Për shkak të bllokadës në pjesën serbe të kufirit, Kosova mbylli dy vendkalime kufitare me Serbinë
Grupe qytetarësh nga Serbia bllokuan të premten në mbrëmje pjesërisht rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Kosovën, duke kërkuar tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve serbe të mbyllura nga autoritetet e Prishtinës.
Protestuesit vendosën makina në mes të rrugës afër vendkalimit në Merdarë, duke i kthyer prapa udhëtarët me dokumente të Kosovës.
Organizatori i protestës Dragisha Miriç tha se bllokimi është përgjigje e ndërsjellë ndaj masave të vendosura nga autoritetet e Prishtinës për serbët e Kosovës.
“Ashtu siç bëri kryeministri (Albin) Kurti kur deklaroi se letërnjoftimet serbe nuk do të pranohen në Kosovë. Edhe ne tani kërkojmë të njëjtën gjë: që personat me letërnjoftime të Kosovës të mos kalojnë e të hyjnë në Serbi”, tha ai.
Autoritetet në Kosovë mbyllën dy vendkalime kufitare në Bërnjak në veri të vendit dhe Merdarë për shkak të pengesave me të cilat po përballen qytetarët.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe kontrolluar udhëtarët.
”Para pak çastesh, një familjeje e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore”, shkroi ai në rrjetet sociale duke theksuar se këto veprime janë të papranueshme.
Autoritetet në Kosovë mbyllën në orët e mbrëmjes vendkalimin kufitar në Bërnjak në veri të vendit për shkak të pengesave me të cilat po përballen qytetarët dhe rreth mesnatës edhe vendkalimin në Merdarë.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, shkroi se “pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë”.
Ai shkroi se fakti që ndalimi po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, “e bën atë bashkëfajtore”.
Bllokimi pasoi operacionin e 30 gushtit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri, në një veprim që nxiti kritika nga diplomacia perëndimore.
Autoritetet në Kosovë thanë se komunat paralele serbe në veri, “kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Operacioni nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik serbë në veri.
Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme. Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur./DW/