ndaj rektorit duke shtuar se do të vendoset para ligjit kush guxon të cënojë autoritetin e arsimit të lartë.

Ngjarje e shëmtuar aspak e pranueshme u bë fakt. Falë ndërhyrjes së organizave të drejtësisë, qeverisë, drejtësia po vendos. dhe kush guxon të cënojë autoritet e arsimit të lartë po përgjigjet para drejtësisë, por ne duhet të vijojmë garën demokratike dhe ta finalizojmë’,- tha Nikolla.

SHKARKO APP