Takimi PS-LSI. Meta: President konsensual. PPE do ndërhyjë në dialogun me PD

Ka përfunduar takimi mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta.  Takimi u zhvillua në hotel Tirana dhe ka pasur në qendër të diskutimeve koalicionin qeverisës mes PS dhe LSI. Kreu i LSI shoqërohej në takim nga Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha dhe nënkryetari i LSI, Luan Rama. Ndërsa Kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar, Gramoz Rucci.

Pas rreth 100 minutash bisedime ai që ka folur i parë i ishte kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në fjalën e tij, kreu i LSI-së tha se problemi kryesor nuk është koalicioni me PS, por zgjidhja e krizës politike. Ai renditi tre çështje kryesore për të cilat është diktuar në takimin me Edi Ramën. Meta u shpreh se me rëndësi është vota e lirë, zgjedhja e një presidenti sa më konsensual dhe zgjidhja e krizës politike me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe konkretisht Partive Popullore Europiane, pjesë e së cilës është dhe Partia Demokratike.

Kreu i LSI-së, delaroi se që në qendër të takimit ishte garancia e mos prekjes së votës dhe zgjedhjet. Pika e dytë e diskutimeve ka qenë ajo për zgjedhjen e Presidentit. Meta tha se kemi kërkuar që të nisin procedurat parlamentare duke kërkuar konsensus me opozitën.

Lidhur me krizën politike, Meta tha se koalicioni ka vendosur të hyjë në dialog pa kushte. Meta tha se ka rënë dakord me Edi Ramën që të kërkojnë ndihmën e Partive Popullore Europiane për negociata me Partinë Demokratike. “Dua tu kujtoj të gjithave sa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe toleranca. Toleranca është vendimtare për të garantuar zgjedhje të lira”,- tha Meta.

 Prononcimi i plotë për median i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta:

Dëshiroj të theksoj se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte rritja e përpjekjeve tona për të garantuar paprekshmërinë e votës së qytetarëve shqiptarë, si themeli i bashkëjetesës në një shtet dhe një shoqëri evropiane, që ka qenë një angazhim i kohës kur ne kemi qenë në opozitë dhe një angazhim kryesor i marrëveshjes së 22 prillit të vitit 2013 midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me këtë rast vullneti për të nisur një dialog pa kushte që tani me opozitën dhe drejtuesit e saj legjitim.

Së dyti, kemi vendosur të vazhdojmë procedurat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri, por pa paraqitur asnjë emër apo pa mbështetur asnjë kandidaturë, për të dialoguar dhe për të bërë përpjekje për konsensusin edhe me opozitën për çështjen e Presidentit, edhe pse kjo mazhorancë ka gati 90 vota në Parlament.

Së treti, duke e kuptuar vështirësinë e opozitës për të pasur besim, sepse çështja e mosbesimit është evidente dhe kjo është arsyeja pse dialogu ende nuk ka nisur, kemi vendosur që t’i drejtohemi zyrtarisht Partive Popullore Evropiane, ku dhe Partia Demokratike është anëtare, që të asistojë sa më shpejt të jetë e mundur në këtë dialog në mënyrë që ky ngërç të marrë fund sa më shpejt dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira, të qeta, demokratike dhe të ndershme.

Po kështu edhe procesi i integrimit evropian dhe i gjithë reformave të vijojë të jetë i suksesshëm në interes të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Dua të theksoj rolin shumë të rëndësishëm që Partia Popullore Evropiane ka luajtur përgjatë gjithë kësaj periudhe në mbështetje të integrimit evropian të Shqipërisë pavarësisht, se cilat forcat politike kanë qenë në pushtet apo në opozitë në vendin tonë.

Shpresojmë, dhe që sot do t’i drejtohemi Presidentit të Partive Popullore Evropiane, z. Daul, e njëkohësisht do të njoftojmë edhe Komisionerin për Zgjerimin në KE, z. Hahn, i cili ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ne gjatë kohëve të fundit duke u interesuar për zhbllokimin e kësaj situate, në mënyrë që procesi i dialogut të nisë sa më shpejt dhe të kemi një klimë krejtësisht tjetër nga kjo e sotmja, që nuk është e nevojshme.

Me këtë rast edhe një herë dua t’u kujtoj të gjithëve sa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe toleranca dhe natyrisht në këto kushte toleranca është vendimtare për të garantuar edhe zgjedhjet e lira dhe bashkëjetesën evropiane të vendit.

A do të rinovohet koalicioni me Partinë Socialiste sërish z. Meta?

Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Më e rëndësishme është ajo që thashë më parë dhe le të punojmë të gjithë sa më parë për këtë dialog. A ka mundësi ta zgjidhim këtë çështje që tani.

Po në raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të shkoni pa një kandidaturë?

Ne do të vazhdojmë procedurat kushtetuese, sepse jemi të detyruar për këtë çështje. Nuk do të paraqesim kandidaturë, sepse duam që vendi të ketë një President konsensual ose sa më konsensual të jetë e mundshme.

Sepse, pavarësisht se ne kemi gati 90 vota si mazhorancë, mendojmë që Presidenti duhet të jetë një figurë konsensuale ose sa më konsensuale dhe natyrisht për këtë mendojmë që është i domosdoshëm dialogu dhe bashkëpunimi me opozitën.

Meta, a mendoni se mund të garantohet paprekshmëria e votës pa një qeveri teknike?

Nuk dua të hyj në çështje të tilla, besoj se këto ishin tre konkluzionet e këtij takimi.

A do zhvilloni një takim me z. Basha?

Basha, në çdo kohë që ai do të dëshironte një takim, unë jam i hapur, por kam përshtypjen që z. Basha është në një situatë mosbesimi, ndaj mendoj që një angazhim zyrtar i një përfaqësuesi zyrtar të Partisë Popullore Evropiane do të ishte rruga më e mirë për të filluar sa më shpejt dialogun dhe për të zhbllokuar situatën sa më shpejt.

 

SHKARKO APP