PD:Taksat e Bashkisë së Tiranës shkatërruese për biznesin
Por rritja e çmimit të biletave ishte kostoja më e vogël që këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar për qytetarët në atë mbledhje. Paralelisht me shtrenjtimin e biletave, Këshilli ka miratuar rritjen më të fortë të taksave në historinë e Bashkisë së Tiranës, të cilën publiku do i mësonte vetëm 2 muaj më vonë.
Taksat e reja
Për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, qytetarët e saj do të paguajnë një taksë për arsimin. Edhe pse Kushtetuta e thotë në mënyrë të qartë se arsimi në republikën e Shqipërisë është falas, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar për vitin 2016 një taksë të quajtur “Taksa e e përkohshme për infrastrukturën arsimore.” Kjo taksë do të paguhet si nga familjarët ashtu edhe biznesi.
Më konkretisht, familjarët do të paguajnë 1800 lekë në vit për arsimin, ndërsa për biznesin taksa do të variojnë nga 4 mijë deri në 37 mijë lekë në vit ose mbi 300 dollarë.
Një tjetër taksë e re që shtohet është ajo e truallit dhe do të jetë 20 lekë në muaj për çdo metër katrorë. Edhe kjo taksë paguhet si nga familjarët ashtu edhe biznesi.
Taksat që rriten
Në vitin 2016 janë 5 taksa ekzistuese, të cilat rriten në mënyrë të ndjeshme. Rritjen më të fortë e ka taksa e tabelave. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, për tabelat e zakonshme taksa rritet nga 120 lekë për metër katrorë në 45 mijë lekë për metër katrorë. Ndërsa për tabelat elektronike taksa dyfishohet nga 45 mijë lekë për metër katrorë në 90 mijë lekë për metër katrorë.
Veç taksës së tabelës, rritje të fortë ka edhe ajo e ndikimit në infrastrukturë, e cila paguhet nga ndërtuesit. Deri më tani, kjo taksë ka qenë 4 për qind mbi koston e ndërtimit, çka në vlerë përkthehej mesatarisht 1360 lekë për metër katrorë sipërfaqe ndërtimi. Por nga 1 janari i këtij viti, kjo taksë do të jetë 8% mbi çmimin e shitjes dhe e shprehur në vlerë do të thotë nga 6200 në 15200 lekë për metër katrorë ndërtim.
Së fundmi dy taksat e tjera që janë rritur është ajo e fjetjes në hotel, e cila shkon nga 3 për qind në 350 lekë për natë fjetje, ndërsa taksat mbi ndërtesën rriten nga 280 lekë në 440 lekë për metër katrorë për biznesin dhe nga 70 në 100 lekë për metër katrorë për banesat.
Tarifat që rriten
Në total Bashkia e Tiranës ka vendosur rishtas ose rritur 12 taksa dhe tarifa për vitin 2016. Rritjen më të fortë e ka tarifa e zënies së hapësirave publike. Deri më tani, kjo tarifë ka qenë 120 lekë për metër katrorë. Por në paketën e re të vitit 2016, kjo tarifë është rritur me 12.5 herë ose 1250 për qind. Si rezultat për këtë vit bizneset që shfrytëzojnë hapësira publike do të paguajnë 1500 lekë në muaj për çdo metër katrorë hapësirë që shfrytëzojnë.
Por veç tarifës së hapësirës, rritje të fortë do të ketë edhe tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave. Kjo tarifë ka qenë e përshkallëzuar sipas madhësisë së biznesit dhe varionte nga 10 mijë në 225 mijë lekë në vit. Por nga 1 janari i këtij viti bizneset do të paguajnë për këtë tarifë nga 20 mijë deri në 450 mijë lekë në vit.
Shtohen tarifa të reja
Këshilli Bashkiak nuk i ka rënduar bizneset vetëm përmes rritjes së tarifave ekzistuese. Paralelisht nga data 1 janar, janë shtuar edhe dy tarifa të reja, ajo e dhënies së licencës për tregtimin e karburanteve dhe lëndëve djegëse si dhe tarifa e shërbimeve veterinare.
Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, çdo biznes që do të tregtojë karburant apo lëndë djegëse duhet të pajiset me licencë dhe për të marrë këtë licencë do të paguajë nga 1 milionë deri në 5 milionë lekë. Ndërsa tarifa e dytë, ajo e shërbimeve veterinare do të jetë nga 200 në 500 lekë për çdo krerë bagëtie.(syri)