Aksidenti/ PD: Parlamenti ti heq urgjent imunitetin deputetit Aqif Rakipi
Partia Demokratike ka reaguar sërisht për aksidentit ku deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi përplasi për vdekje 54-vjeçarin Seit Sorra. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, bëhet me dije se PD-ja i kërkon Parlamentit që të nisë procedurat për heqjen e imunitetit të deputetit Aqif Rakipi.
Në deklaratë thuhet se Rakipi rrezikon një vit burg, sipas Kodit Penal, ai u largua nga vendi i ngjarjes. Më tej PD-ja hedh akuza se po bëhet gjithçka për të paraqitur viktimën fajtor të aksidentit.
Deklarata e PD:
“Neni 273 i Kodit Penal, i cili eshte ne fuqi edhe per miqte e Edi Rames, dikton se Aqif Rakipi mban pergjegjesi edhe per largim nga vendi i aksidentit, pergjegjesi qe ne vetvete denohet deri ne 1 vit burgim.
Mbare opinioni publik eshte i revoltuar se si gjithe shteti eshte vene deri tani ne sherbim te deputetit mik te Rames, dhe ne kurriz te viktimes. Gjithcka per ta paraqitur viktimen fajtor te aksidentit dhe fajtorin viktime. Largimi nga vendngjarja pas perplasjes per vdekje te Seit Sorres, pervecse akt burracak i deputetit Rakipi, eshte edhe veper e paster penale qe e rendon poziten e tij para ligjit.
Por miku i kryeministrit po perfiton nga Edi Rama i cili eshte ne vijim te qendrimeve te tij te njohura, prane krimit e larg qytetareve. Per me teper, qe deputeti Rakipi njihet si pike kyce e nderlidhjes se Edi Rames me trafiqet. Partia Demokratike i kerkon Prokurorit te Pergjithshem dhe Kreut te Parlamentit te nisin urgjent procedurat e heqjes se imunitetit te deputetit Rakipi, dhe nje hetim te plote dhe te pandikuar te ngjarjes, ne menyre qe te kete drejtesi per viktimën”.
Pas deklaratës së PD për heqjen e imunitetit ka reaguar dhe deputeti i PDIU, Aqif Rakipi. Në një prononcim për Report Tv, deputeti Rakipi deklaron se me ngjarjen është marrë drejtësia, si dhe kanë folur dëshmitarët. Më tej, Rakipi shpreh keqardhje për atë që ndodhi, ndërsa i kërkon PD që të mos bëjë politikë me një aksident.
“Në radhë të parë dua të shpreh keqardhjen për viktimën, ishte një aksident dhe janë ekspertët e dëshmitarët që e kanë thënë fjalën e tyre. Unë kam shkuar vetë në polici dhe kam sqaruar rrethanat. Keqardhja ime me e madhe është viktima dhe familjarët e tij. Sa i përket deklaratave të PD me vjen keq që opozita është katandisur në këtë pikë. Nuk mund të bëhet politike me një aksident. Ka gjera me të mira PD për të bërë në shërbim të vendit”, deklaroi deputeti i PDIU.
Aqif Rakipi: Nuk u largova nga vendi i ngjarjes
Aqif Rakipi, deputeti i PDIU-së, i cili aksidentoi për vdekje dy ditë më parë Seit Sorrën në autostradën Tiranë-Durrës shprehet se nuk është larguar nga vendi i ngjarjes. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Rakipi tregon se ka ndaluar menjëherë, ka dalë nga makina dhe nga tronditja s’ka qëndruar më aty por është dorëzuar në Komisariatin e Policisë ku ka treguar ngjarjen.
Ai hedh poshtë pretendimet se ka kërkuar që të shkojë në varrimin e të ndjerit dhe tregon se kthehej nga një i afërm i shtruar në spitalin e Durrësit.
INTERVISTA
Zoti Rakipi, ju keni heshtur, por mund të zbardhim disa detaje rreth aksidentit. Si ndodhi?
Në radhë të parë, më vjen keq për njeriun që humbi jetën. Në radhë të dytë, më vjen keq për familjarët, nënën, vëllezërit, bashkëshorten dhe fëmijët. Më shqetëson vetëm pjesa që i përket të ndjerit që humbi jetën. Për pjesën time, nuk e kam menduar për asnjë çast, sepse nuk kam pasur asnjë faj. Kam qenë në rrugën time, jo me shpejtësi dhe i ndjeri më ka dalë përpara si hije. Aq sa nuk kam arritur ta shoh. Më mirë aksidentin e tregojnë dëshmitarët okularë që ishin në furgonin që i kishte sjellë ata për në punë. Ata e zbardhin më mirë sesa unë që isha brenda në makinë dhe u godita. Edhe kur kam treguar në Polici kam thënë se nuk e di dhe nuk e kuptova se si më doli përpara makinës. Personat e tjerë që ishin me të ndjerin, e që punonin bashkë, kishin kaluar rrugën, ndërsa i ndjeri kishte qëndruar më prapa me shoferin e furgonit. Ai ka dalë nga para furgonit dhe e kam parë vetëm kur e kam goditur.
A keni qenë më shpejtësi?
Kam qenë me shpejtësi normale të lejueshme, sepse nëse do kisha pasur shpejtësi të madhe do të isha bërë copë edhe vetë, mund t’i kisha rënë murit ndarës të autostradës, sepse goditja më erdhi si nga lart, papritur. Mospasja e shpejtësisë më ka lënë në korsi pa u përplasur me betonin.
Është thënë se ju nuk keni ndaluar fare pas aksidentit, por keni vazhduar rrugën. Si është e vërteta?
Nuk është e vërtetë. Unë ndalova menjëherë. Zbrita nga makina dhe pashë se çfarë kishte ndodhur. Erdhën dhe makina të tjera nga pas dhe ndaluan. U afruan dhe njerëz që ishin aty përreth, nga tregu a ku di unë. Isha shumë i tronditur nga ngjarja e papritur. I kam hipur makinës dhe shkova në komisariat. Kam shkuar me makinën time në komisariat. Nëse do isha me shpejtësi, dëmtimi i saj nuk do të lejonte që të lëvizte nga vendi.
Ju po ktheheshit në Tiranë, ishit në ndonjë sebep?
Unë po kthehesha nga spitali i Durrësit ku kisha qëndruar deri në mëngjes pranë një njeriut tim, që është e shtuar me sëmundje të rëndë. Shumë është thënë këto dy ditë se isha këtu e isha atje, kisha këtë e kisha atë. Politikanët e pashpirt le të flasin, ata nuk janë njerëz. Unë nuk i përkas atyre, unë jam njeri i thjeshtë pranë njerëzve dhe e jetoj si çdokush dhimbjen e secilit. Unë ju thashë dhe më lart, se më vjen keq për të ndjerin dhe familjarët e tij për një aksident të ndodhur jashtë vullnetit tonë, për fatin tonë të keq.
Nga familjarët e të ndjerit është thënë se ju keni dashur të shkoni në varrim. Keni kontaktuar me ta?
Jo, nuk është e vërtetë. Është një situatë e rëndë dhe unë e kuptoj gjendjen e familjarëve. Mua më vjen zor që të shkoj dhe t’i pijë kafen e vakisë dhe pse nuk kisha faj, por fatkeqësia ndodhi. Edhe më vonë, pasi të jetë kaluar dhimbja e madhe, mua përsëri më vjen zor t’i dal përpara familjarëve, gruas e fëmijëve të të ndjerit. Jemi njerëz mbi të gjitha. Unë ndaj me ta dhimbjen për këtë fat tragjik. Por unë kam çuar njerëz të mi për të shprehur ngushëllimin në emrin tim dhe ata e kanë kuptuar këtë pjesë të fatit të keq që na ndodhi të dy palëve. Familjarët e të ndjerit janë treguar shumë njerëzorë, i kanë pritur mirë dhe kanë mirëkuptuar pozicionin tim.