Përfundon ultimatumi ndaj Qeverisë. Pedagogët nisin grevën e përgjithshme
Pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale (FSHS) nisin grevën pa afat, pas dështimit të bisedimeve me përfaqësuesit e qeverisë. Greva do të jetë pa afat dhe pedagogët mbështesin kërkesat e studentëve dhe kërkojnë shfuqizimin e Ligjit të Arsimit.
Asambleja e pedagogëve të FSHS ka dalë më një deklaratë ku u bëhet thirrje asambleve të gjithë universiteteve në vend t’i bashkohen protestës. Në njoftimin e pedagogëve renditen tre pika për të cilat është marrë vendim në mënyrë unanime: ”
- Të nisim grevën e pedagogëve.
- T’u bëjmë thinje asambleve të të gjitha fakulteteve të Universitetit të Tiranës që të mblidhemi sa më parë për të koordinuar veprimet.
- T’u bëjmë thirrje të gjithë asambleve dhe pedagogëve të universiteteve publike të Shqipërisë që t’i bashkohen grevës së përgjithshme universitare”.
Vendimi vjen pas përfundimit të afatit një javor që pedagogët i kishin vendosur qeverisë për plotësimin e 5 kërkesave të tyre. Ndërkohë që sot paradite patën takim me Ministren e Arsimit, Besa Shahini por negociatat nuk dhanë asnjë rezultat.
Pas takimit me minisrja, Besa Shahinin përfaqësuesit e trupës akademike u shprehen se në tryezë u dëgjuan kërkesat e tyre, por nuk panë asnjë rezultat. “Qamë hallet por s’morëm përgjigje”u shprehën pedagogët.
“Ne biseduam deri në momentin e fundit për problemet, po nuk patëm zgjidhje . Ministrja u përpoq që të na mbushte mendjen për të mirat që do të sillte Pakti për Universitetin, gjë që ishte fyese për ne, pasi kuptojmë më shumë se vetë ajo. Studentët kanë protestën e tyre dhe ne do të vijojmë qëndresën tonë”, tha pedagogu Mark Marku.
Nga ana e saj ministrja e Arsimit në një deklaratë për median disa orë pas takimit tha se ishte një takim që shërbeu për të shuar një sërë keqkuptimesh që disa prej pedagogëve kishin për Paktin për Universitetin.
Pavarësisht qëndrimit të Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë, pedagogët deklaruan se nuk do të vijojnë më grevën për të ndërgjegjësuar institicionet për kërkesat e tyre dhe të studentëve.
Vendimi i pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale:
Ne, pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale, të mbledhur në asamble, të frymëzuar nga protesta studentore, të indinjuar nga mungesa e përgjigjes së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për kërkesat tona dhe në mbështetje të vendimeve të asamblesë së personelit akademik të FSHS të datës 15 janar 2019 dhe të takimit të përbashkët të asambleve të Universitetit të Tiranës të 25 janarit 2019 vendosëm:
- Të nisim grevën e pedagogëve.
- T’u bëjmë thinje asambleve të të gjitha fakulteteve të Universitetit të Tiranës që të mblidhemi sa më parë për të koordinuar veprimet.
- T’u bëjmë thirrje të gjithë asambleve dhe pedagogëve të universiteteve publike të Shqipërisë që t’i bashkohen grevës së përgjithshme universitare.
(Në Foto: Vendimi i pedagogëve për grevën)
https://www.facebook.com/275030463184425/videos/238542547023144/