Përgjimet e SHISH sollën arrestimin e Shullazit.Mënjëherë urdhërarresti
Kur pritej që të lirohej pasi nuk ishte provuar kërcënimi ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, Emiljano Shullazit 38 vjeç i janë vendosur prangat në duar, e së bashku me të janë arrestuar edhe miku i tij dhe krahu i djathtë, Gilmano Dani, po 38 vjeç dhe kushëriri Bledar Shullazi, 32 vjeç, i cili është kapur në Krujë.
Shpesh herë emri i tij ishte përmendur në lidhje me disa ngjarje, por asnjëherë nuk ishte ndaluar. Shoqërimi i mbrëmshëm për arsyen e pyetjes në lidhje me kandidatin për rektor, duket se i kishte shërbyer Prokurorisë që ta çonte në qeli, pa dyshimin se ndaj tij në fakt do të rëndonin akuza më të rënda.
Pak më shumë se 1 orë e 30 minuta pas shoqërimit të Shullazit, (në orën 21:20) kryeprokurori Adriatik Llalla ka thirrur në një mbledhje urgjente kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako, kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj, atë të Tiranës Petrit Fushaj dhe kreun e Policisë së Tiranës Ervin Hodo, shkruan edhe syri.net.
Në këtë takim urgjent, Llalla u ka komunikuar atyre se ndaj Emiljano Shullazit, prej më shumë se 4 muajsh kishin nisur hetimet pas marrjes së disa denoncimeve. Ky komunikim ka lënë pa fjalë dhe të habitur krerët e policisë të cilët mësohet se nuk kanë qenë në dijeni të këtij hetimi, pasi ishin përjashtuar nga vetë Prokuroria, nga frika e dekonspirimi të hetimeve, pas dyshimeve se një gjë e tillë kishte ndodhur më parë.
Gjatë takimit është shpjeguar se në këtë hetim kishte marrë pjesë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, që kishte përgjuar biseda e telefonata të Shullazit.
Dëshmitë kundër Shullazit
Dy janë dëshmitë kryesore që kanë çuar Shullazin në pranga për disa akuza, si ato të gjobëvënies, kërcënimeve, etj. Dëshmia e biznesmenit Arjan Ziko ka qenë prova kryesore e Prokurorisë. Zikos më 13 mars i është vënë eksploziv në garazhin e tij, ngjarje që ka qenë një paralajmërim për të. Kjo ka bërë që ai t’i drejtohej Prokurorisë.
“Emiljano Shullazi më kërkoi takim. Dikush më erdhi dhe më tha se Emiljano po pret ta takosh. Kohë më parë kam blerë një parking prej 1200 metrash katrorë. Emiljano më tha ose blije sërish me çmimin e tregut të sotëm ose do të të vras. E kam takuar 4 herë Shullazin, por nuk kam pranuar”, ka thënë Ziko për Prokurorinë.
Kjo është prova kryesore e institucionit të akuzës. Pas kësaj dëshmie, biznesmeni Ziko mësohet se është larguar nga Shqipëria për shkak të frikës. Por jo vetëm kaq. Shërbimi Informativ Shtetëror mësohet se ka siguruar prova, përgjime telefonike dhe ambientale, për të paktën 4 gjobëvënie të Shullazit ndaj 4 biznesmenëve ndërtimi. Mësohet se të gjithë kanë paguar gjobat e vëna, ndërsa nuk kanë pranuar të dëshmojnë.
Por Prokuroria ka marrë si prova përgjimet dhe informacionet e siguruara nga SHISH. Këto kanë qenë provat që kanë lënë pa fjalë krerët e Policisë së Shtetit të cilët kanë marrë në dorë urdhrat e arrestimit të lëshuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin dhe Bledar Shullazin.
Policisë i ka mbetur vetëm që t’u komunikojë të ndaluarve faktin se tani ishin të arrestuar, duke i lënë edhe vetë ata të habitur dhe të zënë në grackë brenda ambienteve të Policisë së Tiranës.