Përmbajtja potencialisht e dëmshme në TikTok
TikTok-u është një platformë në rrjetet sociale, përmes së cilës përdoruesit mund të krijojnë, shpërndajnë dhe shikojnë video të shkurtra. Një studim i Qendrës amerikane Kundër Urrejtjes Digjitale, i publikuar në fund të vitit 2022, ka gjetur se TikTok-u shtyn përpara përmbajtje të dëmshme, që promovojnë çrregullime në të ngrënë dhe vetëlëndime.
Sipas këtij studimi, mund të duhen më pak se tre minuta pasi të futeni në TikTok, për të parë përmbajtje në lidhje me vetëvrasjen dhe rreth pesë minuta të tjera për të gjetur një komunitet që promovon përmbajtje me çrregullime në të ngrënë.
Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kontaktoi kompaninë kineze që zotëron TikTok-un, ByteDance, por nuk mori përgjigje.
Në një deklaratë për CNN-in në dhjetor të vitit 2022, një zëdhënës i TikTok-ut ka thënë se kompania është në “konsultime të rregullta me ekspertë shëndetësorë” dhe largon çdo përmbajtje që shkel politikat e saj të sigurisë.
Muajin e kaluar, kompania Meta – që zotëron Facebook-un, Instagram-in, Threads-in dhe WhatsApp-in – ka njoftuar se ka bashkuar forcat me platformat Snapchat dhe TikTok, për të parandaluar përhapjen e përmbajtjeve që promovojnë vetëvrasje ose vetëlëndime./Radio Europa e Lirë/