Përfundimisht ARMIQ Rama dhe Blushi

Mbledhja djeshme e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në vend që të sheshonte problemet mes Kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi ka thelluar edhe më tej ndarjen mes tyre.Më saktë u bënë armiq.Incidenti i Elbasanit, ku deputeti Blushi u sulmua fizikisht gjatë takimit të socialistëve, jo vetëm nuk është diskutuar nga drejtuesit e PS-së, por ka shërbyer si një shkak të për vazhduar sulmin ndaj deputetit Blushi. Tonet kanë qenë të larta mes deputetit Blushi, kreut të PS-së, Edi Rama dhe mbështetësve të tij, aqsa mbledhja dukej sikur ishte një vazhdimin i linçimit ndaj deputetit rebel.

Pas mbledhjes nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, raportoi për mediat një tjetër panoramë të asaj çfarë ndodhi në mbledhje, duke minimizuar përplasjen Rama-Blushi. Por realisht ja çfarë ka ndodhur në takimin e deputetëve të PS. Burime nga grupi i Partisë Socialiste thanë se mbledhja është hapur nga Gramoz Ruçi. Kreu i grupit parlamentar  tha se ka një kërkesë për të shqyrtuar ngjarjen e Elbasanit, por sipas tij incidentin me Blushin duhet ta shqyrtojë asambleja e këtij qytetit, pasi aty ka ndodhur ngjarja. Pas Ruçit e ka marrë fjalën deputetja e PS, Arta Dade, e cila  ka bërë një kërkesë për shqyrtimin e kësaj ngjarjeje. “Kjo ne socialistëve nuk na ka ndodhur veçse në kohën e Berishës. Si mundet që ne te kemi mbërritur në pikën për ta sulmuar një kolegun tonë deri edhe fizikisht. Po ju Anastas (Angjeli) dhe Musa (Ulqini) si socialistë të vjetër si nuk ndërhytë në këtë ngjarje”,- tha Dade. Pas kësaj e ka marrë fjalën Ben Blushi duke thënë se atij nuk mund t’ia heqin të drejtën për të rrëfyer atë që ka ndodhur. “Nuk është burrëri që të mos më japësh fjalën” i ka thënë ai Ruçit.

Deputeti i Elbasanit është ngritur për të rrëfyer atë që kish ndodhur fundjavën e kaluar në këtë qytet, duke u shprehur se ata që e sulmuan në Elbasan janë nxitur nga drejtuesit e PS-së në Tiranë. “Njerëzit atje nuk kanë faj, fyerjet ndaj meje janë frymëzuar që këtu”- ka thënë Blushi.  Ai ka shtuar se “kjo parti mbron kriminelët dhe sulmon ata që kërkojnë votime”. Në këtë moment ka ndërhyrë dhe Kryeministri Edi Rama. Mësohet se Rama  ka përplasur në mënyrë demonstrative një gotë uji dhe më pas ka filluar të bërtasë në drejtim të Ben Blushit: “Shpifës, ti je shpifës!”. Një burim brenda grupit tregon se Rama vazhdoi t’i ulërasë deputetit të tij: “Ku i ke emrat, trego emrat e kriminelëve, u bënë dy vjet që shpif!”. Ngritja e toneve mes të dyve ka zgjatur më shumë se 20 minuta pa ndërprerje. Ndërkohë që Rama bërtiste edhe Ben Blushi vazhdonte me të njëjtin ton duke thënë: “Kriminelët në këtë parti i solle ti dhe do të duhet kohë që ta shlyejmë këtë damkë”. Debati është mbyllur kur Rama ka përsëritur etiketimin “Shpifës”, ndërsa Blushi i është përgjigjur: “Ti nuk ke burrëri as deri tek taka e këpucës”. Deputetët e pranishëm në takim thanë se mes Ramës dhe Blushit ka pasur mjaft sharje e ofendime të rënda. Bile jo vetëm kaq!

Mbledhja e grupit parlamentar të PS ishte një mundësi për të ulur “gjakrat” mes Blushit dhe Ramës. Të paktën formalisht, Partia Socialiste duhet të ishte distancuar nga linçimi i deputetit nga një grup zyrtarësh lokal të PS-së në Elbasan. Por shmangia e kësaj çështje, sikur nuk ka ndodhur gjë, ka dhënë mesazhin më të keq për zhvillimet në Partinë Socialiste. Pas takimit Rama tha për mediat vetëm një fjali; “Ka pasur debate, ndaj quhet Partia Socialiste”. Diskutimet emocionale kanë qenë gjithmonë pjesë e PS, por kanë qenë diskutime jo fyerjet dhe kërcënimet e hapura që tashmë kalojnë dhe caqet etike të komunikimit politik. Ngjarja e Elbasanit u dënua dhe nga njerëz që janë kundërshtarë të Blushit në PS dhe jashtë saj. Heshtja e PS-së zyrtare duket se zyrtarizoi sulmin ndaj Blushit. Më e pakta duhej që selia rozë të shprehej për rastin e Elbasanit, në mënyrë zyrtare e jo me gojën e Ballës.

Debati i djeshëm mes Ramës dhe Blushit është ndër më të ashpërit mes dy politikanëve të Partisë Socialiste. Pas kësaj nuk ka më asnjë shpresë për paqtim mes tyre, ndonëse dikur ishin shumë miq. Ben Blushi dhe Edi Rama janë tashmë armiq mes tyre dhe nuk dihet se deri ku do të shkojë armiqësia e tyre, pavarësisht se nga shtabi i Blushit thonë se në Kongres Blushi do të nxjerr emra, fakte, dokumente dhe foto për disa gjëra, të cilat nuk t’i përdorin para kongresit.

Të mërkurën pritet edhe një përballje e parafundit mes tyre në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Mësohet se numri i anëtarëve të Asamblesë që janë kundër Ramës është më i madh se numri i deputetëve proBlushit.

Në fund të fundit PS-ja mbetet një parti që ka patur përherë sherre, debate, sharje, çarje, ribashkime dhe armiqësi e cila mund të thuhet se ka përfunduar prapë në miqësi. Dhe prapë nga miqësia në armiqësi. Tamam një rrumpallnajë socialiste !

SHKARKO APP