Për cilin e ka fjalën ministri kur përmend “njerëz mafioz” në Shkodër?

Gjatë të gjithë fushatës, kryesuesi i listës së Shkodrës për PS-në, Ditmir Bushati ka denoncuar fort rastet e shitblerjes së votës, presioneve të ndryshme apo lidhjet e krimit me politikën. Por në falenderimin që bëri për shkodranët, Bushati foli për mafiozë, që administrojnë interesa kriminale.

“E kam thënë thuajse në çdo takim gjatë fushatës zgjedhore që armiku i Shkodrës është varfëria, padrejtësia, pabarazia sikundër politika e ndasive që e ka mbajtur Shkodrën në kthetrat e së shkuarës.

Ne, shkodranët kemi vullnet të hekurt! E ndërtojmë dhe e rindërtojmë “Rozafën” sa herë të jetë e nevojshme, dhe këtë duhet e do ta bëjmë sa të kemi fuqi!

Për Shkodrën që reflektonte në sytë e mijëra vajzave dhe djemve, që na ndoqën kudo të mërzitur nga keqpërfaqësimi i deritanishëm e të neveritur nga lloj lloj personazhesh që më shumë kanë lidhje me filmat me mafioze që administrojnë interesa kriminale se sa me Shkodrën që dum, duhet ta ngrejmë “Rozafën” shkruan Bushati në një status në Facebook.

Dyshimet janë se këtë etiketim pa emër, drejtuesi politik i PS në Shkodër mund ta ketë pasur për Tom Doshin. Deputeti i PSD, pak ditë më parë kur u pyet për Ditmir Bushatin tha se “ai ka lindur i zi”.

STATUSI I PLOTE I DITMIR BUSHATIT NE FACEBOOK

Sllogani i kësaj fushate ishte “Shqipëria që duam”! Shkodra si “principatë” rebele dhe kreative, ja kishte qejfi ta thoshte “i fije” n’gegnisht “Shkodra që dum”.

Sot, Shkodrën që dum e kemi të përfaqësuar në Kuvend nga lista e Partisë Socialiste. Nga lista e shkodranëve të punës si Luani. E shkodraneve luftarake si Senida, e malësorëve të palodhur si Paulini. E njerëzve që nuk kërkonin vota, por kërkonin mbështetje. E njerëzve që nuk kërkonin pushtet, por akses që të sillnin më shumë projekte e investime për Shkodrën.

E kam thënë thuajse në çdo takim gjatë fushatës zgjedhore që armiku i Shkodrës është varfëria, padrejtësia, pabarazia sikundër politika e ndasive që e ka mbajtur Shkodrën në kthetrat e së shkuarës.

Ne, shkodranët kemi vullnet të hekurt! E ndërtojmë dhe e rindërtojmë “Rozafën” sa herë të jetë e nevojshme, dhe këtë duhet e do ta bëjmë sa të kemi fuqi!

Për Shkodrën që reflektonte në sytë e mijëra vajzave dhe djemve, që na ndoqën kudo të mërzitur nga keqpërfaqësimi i deritanishëm e të neveritur nga lloj lloj personazhesh që më shumë kanë lidhje me filmat me mafioze që administrojnë interesa kriminale se sa me Shkodrën që dum, duhet ta ngrejmë “Rozafën”.

Për Shkodrën e qindra dhe mijëra shkodranëve të lodhur nga hallet, por të pa mposhtur nga pazari i votës, duhet ta ngrejmë “Rozafën”. Duhet ta nxjerrim nga harta e varfërisë për ta rifutur në rrugën e zhvillimit. Është një luftë që nuk fitohet veç me një betejë.

Rozafa sot është simbol i shpresës, optimizmit, dinjitetit, mirëqenies. Rozafa sot jemi të gjithë ne me sytë nga Shkodra që dum.

Faleminderit Senidë, Paulin, Luan, Teuta, Vilson, Myzafer, Majlindë, Alfons, Bledianë, Pjetër. Faleminderit posaçërisht Paulin Lulit, i cili solli një rezultat spektakolar nga Puka dhe Fushë Arrëzi dhe që e meritonte plotësisht mandatin për fushatën me zemër e plot dinjitet. Por loja e numrave shpesh është e padrejtë!

Sot pas shumë vitesh keqpërfaqësimi, keqkuptimi e keqadministrimi me Shkodrën, kemi nje ekip grash e burrash normal që jetojnë me dhe për Shkodrën, e jo me pushtetin e radhës për shkak të frikës që kanë nga drejtësia, të gatshëm për ta përdorur mandatin e fituar në funksion të zhvillimit të Shkodrës.

Sepse Shkodra, qendra simbol e civilizimit të Shqipërisë, meriton të njëjtin zhvillim si Tirana, Durrësi, Vlora e Korça. Sepse Shqipëria ka nevojë për një zhvillim harmonik e të qëndrueshëm nga Veriu në Jug!

Faleminderit Shkodër!

SHKARKO APP