Pedagogët: Keni vetëm 10 ditë afat ose grevë e përgjithshme universitare
Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ka dalë me një deklaratë në përfundim të takimit të djeshëm ku kërkon dorëheqjen e Bordit të Administrimit, ndërsa Ministrisë i kërkohet të shkarkojë anëtarët që janë në varësi të saj.
Forumi kërkon rishikimn e ligjit të arsimit të lartë dhe nisjen e një debati brendauniversitar në lidhje me standardet e mësimdhënies.
Sipas pedagogëve, nëse Ministria e Arsimit dhe Kryeministri nuk reagojnë për kërkesat e tyre, brenda dhjetë ditësh ata do të përshkallëzojnë protestën.
“Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, organizoi dje (më 12 shkurt 2018), në orën 10, një takim me pedagogë të Universitetit të Tiranës, në godinën Liria, pranë qytetit Stdudenti, për të diskutuar në lidhje me gjendjen e rëndë të krijuar në Universitetin e Tiranës. Në takim morën pjesë 123 pedagogë nga Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Shencave të Natyrës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë”,- thuhet në njoftimin e Forumit.
Gjithashtu, Forumi bën me dije se “Pedagogët pjesëmarrës, me diskutimet e tyre, bënë një analizë të gjendjes së rëndë të krijuar në Universitetin e Tiranës i cili është zhytur në një krizë të thellë që rrezikon të përkeqësohet më tej nëse profesorati, studentët, autoritetet drejtuese dhe institucionet qeveritare nuk ndërhyjnë në mënyrë emergjente për përballimin e problemeve të krijuara.
Pas debatit të zhvilluar në këtë takim u konkludua se:
1. Vonesa e pagave të pedagogëve edhe pse mjaft problematike dhe shqetësuese për mënyrën sesi u trajtuan profesorati dhe personeli ndihmës i UT-së, nuk është shqetësimi themelor i UT-së; shqetësim themelor i UT-së është bllokimi total insitucional i UT-së.
2. Ky bllokim është pasojë e ligjit për arsimin e lartë, i cili krijon dy strukutura pararalele në UT që pengojnë njëra-tjetrën, Bordin e Administrimit dhe administratorët nga njëra anë, rektorin dhe autoritetet e zgjedhura akademike nga ana tjetër. Bordi i adminstrimit dhe administratorët me prirjen për të vendosur një sundim administrativ mbi universitet u kundërvihen dhe bllokojnë qëllimisht organet e zgjedhura nga trupa akademike dhe studentët.
3. Bordi i adminstrimit dhe admistratori janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar pasi ata kanë dështuar në menaxhimin financiar të UT-së.
4. Qeveria është përgjegjëse për mosnxjerrjen e akteve nënligjore, për rastin në fjalë, gjë që ka shkaktuar edhe një pjesë të shqetësimeve aktuale.
5. Rektorati, senati, dekanatet e deri në nivel të përgjegjësve të departamenteve janë përgjegjës për mosreagimin, për mosushtrimin e autoritetit që u cakton ligji si dhe për mosinformimin e gjithë trupës së pedagogëve dhe studentëve për gjendjen e krijuar.
6. Qeveria merr përsipër financimin e buxhetit të pagave vetëm për 9 muaj dhe për të mbuluar këtë boshllëk, 3 muaj merren nga të ardhurat e taksave të studentëve, në vend që këto taksa të përdoreshin për investime, për përmirësimin e shërbimeve ndaj studentëve, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Kjo është një shkelje e hapur e Kushtetutës e cila garanton mbështetjen financiare të plotë të universiteteve publike nga ana e institucioneve.
7. Pedagogët e pranishëm në takim u shprehën se edhe zgjidhja e bërë nga Bordi i Administrimit duke e tejkaluar përkohësisht problemin e pagave përmes pjesës së buxhetit të brendshëm nga taksa studentore është e papranueshme, pasi taksat e studentëve duhet të përdoren në funksion të përmirësimit të kushteve të studentëve (siç u shprehëm në pikën më lart), të cilësisë së mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor dhe jo për pagat e pedagogëve.
Nisur nga këto probleme të diskutuara, të analizuara dhe të pranuara nga të gjithë kolegët e pranishëm, Forumi vendosi:
1. Të kërkojë dorëheqjen e Bordit të Administrimit dhe administratorit të UT-së dhe t’i kërkojë Ministres së Arsimit të shkarkojë anëtarët e bordit në varësi të saj.
2. Të kërkojë rishikimin e mundësisë për amendimin e disa prej neneve problematike të ligjit për arsimin e lartë ose përmirësimin e ligjit përmes akteve nënligjore. Forumi mendon se në aktet e fundit nënligjore pati një rregullim të tillë, që mund të përdoret si model për aktet e tjera nënligjore.
3. Të kërkojë rritjen e financimit të Universitetit në tërësi, përmirësimin e kushteve financiare të pedagogut dhe kushteve të jetës studentore. Duke patur parasysh kapacitetin financiar të shtetit shqiptar pedagogët kërkojnë që si referencë të trajtimit financiar të merren vende me status ekonomik si ai i vendit tonë, ose më të ulët (Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi).
4. Të kërkojë transparencë për korpusin universitar në kushtet kur UT-ja ka mungesë në infrastrukturë.
5. Inicimin e një debati brendauniversitar, të hapur për profesoratin, studentët dhe publikun, në lidhje me standardet profesionale të mësimdhënies, të kurrikulave, në lidhje me kushtet e studentëve, gjithashtu në lidhje me vizionin për një universitet bashkëkohor, që do të forconte rolin e UT-së në sistemin e dijes e sigurisht në shoqëri.
6. Nisjen e negociatave me Ministrinë e Arsimit, Kryeministrinë, Komisionin parlamentar të Medias dhe Edukimit për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të universitetit. Për këtë arsye forumi ka konstituuar një grup përfaqësimi prej 15 vetësh, i cili do të kontaktojë me autoritetet drejtuese të universitetit dhe do të diskutojë për gjetjen e zgjidhjeve për të dalë nga kjo situatë.
7. Nëse Ministria, Kryeministria dhe institucionet e tjera nuk do t’i përgjigjen kërkesës sonë për negocim, dhe nuk do të reagojnë ndaj shqetësimeve tona, ne rezervojmë të drejtën që brenda dhjetë ditësh të përshkallëzojmë reagimet tona deri në grevë të përgjithshme.