Përgjimet e Dakos. Basha-Kryemadhi: Rama s’është më kryeministër legjitim

Publikimi i disa përgjimeve të kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako me anëtarë të bandës së Shijakut ka shkaktuar reagime të shumta ditën e sotme. Përgjimet e publikuara në emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24 dhe “Opinion” në “TV Klan” tregojnë momente kur kryebashkiaku komunikon me një prej personave që janë arrestuar për trafik ndërkombëtar droge. Nga bisedat, sipas opozitës, ka dyshime se flitet për votat, pasi janë zhvilluar para dhe pas zgjedhjeve të vitit 20017.

Por vet Vangjush Dako mohoi çdo gjë sot në emisionin “Opinion”. Ai pranoi se ka folur me personat e arrestuar, por siç flet me çdo qytetar gjatë fushatës elektorale. Dako tha se ka takuar çdo qytetar të Durrësit për ti kërkuar votën dhe kjo nuk është as shkelje dhe as vepër e dënuar penalisht. “Hap regjistrin e gjendjes civile në Durrës dhe unë të them me detaje se kush janë dhe ku banojnë”,- tha Dako. Ai tha se pjesë e punës së tij gjatë fushatës është dhe kontakti me gjithë qytetarët. “Jam njeri i zgjedhur me votë. Pushteti im buron nga vota dhe për të marrë votën unë do komunikojë me çdo qytetar të Durrësit. Në çdo qendër elektorale unë marrë listën e zgjedhësve. Ku ka listë me 30-40 anëtarë me të njëjtin mbiemër shkoj dhe takojë çdo njeri i cili ka reputacion apo është njeri i famshëm i asaj familje dhe ka ndikim te të tjerët. Unë takoj çdo njeri. Shkojë në çdo qendër elektorale”,- tha Vangjush Dako.

Lidhur me qëndrimet e Dakos kanë reaguar drejtuesit kryesorë të opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku u publikua përgjimi i Vangjush Dakos me anëtarë të bandës Avdyli. Sipas Bashës, Dako ka blerë zgjedhejt duke përdorur kriminelët, por kjo ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Kreu i PD-së, u shpreh se Rama është një kryeministër ilegjitim, që qëndron në pushtet me vota të vjedhura. “Çështja që shtrohet sonte në tryezën tuaj, është shumë më e madhe se çështja e Vangjush Dakos, apo ministrave apo kryebashkiakëve të tjerë. Siç e thatë ju dhe siç e kemi denoncuar edhe ne, qysh në zgjedhjet e Dibrës që figurojnë Ulsi Manja dhe dy ministra, për shitblerjen e votave, këto janë simptoma të një problemi që në Shqipëri kanë ardhur duke u rënduar”,- tha Basha.

Ai shtoi se Prokuroria nuk mund të hetojë eksponentët e Partisë Socialiste, sepse ajo është e kapur. Sipas Bashës, kryeministri Edi Rama nuk është më kryeministër legjitim. “Transkriptimet e këtyre bisedave, ku nga njëra anë kërkohet mbështetje në fushatë zgjedhore dhe nga ana tjetër premtohen favore, duhet të ishin hetuar prej kohësh nëse do të kishim prokurorë të pavarur. Duhet të ishin çuar në procedim penal, Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri, që rezultojnë në një tjetër dosje, tek Vangjush Dako, politikan bandit, e deri tek shtrirja kapilare e këtij problemi nga Tropoja në Sarandë. Sot kemi një pushtet ilegjitim, një kryeministër ilegjitim, që ndodhen aty jo për shkak të votave por mbështetjes kriminale.”

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në lidhje direkte me emisionin “Te Paekspozuarit” në “News 24” ka komentuar çështjen e përgjimeve të Vangjush Dakos me anëtarët e bandës së Shijakut.  Kryemadhi deklaroi se “Edi Rama është Niçja i madh i politikës shqiptare. Niçja dhe Vangjushi kane bërë atë që kanë thënë Niçja i madh. Dokumentacionet e dala në media faktojnë ulërimën e opozitës për blerjen e zgjedhjeve të 2017-ës”,- tha Kryemadhi.

SHKARKO APP